Pas daljes nga komisariati, Aliolli tha se ishte thellësisht e tronditur nga ajo që kishte parë, duke dëshmuar për praninë e protestuesve me shenja të dukshme dhune, mes të cilëve kishte edhe të mitur.
Aliolli e cilësoi të rëndë situatën e të rinjve të shoqëruar, të cilët, sipas saj, kishin përfunduar në atë gjendje pasi kishin ushtruar të drejtën e tyre për të protestuar.
‘Sapo kam dalë nga komisariati numër 4, thellësisht e tronditur nga ajo që kam parë.
Kam parë me sytë e mi protestues me shenja të dukshme dhune, të pësuara gjatë protestës. Shumica prej tyre ishin studentë, por midis tyre kishte edhe të mitur.
Është e rëndë sot të shohësh të rinj, studentë dhe të mitur në atë gjendje, pas ushtrimit të të drejtës së tyre për të protestuar.
Ndaj kërkoj hetimin e menjëhershëm të dhunës së denoncuar gjatë protestës, dokumentimin e dëmtimeve, identifikimin e përgjegjësve dhe verifikimin e respektimit të të gjitha garancive ligjore për të miturit.
Studentët e të miturit nuk janë armiq të shtetit. Për ata që pashë sot, kërkoj përgjigje dhe përgjegjësi institucionale.’, thotë deputetja e PD, Ledina Aliolli në reagimin e saj.
Gazeta RD