Thellohet hetimi mbi përdorimin e fondeve publike të përfituara nga kompanitë që kanë kontrata me shtetin. Në qendër të zhvillimeve të fundit janë Arjeta Puca dhe Ron Yeffet, të cilët kanë hapur biznesin “Timak Horse”, të fokusuar në kuaj dhe hipizëm.
Sipas të dhënave të bëra publike, “Timak Horse” ka selinë në Equos Resort, pronë e biznesmenit Ergys Agasi, e blerë nga Gazmen Brahimi.
Në të njëjtën zonë ku ndodhet Equos Resort, SPAK, në kuadër të hetimeve për çështjen e AKSHI-t, ka sekuestruar rreth 50 mijë metra katrorë tokë dhe rreth 1,300 metra katrorë sipërfaqe ndërtimi, të lidhura me pronësinë e Ergys Agasit.
Biznesi “Timak Horse” është hapur në një periudhë kur Agasi ndodhej në arrati. Ndërkohë, këtë javë Puca dhe Yeffet pritet të pyeten nga SPAK.
Marrja e tyre në pyetje vjen pas sekuestrimit të kontratave dhe dokumenteve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në kompaninë TIMAK. Hetimet po zhvillohen mbi dyshimet për pastrim parash, shpërdorim detyre dhe favorizim në tendera e gara publike.
Gazeta RD