Buxheti 2027: nxitës i varfërisë, rrënues i biznesit dhe mohues i ndihmës reale sociale!

Nga Bujar Leskaj

(Pjesa e katërt dhe e fundit)

Ky shkrim është analiza përmbyllëse e tre shkrimeve “Rama-fisko 2027: si i masakron qytetarët dhe biznesin me taksa!”, “Projektbuxhet që nuk garanton rritjen ekonomike” dhe “Do të vazhdojmë të financojmë projekte me vonesa, kosto shtesë dhe afate të paqarta?”
Projektbuxheti i shtetit për vitin 2027 dhe paketa fiskale që e shoqëron atë, përtej butaforisë së sektit Rama për një buxhet historik mbi 10 miliardë euro, paraqesin problematika serioze ekonomike dhe sociale, që rrezikojnë të zhysin një pjesë të konsiderueshme të familjeve shqiptare në varfëri dhe 17.500 biznese të vogla drejt rrënimit dhe falimentimit.
Në vend që politika buxhetore dhe ajo fiskale të orientohen drejt stimulimit të investimeve produktive, rritjes së konkurrueshmërisë, zgjerimit të punësimit dhe mbrojtjes së fuqisë blerëse të qytetarëve, sidomos të pensionistëve dhe dhjetra mijëra familjeve në rrezik për të rënë në varfëri, shumica dërmuese e masave të propozuara rrezikon të prodhojë efektin e kundërt.
I. Paketë fiskale mashtruese për qytetarin dhe rrënuese për biznesin
Ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për ushqimet e përditshme krijon vetëm dhe thjesht një iluzion për uljen e çmimeve me pakicë. Nëse kjo ulje e TVSH-së nuk shoqërohet me transparencë të çmimeve, monitorim të zinxhirit të furnizimit dhe konkurrencë efektive në treg, pjesa dërrmuese e përfitimit nuk do të mbërrijë tek konsumatori. Diferenca do të absorbohet nga prodhuesit, importuesit, distributorët dhe tregtarët me pakicë, në varësi të strukturës së tregut dhe marzheve të fitimit.
Efekti i kësaj mase zerohet tërësisht nga rritja e përgjithshme e TVSH-së për mallrat dhe shërbimet e tjera nga 20 në 21 përqind, si dhe nga kostot shtesë që do të përballojnë bizneset.
Ndërhyrjet e shpeshta në legjislacionin fiskal kanë minuar sigurinë juridike të tij. Vetëm ligji për Tatimin mbi të Ardhurat është ndryshuar 48 herë!
Një nga masat më problematike të paketës fiskale është rritja e normës së përgjithshme të TVSH-së nga 20% në 21%. Shtimi i TVSH-së do të sjellë rritje të çmimeve për të gjitha mallrat që nuk janë ushqime dhe për shërbimet, ulje të fuqisë blerëse të familjeve, shtim të kostove të konsumit për bizneset që nuk kanë mundësi të kreditojnë plotësisht TVSH-në, rritje të presionit mbi bizneset e vogla dhe të mesme, nxitje të fuqishme të informalitetit dhe të transaksioneve jashtë sistemit fiskal, si dhe dobësim të konkurrueshmërisë së produkteve dhe shërbimeve vendase.
Një tjetër masë me pasoja fatale për biznesin e vogë është ulja e kufirit minimal të xhiros vjetore për përfshirjen në regjimin e TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë. Për një biznes me xhiro 5–10 milionë lekë në vit, kostot e administrimit të TVSH-së përbëjnë një barrë të konsiderueshme. 17 mijë e pesëqind biznese të vogla të kësaj fashe do të jenë të detyruara të rrisin çmimet për të kompensuar kostot, të kufizojnë aktivitetin, të kalojnë në informalitet ose, në rastet më të vështira, të mbyllin veprimtarinë dhe të falimentojnë!
