Dy kongresmenë amerikanë, Joe Wilson dhe Keith Self, kanë vënë në fokus çështjen e Belinda Ballukut dhe rolin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, përmes një letre drejtuar sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Në dokumentin e datës 22 tetor 2026, ata kërkojnë shqyrtimin e kufizimeve të vizave për zyrtarët shqiptarë të përfshirë në korrupsion të rëndë, ndërsa kërkojnë shpjegime konkrete për qëndrimin dhe veprimtarinë e diplomacisë amerikane në Shqipëri.
Një nga çështjet kryesore të ngritura në letër lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe hetimet e SPAK-ut ndaj saj.
Kongresmenët përmendin akuzat për ndërhyrje në prokurimet publike dhe kërkesën e prokurorëve për heqjen e imunitetit, me qëllim hapjen e rrugës për arrestimin e saj.
Ata theksojnë se kryeministri Edi Rama e ka cilësuar këtë kërkesë antikushtetuese, ndërsa Kuvendi nuk ka lejuar vijimin e procedurës.
Në këtë kontekst, Wilson dhe Self i drejtojnë Departamentit të Shtetit një pyetje të drejtpërdrejtë për komunikimet me qeverinë shqiptare lidhur me rastin Balluku.
“A e ka ngritur Departamenti me qeverinë shqiptare çështjen e mosveprimit të Kuvendit lidhur me kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e znj. Balluku? Cila ishte përgjigjja?”, thuhet në letrën drejtuar Rubios.
Por dokumenti nuk ndalet vetëm te zhvillimet politike dhe hetimet në Shqipëri. Një tjetër pikë e rëndësishme është kërkesa për sqarime mbi veprimtarinë e Ambasadës Amerikane në Tiranë, veçanërisht në raport me autoritetet shqiptare, protestat dhe sigurinë e gazetarëve.
“Si po bashkëpunon Ambasada Amerikane në Tiranë me autoritetet shqiptare lidhur me mënyrën e menaxhimit policor të protestave dhe sigurinë e gazetarëve? A i mbështet Departamenti hetimet e pavarura për incidentet e dokumentuara gjatë kësaj vere?”, pyesin dy kongresmenët.
Kjo kërkesë e vendos edhe veprimtarinë e përfaqësisë diplomatike amerikane në Tiranë nën vëmendjen e ligjvënësve, të cilët kërkojnë të dinë se çfarë hapash janë ndërmarrë për çështjet e ngritura. Megjithatë, letra nuk përmban akuza të drejtpërdrejta ndaj ambasadës apo personelit të saj.
Wilson dhe Self shprehin gjithashtu shqetësimin për gjendjen e demokracisë, korrupsionin dhe presionin e pretenduar politik ndaj institucioneve të drejtësisë. Ata vlerësojnë punën e SPAK-ut, por paralajmërojnë se përpjekjet kundër korrupsionit mund të pengohen nëse zyrtarët e hetuar gëzojnë mbrojtje politike.
Dy kongresmenët i kërkojnë Rubios të shqyrtojë përdorimin e nenit 7031(c) për kufizimin e vizave ndaj zyrtarëve për të cilët ekzistojnë informacione të besueshme për korrupsion të rëndë. Ata kërkojnë gjithashtu të vlerësohet mundësia e sanksioneve sipas programit Global Magnitsky, në rastet kur provat e mbështesin një vendim të tillë.
Departamentit amerikan të Shtetit i është kërkuar të japë përgjigje deri më 5 nëntor, si dhe të organizojë një seancë informuese për stafin e dy kongresmenëve.
Kështu, përveç çështjes Balluku dhe hetimeve të SPAK-ut, letra kërkon edhe një pasqyrë të rolit që diplomacia amerikane në Tiranë ka luajtur në raport me zhvillimet politike dhe institucionale në Shqipëri.
Gazeta RD