Pamjet e transmetuara nga portali Blic News, një media serioze dhe me integritet, dëshmojnë një realitet tronditës dhe të papranueshëm: rrënimin e shërbimit social dhe dështimin e institucioneve të Bashkisë Vlorë për të përmbushur detyrimet e tyre ndaj qytetarëve më në nevojë.
Më shumë se 10 banorë të qytetit të Vlorës janë detyruar të jetojnë në kushte ekstreme, duke ngritur strehëza të improvizuara në qiell të hapur, në zonën e Pyllit të Sodës, konkretisht në Rajonin Nr. 4 të qytetit.
Bëhet fjalë për njerëz në gjendje tejet të rënduar ekonomike dhe sociale, me probleme shëndetësore, të kequshqyer dhe pa asnjë mbështetje institucionale. Prej më shumë se tri ditësh ata përballen me të ftohtin, pasigurinë dhe mungesën e kushteve më elementare për të jetuar, ndërsa ankesat dhe thirrjet e tyre për ndihmë duket se bien në vesh të shurdhër.
Bashkia Vlorë i ka braktisur qytetarët e saj!
Shërbimi Social, i cili duhet të jetë institucioni i parë që u vjen në ndihmë njerëzve në nevojë, duket se ka dështuar në mënyrë flagrante në misionin e tij themelor.
Është e papranueshme që në një qytet si Vlora, në vitin 2026, më shumë se 10 qytetarë të detyrohen të jetojnë në qiell të hapur, pa ushqim, pa strehim dhe pa mbështetjen minimale njerëzore e institucionale.
I bëjmë thirrje urgjente Bashkisë Vlorë, Shërbimit Social dhe të gjitha autoriteteve përgjegjëse vendore që të ndërhyjnë menjëherë për t’u siguruar këtyre banorëve strehim, ushqim, ndihmë shëndetësore dhe mbështetjen e nevojshme sociale.
Nuk bëhet fjalë për një problem administrativ apo një ankesë të zakonshme qytetare. Kemi të bëjmë me një krizë të mirëfilltë humanitare, e cila kërkon reagim të menjëhershëm dhe përgjegjësi institucionale.
Një bashki që nuk kujdeset për qytetarët më të pambrojtur ka dështuar në një nga misionet e saj më themelore.
Njerëzit nuk mund të lihen të mbijetojnë në qiell të hapur, ndërsa institucionet të fshihen pas heshtjes dhe indiferencës!
Gazeta RD