Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi bëri të ditur se gjatë takimit e informoi ambasadoren për problematikat që, sipas tij, karakterizojnë veprimtarinë e Kuvendit, veçanërisht në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Në fokus të diskutimit, sipas Bardhit, ishte kufizimi i rolit të opozitës dhe mohimi i të drejtave të saj për ushtrimin e kontrollit parlamentar, moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, mungesa e llogaridhënies së ekzekutivit, si dhe përdorimi i shumicës parlamentare për të mbrojtur, përmes votës, imunitetin e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion.
Reagimi i Gazment Bardhit
Sot zhvillova një takim me Ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri, znj. Sofia Moreira de Sousa, së cilës i urova suksese në ushtrimin e mandatit të saj.
Gjatë takimit e informova mbi problematikat serioze që karakterizojnë funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe deformimin e rolit të tij kushtetues, veçanërisht në një moment vendimtar për procesin e integrimit europian të vendit.
Në fokus të diskutimit ishte kufizimi i rolit të opozitës dhe mohimi i të drejtave të saj për ushtrimin e kontrollit parlamentar, moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, mungesa e llogaridhënies së ekzekutivit, si dhe përdorimi i shumicës parlamentare për të mbrojtur, përmes votës, imunitetin e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion.
Theksova se Kuvendi nuk mund të shndërrohet në noter të vendimeve të qeverisë, por duhet të jetë institucioni ku ushtrohet kontrolli mbi pushtetin dhe ku dëgjohet e përfaqësohet zëri i qytetarëve. Nënvizova gjithashtu se protesta paqësore është një e drejtë themelore demokratike, e cila duhet të garantohet dhe të ushtrohet pa pengesa.
Përdorimi i forcës joproporcionale nga Policia është i papranueshëm dhe bie ndesh me standardet demokratike që një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian duhet të respektojë.
Partia Demokratike mbështet pa asnjë rezervë integrimin europian të Shqipërisë dhe çdo përpjekje serioze që përshpejton anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Por integrimi europian nuk mund të jetë fasadë pas së cilës qeveria të fshehë shkeljet e rënda të standardeve demokratike, cenimin e shtetit të së drejtës dhe kapjen e institucioneve.
Rruga drejt Bashkimit Europian kërkon demokraci funksionale, institucione të pavarura, respektim të Kushtetutës, llogaridhënie dhe garanci reale për të drejtat e opozitës dhe të qytetarëve.
Gazeta RD