Paketa fiskale rrit koston e kapitalit përmes rritjes së dividendit dhe nuk adreson koston e punës. Ajo nuk ndihmon sektorin prodhues, përkundrazi, ia vështirëson në maksimum jetën atij. Me dhjetëra mijëra punonjës të sektorit fason rrezikojnë të humbasin vendin e punës nga kjo politikë fiskale e papërgjegjshme!
II. Buxheti 2027: me shëndetësi, arsim dhe bujqësi keqazi të nënfinancuara
A) Një nga problematikat më të ndjeshme të projektbuxhetit 2027 është financimi i pamjaftueshëm i shëndetësisë edhe në vitin e 14-të të qeverisjes socialiste. Ky financim parashikohet të jetë vetëm rreth 2.9% e PBB-së, praktikisht një tallje financiare, përballë premtimin politik të Rilindjes 13 vite më parë, për ta çuar financimin e shëndetësisë në 5% të PBB-së!
Ndërkohë që ekonomia dhe të ardhurat buxhetore janë rritur, shëndetësia publike vazhdon të përballet me probleme të thella strukturore, si largimi i vazhdueshëm i mjekëve dhe infermierëve drejt vendeve të BE-së, mungesa e barnave dhe medikamenteve të domosdoshme në spitalet publike, përfshirë problematikat e denoncuara në shërbimin onkologjik, me ndryshimet e shpeshta të listës së barnave të rimbursueshme dhe pasojat financiare për pacientët, me mungesa e investimeve të domosdoshme në qendrat shëndetësore dhe infrastrukturën spitalore, me kostot e larta që familjet detyrohen të përballojnë për shërbime dhe trajtime shëndetësore, si dhe me shqetësimet e përsëritura dhe të denoncuara nga PD, për mungesën totale të transparencës dhe mënyrën e zhvillimit të tenderave publikë në shëndetësi.
Një buxhet që nuk adreson mungesën e personelit mjekësor, furnizimin e qëndrueshëm me barna dhe investimet në kujdesin parësor nuk mund të konsiderohet një buxhet që vendos shëndetin e qytetarit në vëmendjen e tij!
B) Një tjetër sektor jetik që mbetet i nënfinancuar është arsimi. Për vitin 2027, financimi i dedikuar për arsimin parashikohet të jetë rreth 2.5% e PBB-së, shumë larg objektivit prej 5% të PBB-së të premtimit të sektit Rama në vitin 2013.
Kjo është një zgjedhje me pasoja jo vetëm për sistemin arsimor të sotëm, por edhe për potencialin ekonomik të vendit në dekadat e ardhshme. Shqipëria po përballet me largimin e të rinjve, mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe vështirësitë për të përmbushur kërkesat e një ekonomie që duhet të orientohet drejt teknologjisë, inovacionit dhe produktivitetit më të lartë.
C) Një tjetër problematikë e mprehtë është financimi i pamjaftueshëm i bujqësisë. Për vitin 2027, subvencionet për fermerët parashikohen në vetëm 5.3 miliardë lekë, një nivel vetëm 12 milionë euro më i lartë se viti 2026, në një kohë kur fermeri ka nevojë jetike për më shumë mbështetje financiare, për investime në mekanizim, sisteme ujitjeje, teknologji, magazinim, përpunim dhe standardizim të prodhimit.
Shqipëria vazhdon të renditet e fundit në rajon për nivelin e subvencioneve në bujqësi, në një kohë kur prodhimi bujqësor gjatë viteve të fundit vijon të tkurret. Në kushtet kur siguria ushqimore ka marrë rëndësi strategjike në Evropën e Bashkuar, është paradoksale dhe skandal që bujqësia shqiptare të mos trajtohet si një sektor prioritar i zhvillimit ekonomik nga Buxheti i Shtetit! Nuk mund të kërkojmë më shumë prodhim vendas, më shumë eksporte bujqësore dhe më pak importe, nëse fermerit nuk i sigurojmë mbështetjen e nevojshme financiare.
