Opozita përplaset me PS: Nuk shkrihen bashkitë si gjalp! Të dëgjojmë njerëzit!

Debati për reformën administrativo-territoriale ka sjellë përplasje mes opozitës dhe mazhorancës në Komisionin e Ligjeve, ku në qendër të diskutimeve ishte mënyra se si po konsultohet projektligji me bashkitë.

Deputetët e Partisë Demokratike ngritën shqetësime për procesin e konsultimit, duke pretenduar se disa bashki nuk kanë marrë në kohë dokumentacionin përkatës. Sipas tyre, kjo po pengon shqyrtimin e nismës së propozuar nga opozita.

Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, solli si shembull Bashkinë e Durrësit, duke deklaruar se dokumentacioni nuk kishte mbërritur përpara mbledhjes së Këshillit Bashkiak.

“Durrësi nuk e ka marrë. Sot ka mbledhje të përcaktuar të Këshillit Bashkiak dhe nuk i ka mbërritur. Kështu ka ndodhur edhe në bashki të tjera me shumë mundësi. Ky është një sabotim”, deklaroi Bylykbashi.

Edhe deputeti demokrat Saimir Korreshi e kundërshtoi mënyrën se si po zhvillohet procesi. Ai tha se kryetarë dhe këshilla bashkiakë kanë shprehur kundërshtime ndaj nismës së mazhorancës dhe kërkoi që palët të ulen në një proces të përbashkët konsultimi.

Korreshi argumentoi se bashkitë që parashikohet të shkrihen nuk mund të trajtohen thjesht si njësi që mund të ndryshohen me vendim politik, ndërsa akuzoi mazhorancën se po e trajton çështjen në mënyrë të njëanshme.

“Kjo nuk është reformë, por nismë ligjore e njëanshme. Nëse doni të bëni diçka, hajde të ulemi, t’i dëgjojmë njerëzit”, tha Korreshi.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, hodhi poshtë pretendimet e opozitës. Ai u shpreh se propozimet e saj janë diskutuar gjatë mbledhjeve të mëparshme të komisionit dhe u kërkoi deputetëve demokratë të paraqesin qëndrimet e tyre gjatë shqyrtimit në parim të nismës.

“I kemi diskutuar propozimet tuaja në dy mbledhje radhazi. Përse nuk merrni fjalën për të diskutuar në parim?”, deklaroi Manja.

Përplasja në Komisionin e Ligjeve vjen në një moment kur reforma e re administrativo-territoriale ka hapur një debat të gjerë politik, veçanërisht lidhur me numrin e bashkive, kriteret e bashkimit të tyre dhe qëndrimin e njësive vendore ndaj hartës së propozuar.

About Redaksia

Check Also

Kulla te Parku Rinia, nismëtarët i drejtohen KQZ: Jo gradaçelë për xhepin e Ramës, për Tiranën vendosin qytetarët!

Një komitet nismëtar ka depozituar ditën e sotme në KQZ kërkesën për zhvillimin e një …