Edhe Manastirliu me doktoraturë plagjiaturë, ia kopjoi studentit afrikan

Deputetja socialiste, Ogerta Manastirliu rezulton me doktoraturë plagjiaturë. Punimi i saj me titull, “Krahasimi i monitorimeve të mjedisit në landfillin e Sharrës, para dhe pas ndërhyrjes si dhe ndikimet në mjedis” i publikuar në vitin 2013 është zhvilluar mbi punën autentike të studentit të masterit Fannie Mnisi në Afrikë.

Tema e tij publikuar në vitin 2008 titullohet “Vlerësimi i rrezikut mjedisor lidhur me vend-depozitimet e parregulluara të mbetjeve në Bashkinë Albert Luthuli,

Në hyrje të doktoraturës së vet, përmend problematikat e Landfillit të Sharrës, ndërkohë që ato ishin problematika të Landfillit në Afrikë.

|Nëse shihet mes rreshtave të punimit të saj, zonja Manastirliu ka cituar autorë të huaj, duke harruar se këto përfundime dhe konkluzione autorët në fjalë i kanë nxjerrë për Afrikën, jo për Tiranën.

Një paragraf të tërë, Manastirliu e ka kopjuar fjalë për fjalë nga studenti i masterit Fannie Mnisi, duke zhdukur emrin e autorit real dhe duke e përvetësuar. Ka hequr 3 bashkitë e Afrikës së Jugut dhe në vend të tyre ka vendosur Tiranën.

Po të shihni objektivat e studimit që Manastirliu ka përcaktuar, është copy-paste, fjalë për fjalë, vetëm ndryshon emri i Bashkisë në Afrikë me emrin Tiranë.

“Këtu kemi të bëjmë me një mashtrim dhe falsifikim”, shprehet studiuesi Taulant Muka.

Në pjesën e zhvillimit, aty ku flitet për manaxhimin e mbetjeve të ngurta, Manastirliu ka cituar 3 autorë të huaj, Kumar, Salha Kasim dhe Mansoor Ali, në të njejtën mënyrë dhe kronologji siç i ka cituar studenti afrikan Fannie Mnisi.

Edhe nëse do të vijojmë më tej, do të shohim se citime nga autorë si Yong-Chung apo El-Fadel, të cilët flasin për manaxhimin e mbetjeve urbane, mbetjeve të rrezikshme, landfillet në Europë, Amerikë, Kanada e Japoni, janë të njejta dhe të renditura njëlloj siç i ka renditur studenti afrikan.

“Ne kemi të bëjmë me një ministre kopjace, plagjiatore, që nuk ka bazat e kërkimit shkencor. Dhe kjo u pa gjatë kovidit kur ajo u bë ministre e Shëndetësisë, që nuk dinte të lexonte shkencën. U bë përgjegjëse për 17 mijë, 18 mijë ndërrime jete shtesë në Shqipëri pavarësisht se u paralajmërua. Nëse kjo ministre do ishte e aftë, do ishte e saktë, nuk do merrte një Komitet Shkencor, pa shkencë. Dhe sot ajo pa problem fare do të jetë edhe Kryetare Bashkie. Vetë kryeministri tha: “Ne jemi atdheu i plagjiaturave”, ndërkohë plagjiaturën e çon nga ministre Arsimi, ministre Shëndetësie dhe kandidate për kryetare Bashkie”, shton z.Muka.

Gazetari Freard Rista pati një ballafaqim me zonjën Manastirliu dhe aty u përball me njerëz të panjohur dhe të paidentifikuar të cilët tentuan me çdo formë ta pengonin që të bënte pyetjet.

Në dalje të zyrave pranë Njësisë nr 9 në kryeqytet, ish-ministrja e Arsimit dhe Shëndetësisë shpejtoi këmbët për t’u futur në makinë, ndërkohë që e vetmja përgjigje që dha për plagjiaturën ishte:“ Kam reaguar njëherë për këtë gjë”.

About Redaksia

Check Also

Balluku ka një tjetër vepër penale të regjistruar/ Gazetarja: Do të bjerë bashkë me Ramën

Gazetarja Klodiana Lala e ftuar në emisionin Zonë e Lirë komentoi çështjen e Ballukut dhe …