Berisha: PD do të thërrasë protesta të tjera kombëtare! Studentët po luftojnë për idealin më atdhetar, po luftojnë që të qëndrojnë në vendin e tyre

Albi Rakipi, SYRI TV: Zoti Berisha, ju keni dalë hapur në mbështetje të protestës studentore që prej nisjes së saj. Ndërkaq, po krahas lëvizjes dhe protestës së ditës së sotme, Partia Demokratike thirri po ashtu protestë pranë ambienteve të Kryeministrisë. Pyetja ime për ju zoti Berisha është, a do të vijojë Partia Demokratike të thërrasë protesta në vijim apo do të shtrijë të gjithë energjinë dhe mbështetjen e saj tek protestat studentore?

Sali Berisha: Partia Demokratike, ju falënderoj për pyetjen.
Së pari, shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë demokratëve dhe demokrateve, demokratëve të Tiranës dhe të Shqipërisë, që nesër të bashkohen në orën e protestës me studentët në mbrojtje të kauzës së tyre, në mbështetje të tyre. Kjo e para.
E dyta, kjo e sotmja ishte protestë kombëtare e Partisë Demokratike, e thirrur në mbështetje të studentëve.
Partia Demokratike pa diskutim që do të thërrasë protesta të tjera kombëtare si në mbështetje të studentëve ashtu dhe për kauzë direkt, e cila s’mund të jetë ndryshe nga ajo e studentëve, është e vërteta në këtë periudhë.
Kështu që është një detyrim madhor, jo partiak, të mbështesësh ato vajza që kanë treguar një guxim të jashtëzakonshëm. Ju jeni gazetarë dhe lexoni, po ato kanë fituar një simpati botërore të paparë.
Mediat e botës, rrjetet sociale në botë, ato i mbajnë flamur, edhe djemtë dhe po kështu.
Pra, për çdo shqiptar, aktet e burrërisë, të guximit, të trimërisë të studentëve janë një frymëzim, duhet të jenë një frymëzim.
Por është dhe një detyrim madhor. Çdo prind, çdo gjysh, gjyshe, nënë, baba, çdo qytetar duhet të jetë në këmbë në mbështetje të tyre.
Pse po luftojnë ata? Ata po luftojnë për idealin më atdhetar, po luftojnë që të qëndrojnë në vendin e tyre, të mos ikin siç kanë ikur 750 mijë të tjerë.
Ata po luftojnë pra që ky vend të banohet nga shqiptarë, nga kombi shqiptar dhe Shqipëria të quhet Shqipëri. Nuk ka luftë, nuk ka betejë më atdhetare, më fisnike, më patriotike se kjo.

About Redaksia

Check Also

Identifikohet krimineli në polici që godiste studentin pasi kishte humbur ndjenjat

Protestuesi u godit me shkop gome nga efektivi i policisë, duke humbur kështu edhe ndjenjat. …