Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me protestat e studentëve dhe të rinjve në Tiranë, duke kërkuar që institucionet shqiptare t’i dëgjojnë dhe t’u japin përgjigje kërkesave të tyre.
Haxhiu u shpreh e shqetësuar për situatën, duke theksuar se Shqipëria është si shtëpi për qytetarët e Kosovës. Ajo bëri thirrje për ndalimin e dhunës dhe për një qasje serioze nga institucionet, qofshin ato Kuvendi, Presidenca apo Qeveria.
“Ajo që po ndodh atje na shqetëson të gjithëve sepse Shqipëria për ne është shtëpi. Është shumë e rëndësishme që kërkesat e protestuesve të dëgjohen nga institucionet. Besoj që secili prej drejtuesve të institucioneve atje, Kuvendi, Presidenca ose Qeveria, e ka për obligim të trajtojë kërkesat e studentëve. A janë ato që kanë dalë tani a janë ato të shtresëzuara që kanë nisur shumë herët në vite. Natyrisht që ne nuk e mbështesim dhunën, dhuna duhet të ndalohet nga të dyja palët.
Është e rëndësishme qasja serioze në raport me këto protesta, jo arroganca. Mendoj që arroganca nxit protestat, prandaj thërras që me maturi e seriozitet t’i kalojnë dallësitë apo qëndrimet e ndryshme që mund të ketë. Sa i përket pjesëmarrjes së ndonjë mbështetësi, unë duhet të theksoj se asnjëherë nuk ka pasur thirrje nga Vetëvendosje që të mbështeten protestat. Nuk i takon Vetëvendosjes kjo. Vetëvendosje ka mbështetje të madhe, por nuk mund të mbahet Vetëvendosje përgjegjëse nëse mbështetësit tanë shkojnë e protestojnë atje”, tha Haxhiu.
Gazeta RD