Sipas tij në këtë buxhet i cili nuk është realist dhe i mirëmenduar ka ‘rritje e shpenzimeve administrative dhe shpërndarje e pabarabartë e investimeve’.
‘Buxheti i Bashkisë Vlorë është miratuar përpara miratimit të buxhetit të shtetit, duke ngritur pikëpyetje mbi planifikimin financiar’.
‘Si mund të hartohet një buxhet i saktë vendor pa pasur më parë një panoramë të qartë mbi fondet që do të përfitojë bashkia nga buxheti i shtetit, përfshirë grantet e kushtëzuara dhe ato të pakushtëzuara?’
Një tjetër problem shqetësues është shpërndarja e investimeve në territor, thotë Hoxha.
Buxheti nuk reflekton një shpërndarje të drejtë demografike dhe ekonomike, duke lënë njësi të tëra administrative jashtë vëmendjes dhe pa investime konkrete.
Rasti i Orikumit është domethënës: kjo njësi gjeneron deri në 30 për qind të të ardhurave të buxhetit të bashkisë, por kontributi i saj nuk duket se përkthehet në investime proporcionale në territor.
Shqetësim të veçantë paraqet edhe rritja e shpenzimeve për administratën. Sipas të dhënave të paraqitura, Bashkia Vlorë ka rreth 1 700 punonjës, ndërsa fondi i pagave arrin afërsisht në 27 milionë euro, ose rreth 50 për qind të buxhetit faktik të miratuar.
Ndërkohë sipas Hoxhës, krahasimi i administratave ngre pikëpyetje të tjera.
Administrata e drejtuar nga Dredha kishte 1 377 punonjës, ndërsa gjatë vetëm një viti të administratës Mersini numri i punonjësve është rritur me rreth 320 persona. Një rritje e tillë kërkon transparencë dhe një shpjegim publik mbi nevojën dhe efektivitetin e zgjerimit të administratës.
Edhe shpenzimet e ndërmarrjeve publike kanë pësuar rritje të konsiderueshme shprehet kreu lokal i PD.
Ndërmarrja e Pastrimit dhe Gjelbërimit, e cila në vitin 2025 kishte një buxhet prej rreth 5 milionë eurosh, parashikohet të arrijë në 11 milionë euro në vitin 2027.
Po kështu, Ndërmarrja e Shërbimeve Publike, nga 2.7 milionë euro shpenzime në vitin 2025, parashikohet të ketë një buxhet prej 7.6 milionë eurosh në vitin 2027.
Përballë këtyre rritjeve, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë transparencë: Ku shkojnë këto para? Çfarë shërbimesh shtesë do të marrin qytetarët? Dhe a justifikohet rritja e buxheteve me përmirësimin konkret të shërbimeve publike?
Një tjetër çështje që kërkon vëmendje është kostoja e investimeve në infrastrukturën arsimore.
Ndërtimi apo rikonstruksioni i shkollave me vlera që variojnë nga 4 deri në 6 milionë euro për projekt ngre pikëpyetje mbi preventivat, kostot për metër katror dhe mënyrën e përdorimit të fondeve publike.
Në përfundim ai tha për Syri tv se, çështja nuk është thjesht sa para shpenzon Bashkia Vlorë, por si i shpenzon ato.
Qytetarët kanë nevojë për investime të shpërndara në mënyrë të drejtë, shërbime publike cilësore dhe një administratë të përmasave të arsyeshme.
Çdo rritje e shpenzimeve duhet të shoqërohet me rezultate të matshme dhe transparencë të plotë.
Paratë publike duhet të kthehen në shërbime dhe investime për qytetarët, në çdo njësi administrative të Bashkisë Vlorë.
Gazeta RD