Shqiptarët e trojeve etnike: Të mirë për turizëm, të këqinj për protestë?!

Nga Bislim AHMETAJ
Ky qenka lajmi «konfidencial» që një gazetaruc, i zellshëm për t’i shërbyer Edi Marrës, paska siguruar me metodat e tij konspirative.
Zbulimin e madh ia bëri të ditur publikut mbrëmë, nga studioja e Euronews Albania.
Por, në thelb, çfarë zbuloi ky «investigator»?
Dhjetëra lajme të rreme që TikTok-u i shpërndan çdo sekondë në rrjetet sociale.
Dhe këtë e paraqiti si një zbulim të madh gazetaresk!
Po pse qenka e ndaluar për shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre etnike në Ballkan të protestojnë kundër qeverisë së Tiranës?
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e përcakton mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore si detyrim të shtetit, jo si privilegj që qeveria ua jep vetëm atyre që i duartrokasin.
Vetëm deklaratat e djeshme të Vuçiçit në mbrojtje të Edi Marrës mjaftojnë për të ngritur një pyetje të ligjshme: pse shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk duhet të shprehin solidaritetin e tyre me qytetarët që protestojnë në Tiranë?
Fshirja e Kryeministrit Albin Kurti nga fotografia zyrtare e takimit të Budvës është një tjetër arsye për të kërkuar llogari politike. Shqiptarët e Kosovës kanë të drejtë të reagojnë ndaj çdo akti që e konsiderojnë fyes apo përjashtues, përfshirë edhe përmes protestave paqësore.
Po heshtja e Tiranës zyrtare për çështjet që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut?
A nuk mjafton kjo për të kërkuar më shumë përgjegjësi nga qeveria shqiptare në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon?
Edhe shqiptarët e Malit të Zi kanë arsye të kërkojnë llogari për premtimin e përsëritur të urës që do të lidhte Ulqinin me Velipojën, për të cilin Edi Rama dhe ish-kryeministri Dritan Abazoviç kanë folur publikisht.
Kur qindra autobusë mbërrijnë nga Tetova, Shkupi, Gostivari, Kumanova e Struga për të kaluar pushimet në bregdetin shqiptar, shqiptarët e rajonit janë të mirëpritur.
Por kur duan të shprehin solidaritet me studentët dhe të rinjtë që protestojnë, bëhen papritur problem sigurie?
E njëjta marrëdhënie vlen edhe për shqiptarët e Kosovës, të cilët kontribuojnë në turizmin, në tregun e pasurive të paluajtshme dhe në ekonominë shqiptare.
Kur vijnë si turistë, përmenden në statistika si sukses.
Kur kërkojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre për t’u shprehur e për të protestuar në mënyrë paqësore, shfaqen etiketimet: «antifa», «ndërhyrje iraniane» e të tjera akuza që kërkojnë prova, jo thjesht deklarata politike.
Pse qeveria i mirëpriti dhe i mbështeti aktivitetet e veteranëve të UÇK-së në Tiranë, ndërsa prania e qytetarëve që kundërshtojnë qeverinë trajtohet si kërcënim?
Liritë demokratike nuk mund të maten me simpatinë që ka qeveria për ata që i ushtrojnë.
Prandaj, thirrja është e qartë: shqiptarët e trojeve tona etnike dhe diaspora le ta shprehin solidaritetin me studentët dhe të rinjtë shqiptarë që protestojnë në Tiranë.
Jo me urrejtje.
Jo me dhunë.
Jo me aventura konspirative.
Por me pjesëmarrje qytetare, me fjalën e lirë, me protesta paqësore, me kërkesën për llogaridhënie dhe me çdo mjet demokratik.
Sepse solidariteti nuk është ndërhyrje e huaj.
Është e drejtë qytetare.
Dhe askush nuk mund të jetë i mirëpritur vetëm kur sjell para për turizmin, ndërsa i padëshiruar kur kërkon drejtësi, dinjitet dhe llogaridhënie.
Mund të jetë një imazh i turmë dhe teksti

About Redaksia

Check Also

E akuzoi si “trafikant droge”/ Protestuesi i përgjigjet Ramës: Jam student ekselent i Mjekësisë

Kryeministri Edi Rama doli sot për t’i bëri gjyqin publik disa personave, që janë arrestuar …