Piktori do ta ndalojë me ligj atdhedashurinë, por do të legalizojë hajdutërinë dhe tradhëtinë!

Nga Kim MEHMETI

Thonë se nga i keqi del i miri, nga hajduti i ndershmi, nga i pafytyri i dinjitetshmi dhe nga frikacaku lind trimi.
Por gjithashtu thonë se nga ai me mendësi enveriste mund të lind vertëm një diktator dhe se nga një i tillë kurrë nuk mund të bësh burrështetas që e do vendin dhe popullin e vet.
Këtë, me shumëçka, e dëshmon Piktori me ‘Rilindjen’ e tij, por edhe të rinjtë e guximshëm që protestojnë në Tiranë, shumica e të cilëve janë fëmijët e ne prindërve frikacakë që, gjatë një jete, me duart tona, farkuam dy diktatorë: Enverin e parë dhe këtë të dytin – Piktorin.
Andaj, edhe mund të thuhet se sot në Tiranë përballen pushtetarët që ndërtojnë demokracinë me mendësi enveriste dhe fëmijët që u rritën në shoqërinë neokomuniste, por që e kuptuan se duhet t’i shërbesh shtetit e jo të pushtetit!
Në Tiranë, pra, jehon zëri i dinjitetit kombëtar, zëri i rinisë që e di se atdhedashuria nuk është e barabartë me besnikërinë ndaj partisë dhe përulësinë ndaj të pushtetshmit!
Kuptohet, shumëçka mund të thuhet për ne pakurrizorët që e rrëzuam Partinë e Punës, por jo edhe komunizmin, ashtu siç mund të thuhet shumëçka edhe për fëmijët tanë, të cilët i lamë në duart e atyre që nga Enveri i dallon vetëm fakti se prijësi komunist vriste njerëz, ndërsa këta diktatorët demokratikë e vranë Shqipërinë.
Por ajo që duhet nënvizuar është se rinia e sotme e ka kuptuar se ose do ta rrëzojë neokomunizmin, ose vetë do të përfundojë me valixhe në dorë apo e përkulur para Piktorit.
Njësoj siç e ka kuptuar se atë nuk mund ta mposht pashpirtësia e policëve që e gjuajnë me plumba gome dhe gaz lotsjellës, por vetëm heshtja e atyre që duhet të flasin dhe britmat e atyre që duhet të kenë turp ta çelin gojën!
Ndërkohë, mbase edhe Piktori e ka kuptuar se, për ta shpëtuar vetveten, nuk i mjafton mbrojtja policore, por do t’i duhet që me ligj ta ndalojë atdhedashurinë e ta lejojë hajdutërinë dhe tradhtinë.
Pra, atij i ka mbetur vetëm që t’i dëbojë nga vendi apo t’i burgosë të gjithë ata që e duan Shqipërinë më shumë se atë dhe ‘Rilindjen’ e tij.
Por, sidoqoftë dhe sado që ‘Aleanca e Qelbësirave’ të mundohet për ta shpëtuar Piktorin, ai do të përfundojë atje ku edhe vëllai i tij i Beogradit, bashkë me kriminelët e vet që dhunuan studentët – pas grilave. (Kim Mehmeti)

About Redaksia

Check Also

Kur AMA kthehet në armë të banditit Kryeministër…

Nga Adriana KALAJA Kjo gjë ndodh kur, ashtu si çdo pushtet tjetër, edhe AMA kthehet …