Logu: 432 protestues të asistuar nga ekipi ligjor i PD-së, 239 të liruar me vendim gjykate dhe dy kallëzime penale për dhunën policore

Deklaratë për media sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në Partinë Demokratike, Marash Logu:

Të dashur qytetarë,

Partia Demokratike, përmes ekipit të saj ligjor, vijon të jetë në krah të studentëve dhe çdo qytetari që ushtron të drejtën kushtetuese për të protestuar.

Sot, avokatët tanë përfaqësuan 28 protestues, për të cilët Gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tyre.

Që prej 13 tetorit, ekipi ynë ligjor u ka ofruar asistencë 432 protestuesve të shoqëruar, nga të cilët janë liruar menjëherë 184 protestues. Ndërsa ka përfaqësuar në gjykatë 248 protestues të arrestuar, nga të cilët janë liruar 239 protestues me vendim gjyqësor.

Për çdo rast kur është caktuar masë sigurimi, ne do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore dhe do të paraqesim ankim në Gjykatën e Apelit, sapo të zbardhen vendimet përkatëse.

Po kështu, për çdo rast dhune policore do të kërkojmë përgjegjësi penale. Deri tani kemi depozituar dy kallëzime penale dhe po mbledhim prova për katër kallëzime të tjera.

Dua ta themi qartë: e drejta për të protestuar nuk është krim. Dhuna ndaj protestuesve nuk mund të mbetet pa përgjegjësi dhe ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë.

Ndërsa pushteti përpiqet t’i përballë qytetarët me frikë dhe presion, ne do të vazhdojmë t’i mbrojmë me të gjitha mjetet ligjore, në çdo komisariat dhe në çdo sallë gjyqi.

Partia Demokratike është në gatishmëri të plotë deri në garantimin e të drejtave të çdo protestuesi, respektimin e procesit të rregullt ligjor dhe vënien përpara përgjegjësisë të kujtdo që shkel ligjin.

Me studentët, në mbrojtje të lirisë, të drejtave kushtetuese dhe Shqipërisë!

Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Dhuna ndaj protestuesve/ OSBE: Të hetohet menjëherë përdorimi i forcës nga policia!

OSBE ka reaguar, lidhur me dhunën brutale policore që ka shoqëruar protestat e studentëve në …