Zoti Berisha dy pyetje, e dita e sotme u fokusua tek pjesa e krimeve elektorale, çfarë do të thotë apo i prin Partia Demokratike asaj çfarë mund të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme vendore të datës 9 maj? Dhe pyetja e dytë, cila do të jetë strategjia që do të ndjekë Partia Demokratike sa i takon protestës së studentëve?
Sali Berisha: E para, Partia Demokratike u tha shqiptarëve se ajo do mbrojë votën. Dhe e vërteta është, siç e keni marrë vesh, në zgjedhjet e 11 majit Edi Rama nuk mori një urim si çdo vit tjetër nga Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara.
Për mungesë të këtij urimi, zëdhënësi i Departamentit iu përgjigj pyetjes së një gazetari, në nuk gabohem, i akredituar në Shtëpinë e Bardhë, nuk jam i sigurt në këtë, se Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, uron vetëm ata që dalin nga zgjedhje të lira. Ia la pra në xhep dopio gjashtën- në gjuhën popullore- Edi Ramës. Nuk e uroi për zgjedhje jo të lira.
Së dyti, sigurisht që zgjedhjet janë vëzhguar nga qindra vëzhgues ndërkombëtarë. Por po ju them këtu, që ditën që kanë vënë këmbën në Shqipëri dhe gjer sa janë larguar, Partia Demokratike ka paraqitur para tyre me me qindra dokumente të dhunimit të ligjit elektoral shqiptar dhe ndërkombëtar.
Këto bënë që, që në raportin e parë të thuhet, se linja midis partisë dhe institucioneve shtetërore është fshirë. Nuk kishte më dallim midis partisë dhe institucioneve shtetërore.
Këto bënë që në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës të miratohet rezoluta në të cilën Shqipërisë i kërkohet të ndajë partinë nga shteti. E di kujt i kërkohet tjetër? Koresë së Veriut. E di kujt i kërkohet tjetër? Lukashenkos. Të kërkosh në një vend të ndajë partinë nga shteti, do të thotë se ai vend është një diktaturë autoritare.
Së treti, cilido që lexon me vëmendje raportin e ndërkombëtarëve, ka një arbitër apo jo, ju do gjeni aty se në afatin ligjor që nuk mund të ndodhnin, u zhvilluan 4500 aktivitete për të influencuar zgjedhësit.
Do lexoni aty se bandat e Fierit, Lushnjes- dhe në Fier ishte Lubia, e kuptoni vetë, ishte Kapolubia- e Fierit, Lushnjes, Elbasanit, Lezhës, Durrësit, Shkodrës përcaktuan rezultatet e zgjedhjeve.
Po në këto raporte, falë punës së jashtëzakonshme të bërë, dokumentohen të gjitha dhunimet e parimeve më themelore ndërkombëtare për zgjedhjet, parimeve të Kartës së Kopenhagenit. Po me kërkesën e Partisë Demokratike, në Shqipëri erdhi misioni faktmbledhës i përfaqësuesve të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian dhe ata bënë një rezolutë damkosëse për zgjedhjet.
Përveç kësaj, ju e dini shumë mirë raportin e COELA-s. Mikeshja e famshme e Edi Ramës, zonja Marta Kos kishte dërguar në COELA një raport lajle dhe lule, ku Edi Rama dilte ylli shkëlqimtar. Raporti u përmbys nga diplomatë seriozë, të cilët përbëjnë një forum me përfaqësues të të gjitha kombeve, dhe Edi Rama vetëm pas përpunimit tremujor të raportit të zonjës Kos, pasioni i saj për të mbrojtur Edi Ramën ka kufi vetëm qiellin, raporti mori përmbajtjen që duhet të kishte.
Pra, ne e kemi bërë detyrën tonë. Por ka një gjë. Puthadorët e Edi Ramës, të ushqyer nga krimi dhe mafia, përdorin çdo ditë fjalën ‘zgjedhje’ në vend të përdorin termin ‘farsë zgjedhore’. Dhe ju them një gjë, kjo është forma më ekstreme e korrupsionit. Përdorimi i fjalëve me kuptimin që nuk e kanë, përdorimi i zgjedhjeve për të shprehur farsën është akti më i papërgjegjshëm, më korruptiv i gjuhës shqipe, por dhe i mendimit të njerëzve.
Dëgjoni ju të flitet për narkoshtet në mediat e vendit? I ndaluar. I ndaluar!
Duan të fshehin Dajtin, krimin që është sa Dajti, me censurë. Dhe mendojnë se në këtë mënyrë bëjnë detyrën.
Jo! Ndaj dhe ne qëndrojmë të pamposhtur si opozitë, të vendosur çdo ditë.
Ka një altoparlant aty apo është një zyrë tjetër atje?
Atëherë ne paskemi hyrë në territorin e tyre. Po edhe aty Irena me pesë mbiemra po jep vendime.
Gazeta RD