III. Buxheti 2027: pa mbrojtje sociale efektive
Edhe pse sekti Rama e propogandon buxhetin 2027 si më socialin, e vërteta është që për 14 buxhete shtetërore rrjesht nën Rilindjen, Shqipëria vazhdon të mos ketë një minimum jetik të përcaktuar me standard ligjor dhe metodologji zyrtare!
Kemi një sistem ndihme ekonomike që shpërndan mbështetje të kufizuar financiare, por nuk kemi një standard kombëtar që të përcaktojë se cilat janë të ardhurat minimale të nevojshme për një jetë dinjitoze. Qeveria shpërndan ndihmë ekonomike pa pasur një standard të matshëm të mjaftueshmërisë së saj.
Sipas INSTAT, në vitin 2025, 19% e popullsisë ishte në rrezik varfërie, ndërsa 31,2% e popullsisë përjetonte privim të thelluar material dhe social. Këto shifra tregojnë se sfida sociale në Shqipëri mbetet shumë më e gjerë sesa numri i familjeve që marrin ndihmë ekonomike.
Në vitin 2027 planifikohet që numri i familjeve përfituese të ndihmës ekonomike të reduktohet nga 61 mijë në 59 mijë familje. Pra, 2 mijë familje më pak në skemë. Sekti Rama nuk është në gjendje t’i përgjigjet pyetjes: Sa familje që jetojnë në varfëri mbeten jashtë skemës së ndihmës ekonomike? Suksesi i mbrojtjes sociale nuk matet me numrin e familjeve që largohen nga skema, por me numrin e familjeve që dalin realisht nga varfëria.
Mbrojtja sociale nuk mund të kufizohet vetëm te transfertat monetare. Ajo duhet të krijojë mekanizma që i nxjerrin familjet nga varësia afatgjatë prej ndihmës ekonomike. Në këtë drejtim, Ministria e Ekonomisë duhet të raportojë jo vetëm sa persona janë regjistruar në programe punësimi dhe formimi profesional, por sa prej tyre kanë siguruar punësim të qëndrueshëm, sa kanë ruajtur vendin e punës pas përfundimit të subvencionit dhe sa familje kanë dalë realisht nga skema, si rezultat i rritjes së të ardhurave.
Buxheti 2027 është i katërmbëdhjeti rradhazi që vijon talljen me rehabilitimin dhe dëmshpërblimin real të ish-të përndjekurve politikë. Për vitin 2027 parashikohet një fond prej vetëm 2,05 miliardë lekësh, ndjeshëm më i ulët se niveli prej rreth 3 miliardë lekësh që shpërndahej gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike përpara vitit 2013!!
Me ritmin aktual të pagesave, do të duhen ende rreth dy dekada për të përfunduar procesin e dëmshpërblimit! Kjo nuk është thjesht një çështje financiare. Është një detyrim moral, historik dhe institucional.
xxx
Buxheti dhe paketa fiskale 2027 janë të gënjeshtërt dhe mashtrues për qytetarin shqiptar. Ato rreken të krijojnë iluzionin se gjoja po ndihmojnë fuqinë blerëse të qytetarëve përmes uljes së TVSH-së për ushqimet, por në fakt e zerojnë efektin me rritjen e TVSH-së për të gjitha mallrat e tjera dhe shërbimet dhe e rëndojnë pozicionin e biznesit me rritje taksash dhe ulje të pragut për TVSH-në.
Politika sociale e buxhetit të Shtetit 2027 është pa kokë, pasi nuk njeh miratimin e Minimumit Jetik Zyrtar dhe shpërndan ndihmë ekonomike, duke kufizuar numrin e familjeve përfituese, në një kohë që, sipas INSTAT, rreziku i rritjes së varfërisë tek ne është real dhe i madh.

About Redaksia

Check Also

Në Asamblenë e Partisë së Krimit, fytyrat e tyre ishin secila më armiqësore se tjetra ndaj Padrinos

Kryetari i PD, Sali Berisha, duke komentuar mbledhjen e rilindjes, tha se, në Asamblenë e …