Raportuesi i PPE për Shqipërinë: Zëri i studentëve duhet të dëgjohet!

Andrey Kovatchev, raportues i Partisë Popullore Evropiane (PPE) për Shqipërinë, ka reaguar lidhur me protestat e studentëve dhe të rinjve që prej ditësh po zhvillohen në vend.

Në mesazhin e tij, Kovatchev thekson se kërkesat e të rinjve shkojnë përtej premtimeve politike, duke përfshirë përgjegjësinë e institucioneve, luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e demokracisë e të shtetit të së drejtës.

Ai nënvizon se zëri i protestuesve duhet të dëgjohet dhe shqetësimet e tyre të trajtohen seriozisht nga autoritetet.

“Të rinjtë shqiptarë kërkojnë më shumë se premtime: ata duan llogaridhënie, fundin e korrupsionit dhe një të ardhme evropiane të ndërtuar mbi demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Zëri i tyre duhet të dëgjohet, shqetësimet e tyre të merren seriozisht dhe e drejta e tyre për të sfiduar në mënyrë paqësore ata që janë në pushtet të mbrohet.

Liria e tubimit dhe e shprehjes duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore. Dhuna është e papranueshme, qoftë nga protestuesit apo nga organet ligjzbatuese, dhe të gjitha pretendimet për raste dhune duhet të hetohen, duke garantuar respektimin e procesit të rregullt ligjor dhe llogaridhënien.

Evropa dëshiron të mirëpresë një Shqipëri të përkushtuar ndaj vlerave tona evropiane.”, shprehet Kovatchev.

Reagimi i eurodeputetit vjen në një kohë kur protestat e studentëve dhe të rinjve vijojnë, me kërkesa për përgjegjësi politike dhe ndryshime në qeverisje.

About Redaksia

Check Also

Qeveria gjeorgjiane akuzon BE për qëndrimin ndaj protestave në Shqipëri

Qeveria gjeorgjiane ka akuzuar zyrtarët europianë se po aplikojnë standarde të dyfishta në reagimet e …