Në foltoren e Ripërtëritjes që po mbahet në Fier, lideri i PD-së theksoi dhe domosdoshmërinë e rivitalizimit e strukturave dhe funksionimin e seksioneve.
Berisha: Por miqtë e mi, Shqipëria na kërkon tashti diçka tjetër shumë më të madhe.
Shqipëria kërkon dhe pret nga ne ta shpëtojmë atë. Sirenat e mjerimit, sirenat e shkretimit, sirenat e boshatisjes bien sot në të katër anët e vendit.
Ligjin, të drejtën kushtetuese e ka marrë në dorë krimi. Qytetarët për pushtetin janë statistikë, janë numra. Padrejtësitë ndaj tyre janë normale.
Varfëria e tyre është paaftësi e tyre. Pra, ne po rrokullisemi. Po rrokullisemi ndoshta si asnjëherë në histori po të marrim tërësinë.
Dhe ne duhet të jemi shumë të qartë, se shqiptarët nuk do na votojnë ne, as pse ne u ngritëm si feniksi nga hiri, as pse ne anëtarësuam Shqipërinë në NATO, apo se përmbysëm diktaturën komuniste, apo se ia dolëm të sjellim TAP-in në Shqipëri, ia dolëm të transformojmë infrastrukturën e këtij vendi.
Jo. Shqiptarët do të na votojnë ne, vetëm kur ne të arrijmë të ripërtërihemi vetë.
Vetëm kur ne të paraqitemi para tyre dhe tek ata si një forcë politike, para sw gjithash një forcë që ndjen, që përjeton, që angazhohet me një vizion për t’u dhënë përgjigjen më urgjente, më të fuqishme problemeve me të cilat përballet qytetari i Fierit dhe qytetari shqiptar.
Kjo kërkon shkrirjen tonë me qytetarët, kjo kërkon hapjen tonë ndaj të gjitha vlerave të komunitetit dhe të shoqërisë.
Kjo kërkon modernizimin e Partisë Demokratike. Kjo kërkon përpunimin e vizionit, e programit të kësaj partie në interesat më jetike të qytetarëve shqiptarë.
Kjo kërkon në radhë të parë që demokratët dhe demokratet kudo që janë të mos pajtohen asnjë sekondë, asnjë minutë me të keqen.
Kërkon seksionet tona të jenë funksionale. Kërkon që strukturat tona të rivitalizohen.
Kërkon të angazhohemi në një dialog pa mure me mbarë shoqërinë tonë.
Gazeta RD