Një tervesë bosh, një Shqipëri që zbrazet

Nga Bislim AHMETAJ
Nga mesi i shekullit të kaluar, një familje e madhe në Malësinë e Gjakovës vendosi të arratisej nga Shqipëria.
Arsyet ishin kryesisht ekonomike.
Nuk po ia dilnin të siguronin as bukën e gojës, lëre më të bënin prokopi.
Përditë e më keq.
Puno shumë dhe mos e ngop as barkun me bukë!
Përpara se «të hynte Partia» – kështu i referoheshin malësorët instalimit të komunizmit në vitin 1944 – familjet e mëdha jetonin mirë, madje shumë mirë.
Kishin organizim të fortë, krahë pune dhe mendje të zotë për gjithçka: nga prodhimi, deri te shitja apo shkëmbimi i produkteve.
Por, kur hyri Partia, fillimisht erdhi taksimi i jashtëzakonshëm, pastaj konfiskimet dhe më vonë politikat joproduktive, që mbollën skamje të madhe.
«Varfëria është nana e të gjitha të zezave», kanë thënë malësorët ndër shekuj.
Për ata që e njohin historinë, është e kuptueshme se sa vendim i vështirë është të shkulesh nga vendi yt.
Aq më tepër në kohën e komunizmit, kur pasojat mund të ishin dramatike.
Nëse të kapnin rrugës, plumbi, burgu dhe internimi i prisnin të gjithë: nga fëmija më i vogël deri te i zoti i shtëpisë.
Megjithatë, familja në fjalë ia doli të arratisej pa rënë në duart e kufitarëve, që e ruanin atdheun jo nga të huajt, por nga shqiptarët.
Simbolikisht, në odën e burrave kishin lënë të shtruar tërvesën dhe mbi të dy-tri copa bukë misri, si dhe nga një kokërr domateje turshi për secilin pjesëtar të familjes.
Diku rreth 24 domate turshi, që në Malësi i kanë quajtur patllixhanë të verdhë.
Mesazhi ishte i qartë: po ikim sepse nuk po e ngopim dot barkun me bukë!
Familja ia doli të largohej, të integrohej dhe të ndërtonte një jetë të jashtëzakonshme ekonomike e shoqërore, pikërisht në Bruksel, kryeqytetin e Europës.
Aty ku qeveritë tona, prej 36 vjetësh, na premtojnë se do të na çojnë si të barabartë mes të barabartësh.
Sot, duke kaluar para Kryeministrisë, më zuri syri këtë bllok tetëkëndësh prej betoni, mbi të cilin Kryeministri lë çdo ditë copa letrash, mbi të cilat shkruan “dialog”, dhe fill pas këtij veprimi urdhëron policinë që të godasë me çdo mjet dhe formë këdo që i afrohet perendorisë së tij.
Dhe, papritur, m’u kujtua tërvesa me “patllixhanët turshi” e familjes nga Malësia e Gjakovës.
Edhe kjo tryezë prej betoni ka mbetur bosh.
Mbi një milion shqiptarë, gjatë këtyre dhjetë viteve, i kanë dhënë lamtumirën vendit të tyre, të shtyrë nga varfëria, keqadministrimi, vjedhja dhe abuzimi me pasurinë kombëtare.
Dikur, një familje la mbi tërvesë 24 “patllixhanë turshi” për të shpjeguar pse po ikte.
Sot, një popull i tërë po e jep përgjigjen me këmbët e veta.
Historia përsëritet, por jo gjithmonë njëlloj.
Enver Hoxhës ia rrëzuan përmendoren prej bronzi. Edi Marrës mund t’i rrëzojnë edhe piedestalin e fundit, e ta lënë të përfundojë në rrjedhën e ndotur të Lanës, bashkë me gjithë mbeturinat e pushtetit të tij.
1- Foton ma dhuroj AI-ja me porosi.🙏
Mund të jetë një imazh i mollë dhe Stone Henge

About Redaksia

Check Also

Kur AMA kthehet në armë të banditit Kryeministër…

Nga Adriana KALAJA Kjo gjë ndodh kur, ashtu si çdo pushtet tjetër, edhe AMA kthehet …