Deputetja e PD, Jorida Tabaku, gjatë mbledhjes së komisionit parlamentar të të Drejtave të Njeriut dhe Medias, deklaroi se protestat e zhvilluara në Tiranë gjatë muajve të fundit kanë nxjerrë në pah një krizë përfaqësimi dhe besimi te institucionet.
Tabaku tha se, ajo që po kërkojnë shqiptarët është tërheqja e qeverisë dhe krijimin e nje qeverie teknike, duke theksuar se “kjo eshte axhenda qe ka Shqiperia sot”.
“Duhet patjetër që sot të kemi një qasje tjetër. Të kemi një ndryshim. Unë e kam humbur shpresën që ju do reflektoni dhe do ndryshoni. Po të më kërkonit 2013-ën, do ju sillja amendamente. E kemi bërë këtë. Po sot njerëzit kërkojnë një zgjidhje politike, kërkojnë tërheqjen e qeverisë, kërkojnë një qeveri teknike, kërkojnë që të reflektojmë për këtë sistem që sot ka përqendruar çdo pushtet në një dorë dhe që sot fatkeqësisht ka ndrydhur edhe të ardhmen e Shqipërisë. Kështu që kërkesa ime është që kjo axhendë që Shqipëria ka që nuk e vendosim dot ne, e ka vendosur rruga, e kanë vendosur studentët, e ka vendosur protesta, të sillet edhe këtu në parlament dhe ne të kemi këtë rend dite sot”, deklaroi Tabaku.
Po ashtu ajo ngriti edhe shqëtësimin e dhunës policore të ushtruar ndaj të rinjve protestues, duke thene se jane 1000 të rinjë të shoqëruar e arrestuar, nga të cilet 250 janë të mitur.
“Në emër të opozitës kam kërkuar që në këtë komision të raportojë Ervin Demo. Kam kërkuar që të raportojë Skënder Hitaj. Kam kërkuar që të raportojë komisioneri për antidiskriminimin. Sepse ne kemi parë qytetarë të Tiranës të dhunoheshin e tërhiqeshin zvarrë. Në cilësinë e kryetares së këtij komisioni kam qenë 2 herë në ditë në paraburgim. Kam qenë çdo darkë në komisariatet e policisë.
Kam qenë çdo ditë në spitalin e Traumës. Dhe ju siguroj, pa asnjë konotacion politik, se është bërë barbari ndaj të rinjve. Janë 1.000 të rinj të shoqëruar të arrestuar, 250 prej të cilëve janë të mitur. Janë të mitur, si do ndiheshin në qoftë se fëmijët tuaj atje do të arrestoheshin? E ju do prisnit jashtë derës së komisariatit vetëm pse ishin veshur me të zeza. Si do ndiheshit në qoftë se do ishin të afërmit tuaj? Si do ndiheshit në qoftë se do ishin persona të cilët ju keni lidhje? Kam takuar prindër të shokuar.
Kam takuar prindër që ishin thyer fëmijëve gjymtyrët. Që i ka gjuajtur policia në mënyrë çnjerëzore në kokë. Dhe sot neve nuk mund të mblidhemi dhe të sillemi sikur asgjë s’ka ndodhur. Unë e kam theksuar gjithmonë që unë jam për përdorimin e institucioneve. Por ne duhet që t’i japim vlerë parlamentit. Dhe duhet që në këtë parlament, patjetër të raportonte ministri i brendshëm.
Me një kërkesë që unë kam bërë këtu që një javë më parë. Duhet të raportonte drejtori i policisë për masat ekstreme që ka marrë. Për trajtimin çnjerëzor, për rrahjen në komisariate. Duhet të raportonte se kush ishin ato persona pa numër identifikimi që kanë rrahur të rinjtë e Tiranës. Duhet të raportonte për shkeljen e të drejtave të njeriut”, tha Tabaku.
Gazeta RD