Shpërthen ish-deputeti socialist/ Braho: Rama duhet larguar, e ktheu PS dhe qeverinë në strofull hajdutësh

“Nga partia e idealit te strofka e hajdutëve”, Spartak Braho hap “Kutinë e Pandorës”: Edi Rama nuk është as socialist, as demokrat, por një ‘anarkist’ që moralisht ka rënë nga pushteti, ja si po e shqyejnë PS-në dy klanet e errëta që i bien me ‘thika pas shpine’ njëri-tjetrit dhe çfarë po ‘gatuhet’ prapa dyerve të mbyllura në ‘selinë rozë’
Ish-deputeti i Partisë Socialiste dhe ish-kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, ka bërë një analizë tronditëse të krizës dhe situatës politike në vend. Në një intervistë në emisionin “Dekalog” në “Dritare.net”, z. Braho zbuloi një prapaskenë me kryeministrin, duke u shprehur se Edi Rama i ka thënë personalisht: “Unë gruan e lë, por karrigen nuk e lëshoj”. Sipas ish-kryetarit të Komisionit të Sigurisë, Rama nuk është as socialist e as demokrat, por një anarkist që moralisht ka rënë nga pushteti dhe po e mban kolltukun me çdo kusht. Braho e bëri përgjegjës drejtpërdrejt kryeministrin për bashkëpunëtorët e tij më të afërt, duke vënë në dukje se më shumë se treçereku i kabinetit qeveritar sot ndodhet i arrestuar, në kërkim apo nën hetim nga SPAK.
Duke denoncuar katandisjen e mazhorancës “nga një parti me ideale në një strofkë hajdutësh”, ai ironizoi faktin se Rama ka ngritur krevat e mensë brenda godinës së Kryeministrisë sepse nuk largohet dot prej aty. Më tej në intervistën të cilën po e pasyrojmë me shkurtime më poshtë, ish-deputeti socialist shpjegoi se brenda “Selisë Rozë” po zhvillohet një luftë e ndyrë mes dy klaneve ordinere, klanit Balluku dhe klanit Veliaj, të cilët i ngulin thika pas shpine njëri-tjetrit. Ndërkohë, ish-deputeti Braho theksoi se këtë përçarje fatale e nxit vetë Rama për të mbajtur kontrollin, ndërsa pyeti se si mund të pretendojë ai se nuk ka përgjegjësi politike kur emëron njerëz që përfundojnë në dyert e drejtësisë (SPAK). Në fund, Spartak Braho bëri thirrje urgjente që Partia Socialiste të mbledhë forumet e saj, t’i hapë rrugë reformimit total dhe të nxjerrë një kandidat të ri për kryeministër për të zëvendësuar Edi Ramën.

About Krye Redaktor

Check Also

10 banorë jetojnë në qiell të hapur, Bashkia Vlorë në indeferncë totale

Pamjet e transmetuara nga portali Blic News, një media serioze dhe me integritet, dëshmojnë një …