Spahia: Nuk ka shërbim prove për ata që vjedhin të ardhmen tonë, Benet Beci duhet të largohet!

Deputeti PD, Bardh Spahia, ka reaguar ashpër ndaj çështjes së Benet Becit, duke kërkuar largimin e tij nga drejtimi i Bashkisë Shkodër, ndëshkimin ligjor dhe sekuestrimin e pasurive të paligjshme.

Spahia dënon përpjekjet për të relativizuar korrupsionin me argumentin se ‘të gjithë vjedhin’, duke theksuar se përgjegjësia ka emra dhe fakte konkrete.

‘Nuk ka shërbim prove për ata që vjedhin të ardhmen tonë’, shprehet Spahia, duke kërkuar drejtësi, ndëshkim dhe largimin e abuzuesve nga çdo zyrë e shtetit.

Reagimi i deputetit Bardh Spahia

Sot qytetarët meritojnë vetëm një provë: dënimin dhe sekuestrimin e pasurive të paligjshme të atyre që i vjedhin!

Kryefjalë e ditës së sotme do të duhej të ishte largimi i Benet Becit nga drejtimi i Bashkisë Shkodër, duke marrë përgjegjësinë ligjore, politike dhe morale.

​Por pushteti i sotëm e ka fshirë tërësisht konceptin e moralit, kushtin e parë dhe të panegociueshëm për t’i shërbyer publikut me duar të pastra.

Për të mbuluar llumin e tyre, na servirin përditë një hile të pisët: barazpeshimin e zyrtarëve me idenë se gjoja ‘të gjithë vjedhin’. Kjo nuk është e vërtetë! Kjo është thjesht një alibi e ndyrë e shpikur nga vetë hajdutët e zyrave të shtetit për të justifikuar vjedhjet e tyre dhe për të mpirë reagimin qytetar.

​Hajdutët e fondeve publike kanë emër, kanë fytyrë dhe kanë dosje të faktuara e zeza mbi të bardhë ku janë kapur duke vjedhur.

Përballë këtyre fakteve, asnjë Gjykatë nuk ua shpërlan dot fytyrën e nxirë!

Të kesh një kërkesë për 2 vite burg nga prokuroria për vjedhje tenderash, dhe sistemi të bëjë manovra duke e konvertuar dënimin në ‘shërbim prove’ vetëm për të të mbajtur në karrige, është vrasja e dytë e drejtësisë!

​Nuk ka ‘shërbim prove’ për ata që vjedhin të ardhmen tonë!

Ka vetëm një PROVË që do t’u shërbente vërtet qytetarëve dhe jo pushtetarëve: ajo është prova e fajësisë përpara fakteve, ndëshkimi i merituar dhe sekuestrimi i plotë i pasurisë së vjedhur! Kjo është e vetmja ‘provë’ në të mirë të shqiptarëve dhe garancia e vetme që drejtësia po funksionon.

​E vetmja zgjidhje shpëtimi është çrrënjosja e këtyre hajdutëve një herë e përgjithmonë nga çdo zyrë e shtetit.

Shkodra dhe e gjithë Shqipëria meritojnë ndershmëri, dinjitet dhe qeverisje të pastër, jo individë që e drejtojnë qytetin me damkën e vjedhjes mbi supe!

About Redaksia

Check Also

Alimehmeti: Reforma Territoriale abuzim i PS! Nxit shpopullimin!

Anëtari i Kryesisë së PD, Ilir Alimehmeti ka kritikuar reformën territoriale, duke e cilësuar atë …