Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka kritikuar në seancën plenare mënyrën se si është përfshirë në rendin e ditës projektligji për strehimin social, duke akuzuar mazhorancën për shkelje të rregullores dhe mungesë konsultimi.
Tabaku deklaroi se opozitës nuk i është dhënë mundësia për të zhvilluar komisionet dhe për të shqyrtuar në kohë nismat ligjore. Sipas saj, projektligji për strehimin nuk ishte parashikuar as në kalendarin dhe as në planin e punës, por është përfshirë në seancën e sotme pa konsultime paraprake.
Duke u ndalur te përmbajtja e projektligjit, deputetja demokrate tha se ai parashikon kalimin e kompetencave për strehimin te Agjencia e Zhvillimit të Territorit, si dhe përdorimin e banesave të strehimit social për procesin e Rindërtimit. Tabaku ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si janë shpenzuar fondet e programit të Rindërtimit, duke kujtuar se kanë kaluar shtatë vite dhe procesi ende nuk ka përfunduar në disa zona të prekura nga tërmeti.
“Ku shkuan 1.2 miliardë euro? Kanë kaluar shtatë vite dhe Rindërtimi nuk ka përfunduar. Kontratat janë në shkelje të ligjit. Sa herë ka tërmete dhe fatkeqësi, ndodh kjo. Përfshihen në buxhet për tendera”, deklaroi Tabaku.
Gazeta RD