Nga Ndriçim KULLA

Ka vendime të drejtësisë që e trazojnë edhe më shumë ndërgjegjen qytetare, sepse, në vend që të mbyllin dyshimet, hapin të tjera, shumë më të rënda se ato që ekzistonin më parë. Vendimi i SPAK-ut, më 28 tetor, për përfundimin e hetimeve ndaj Belinda Ballukut dhe kalimin e çështjes në fazën e mëtejshme procedurale, i përket pikërisht kësaj kategorie vendimesh që kërkojnë shpjegim publik, jo vetëm komunikim institucional.
Sipas akuzave të bëra publike, ish-zëvendëskryeministrja përballet me pesë vepra penale, që lidhen me shkeljen e barazisë në tendera, korrupsionin pasiv, mosdeklarimin e pasurisë dhe pastrimin e parave. Janë akuza serioze, që prekin jo një zyrtare të zakonshme, por një figurë që ka ushtruar funksione të larta shtetërore dhe ka qenë në qendër të vendimmarrjes qeveritare. .
Si mundet që një çështje me një shtrirje të tillë, me disa procedime të bashkuara dhe me akuza që prekin prokurimin publik, korrupsionin dhe pasurinë, të mbërrijë në përfundimin e hetimeve pa u shoqëruar me një shpjegim të qartë publik mbi ecurinë e masave procedurale dhe mbi arsyet përse nuk është bërë një kërkesë e re për autorizim parlamentar, nëse prokuroria e konsideronte të nevojshme? Përfundimi i hetimeve nuk është në vetvete provë e dështimit të drejtësisë; por as nuk mund të shërbejë si perde pas së cilës të humbasin shqetësimet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e provave, përgjegjësinë e zyrtarëve dhe barazinë përpara ligjit.
Kjo është çështja që SPAK-u duhet t’i sqarojë publikut. Jo me formula juridike të përgjithshme, por me arsyetim të kuptueshëm, brenda kufijve që lejon ligji dhe sekreti hetimor.
Historia e kësaj dosjeje ka edhe një dimension politik që nuk mund të shpërfillet. Kryeministri Edi Rama doli publikisht në mbrojtje të Ballukut dhe kundërshtoi heqjen e imunitetit të saj. Një kryeministër mund të ketë qëndrimin e vet politik, por kur mbron një bashkëpunëtore të ngushtë përballë një hetimi penal të kësaj rëndësie, ai nuk mund të kërkojë që publiku ta ndajë këtë qëndrim nga përgjegjësia e tij politike. Përkundrazi, sa më e lartë të jetë mbrojtja politike, aq më e madhe bëhet nevoja për transparencë institucionale.
Dhe nëse pushteti ndërhyn me zërin e tij për të kundërshtuar një masë të kërkuar nga prokuroria, a nuk lind detyrimi që çdo vendimmarrje e mëvonshme të shpjegohet me kujdes të dyfishtë, në mënyrë që askush të mos krijojë përshtypjen se pesha e funksionit politik mund të ndikojë në mënyrën se si drejtësia vepron?
Ky është një shqetësim që nuk mund të shmanget.
A po gjykohet çështja vetëm mbi bazën e ligjit dhe të provave, apo publiku po sheh një standard që ndryshon sipas pozitës politike të personit që ndodhet nën hetim?
Krahasimi me mënyrën se si trajtohen figura të tjera politike, përfshirë Sali Berishën, Ilir Metën dhe Erion Veliajn, është i domosdoshëm kur bëhet fjalë për standardin e drejtësisë: a zbatohen të njëjtat parime me të njëjtën paanshmëri, pavarësisht nëse personi është kundërshtar i qeverisë, pjesë e saj apo një figurë me ndikim të madh politik?
Nëse drejtësia është e pavarur, ajo duhet ta dëshmojë këtë jo vetëm në çështjet që prekin opozitën, por sidomos kur hetimi prek vetë qendrën e pushtetit. Sepse aty provohet realisht nëse ligji qëndron mbi politikën apo nëse politika, me gjithë peshën e saj, arrin të krijojë një hije mbi ligjin.
Në këtë klimë mosbesimi, vendimi i SPAK-ut po perceptohet si një akt që e mbyll një fazë procedurale, por nuk i jep fund dyshimeve të publikut. Dhe një institucion i krijuar për të luftuar korrupsionin nuk mund të kënaqet vetëm me faktin se ka ndjekur procedurën; ai duhet të kujdeset edhe që vendimmarrja e tij të jetë e argumentuar aq qartë, sa të mos ushqejë dyshime të arsyeshme për standarde të dyfishta.
Këtu qëndron edhe përgjegjësia më e madhe e SPAK-ut: të mos lejojë që mungesa e shpjegimit të kthehet në terren pjellor për mosbesimin. Në një shtet të së drejtës, hetimi nuk zhvillohet për të kënaqur turmën, as për të përmbushur kërkesat politike të një pale; zhvillohet për të zbardhur faktet dhe për t’i çuar ato përpara gjykatës. Por kjo pavarësi nuk e përjashton llogaridhënien institucionale, përkundrazi, e bën atë më të domosdoshme.
Sepse kur qytetarët shohin se për disa figura politike drejtësia shfaqet me gjithë ashpërsinë e tejkaluar, ndërsa në çështje që prekin majën e pushtetit lindin dyshime mafieje, dëmi nuk mbetet vetëm te një dosje. Ai prek besimin te vetë ideja e drejtësisë së barabartë.
Dhe ky është dëmi më i rrezikshëm.
Një vendim procedural mund të ketë shpjegimin e vet juridik. Por një institucion që nuk arrin ta bëjë të kuptueshëm arsyetimin e tij publik, në kufijtë e ligjit, do t’ia lërë vendin interpretimit, dhe zemërimit qytetar. SPAK-u nuk ka detyrimin të dënojë dikë për të kënaqur publikun; ka detyrimin të mos i japë publikut arsye të besojë se ligji shkelet dhe manipulohet qoftë edhe me procedura kur përballë tij qëndron pushteti.
Çështja Balluku nuk do të përcaktohet nga zhurma e ditës, as nga akuzat politike, as nga mbrojtja e kryeministrit, por nga provat dhe vendimet e gjykatës. Megjithatë, besimi te drejtësia nuk mund të shtyhet pafundësisht për në fund të procesit. Ai ndërtohet në çdo hap, me paanshmëri, me koherencë dhe me shpjegime që qëndrojnë përballë pyetjeve të qytetarëve.
Nëse SPAK-u dëshiron të dëshmojë se është institucion i pavarur, jo një mekanizëm që perceptohet si pjesë e ekuilibrave të pushtetit, atëherë përgjigjja nuk mund të jetë heshtja. Duhet të jetë ligji, i zbatuar njësoj për të gjithë, dhe një transparencë që nuk lë vend për dyshimin se drejtësia ka dy fytyra: një për kundërshtarët e pushtetit dhe një për ata që kanë qëndruar pranë tij.
Gazeta RD