Myk në krevatet e kopshteve në Sarandë/ Zhupa: Ku shkojnë miliona lekët e rikonstruksioneve?

Deputetja e PD, Ina Zhupa, ka denoncuar kushtet në kopshtet publike të Sarandës, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si Bashkia administron fondet e destinuara për rikonstruksionin e tyre.

Përmes një reagimi në rrjete sociale, Zhupa ka publikuar pamjet ku shfaqen krevate me myk dhe kushte të papërshtatshme për fëmijët, ndërsa thekson se kjo situatë nuk është një rast i izoluar.

Deputetja ngre shqetësime për fondet e shpenzuara nga Bashkia Sarandë. Sipas saj, vetëm për rikonstruksionin e kopshteve nr. 2 dhe 3 gjatë vitit 2026, fondi limit ishte 51 milionë lekë, ndërsa oferta fituese arriti në rreth 49.5 milionë lekë. Ndërkohë, për rikonstruksionin e kopshteve dhe shkollave në Metoq, Shelegar dhe Bërdenesh, fondi limit ishte 26.1 milionë lekë.

“Ku shkojnë gjithë këto para? Kush kontrollon cilësinë e punimeve dhe materialeve? A ka Bashkia Sarandë një kontroll real mbi sigurinë dhe higjienën në kopshtet publike? Kërkoj transparencë të plotë për fondet e shpenzuara, verifikim të menjëhershëm të kushteve në kopshte dhe përgjegjësi për çdo abuzim apo neglizhencë. Fëmijët e Sarandës meritojnë krevate të pastër, ambiente të sigurta, hapësirë për t’u zhvilluar dhe edukim dinjitoz. Jo myk, mbipopullim dhe miliona lekë pa llogaridhënie!”,- shprehet Zhupa ndër të tjera.

About Redaksia

Check Also

Vangjeli: Edi Rama, ku kanë shkuar 1.16 miliardë eurot e rindërtimit? KLSH ka zbuluar se fonde të pashfrytëzuara ekzistojnë

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli: Gjatë seancës plenare të kësaj jave, …