3 Nëntor 1944/ Masakra komuniste që goditi tre anëtarë të familjes Deliallisi u pushkatuan pa gjyq!

Shkëlqim LEPENICA
Në vjeshtën e vitit 1944, ndërsa Lufta e Dytë Botërore po përfundonte, forcat komuniste po përgatiteshin të merrnin pushtetin, në Tiranë dhe rrethinat e saj kishte nisur një fushatë e egër eliminimi ndaj kundërshtarëve politikë dhe njerëzve të shquar të shoqërisë shqiptare.
Gjatë kësaj masakre, njerëz të nxjerrë nga shtëpitë me pretekstin e bisedimeve, oficerë, intelektualë, tregtarë dhe personalitete të njohura ekzekutoheshin pa gjyq. Këto vrasje ishin pjesë e terrorit që shoqëroi pushtimin e Tiranës dhe i parapriu vendosjes së diktaturës komuniste.
Në këtë zinxhir krimesh hyn edhe pushkatimi, më 3 nëntor 1944, në Sharrë të Tiranës, i tre burrave të familjes patriote Deliallisi nga Shijaku.
Kapllan Deliallisi, ish-deputet i Shijakut në Parlamentin shqiptar.
Jakup Deliallisi, vëllai i tij, ish-kryetar i komunave të Shënavlashit dhe Luzit.
Shefqet Deliallisi, vetëm 23 vjeç, djali i atdhetarit Ymer Deliallisi, sekretar personal i Ismail Qemalit dhe firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Shefqeti ishte diplomuar në Akademinë Ushtarake të Romës dhe kishte kundërshtuar pushtimin fashist.
Deliallisët kishin dhënë kontribut brez pas brezi për çështjen kombëtare. Babai i Kapllanit dhe Jakupit, Dalip Deliallisi, kishte qenë komandanti i parë i xhandarmërisë shqiptare pas Pavarësisë, ndërsa Masari, vëllai i tyre, kishte shoqëruar Ismail Qemalin drejt Vlorës dhe më pas kishte shërbyer si komandant i xhandarmërisë.
Por për regjimin që po vinte, kontributi kombëtar, historia familjare dhe dinjiteti nuk përbënin mbrojtje. Mjaftonte të ishe kundërshtar politik, të mos pranoje nënshtrimin ose të konsideroheshe pengesë për pushtetin.
Tre Deliallisët u pushkatuan pa gjyq, në vazhdën e masakrës që komunistët po kryenin në Tiranë dhe rrethinat e saj. Bashkë me ta u ekzekutuan edhe shqiptarë të tjerë në Sharrë, mes tyre Isuf Allamani dhe pesë burra të tjerë.
Këto vrasje nuk ishin ngjarje të shkëputura. Më 12 nëntor 1944, komunistët ekzekutuan edhe 14 burra të tjerë të njohur të Tiranës.
Më 17 nëntor morën kontrollin e kryeqytetit. Më 29 nëntor, qeveria komuniste hyri në Tiranë.
Vrasjet pa gjyq nuk ishin fundi. Ishin paralajmërimi i asaj që do të pasonte për 46 vite, burgje, pushkatime, internime, konfiskime pronash dhe shkatërrim i mijëra familjeve shqiptare.
Historia nuk duhet përdorur për të barazuar mekanikisht dy periudha të ndryshme. Por ajo duhet kujtuar për të kuptuar se çfarë ndodh kur pushteti nuk njeh kufij dhe kur institucionet kthehen në instrumente të interesave te tyre.
Është e rëndë dhe e papranueshme që pasardhësit e atyre që bënë këto masakra, vazhdojnë në pushtet. Kanë kaluar 82 vjet, kanë ndryshuar brezat, por trashëgimia politike e atyre që instaluan diktaturën nuk mund të fshihet pas kalimit të kohës. Sot, kur shohim kapjen e institucioneve, korrupsionin, manipulimin e zgjedhjeve dhe dhunën ndaj protestuesve, ata nuk ndryshojnë kanë njëlloj si të parët e tyre.
Të rinjtë dhe studentët që dalin sot në rrugë për të kërkuar llogaridhënie, masakrohen nga policia e narkoshtetit ne mënyrë barbare.
Sepse një shoqëri që harron se si nisi terrori komunist rrezikon të mos kuptojë rëndësinë e mbrojtjes së lirive demokratike.
Më 1944, Deliallisët u pushkatuan në vazhdën e masakrës që shoqëroi pushtimin komunist të Tiranës. Sot, Shqipëria ka detyrimin të mos lejojë kurrë që pushteti të qëndrojë mbi qytetarin, ligjin dhe lirinë.
Nderim patriotit Ymer Deliallisit, firmëtarit të Pavarësisë!
Lavdi Martirëve Kapllan, Jakup dhe Shefqet Deliallisit!

About Krye Redaktor

Check Also

Media zvicerane: Më 28 Nëntor shqiptarët do protestojnë edhe në Gjenevë

Të shtunën, më 28 Nëntor, në orën 14:00, në ‘Place des Nations’ në Gjenevë, është …