Nga Iva V.GRILLO

Në studiot mediatike shqiptare vazhdon të kërkohet, dizenjohet e projektohet në mënyrë të përnatshme e me ngulm, identikiti i “protestës perfekte”, një force politike edhe më “perfekte” dhe skenarëve utopike po aq “perfektë”…për rrëzimin e një regjimi.
Që në thelb, ideja e modelimit të një proteste apo revolte popullore sipas shijeve, bindjeve apo ëndrrave të dikujt është një kontradiktë në vetvete.
Protestat qytetare quhen të tilla pikërisht se ato reflektojnë pakënaqësinë, zemërimin e rebelimin e shtresave të ndryshme të popullsisë që mund të mos mendojnë njëlloj për çdo gjë, por që i bashkon një hall i përbashkët: në rastin aktual, largimi i një qeverisjeje super të korruptuar dhe krijimi i hapësirave ligjore, politike e administrative për zgjedhje të ndershme e të lira.
Protestat reflektojnë dhe gjendjen e shoqërisë, me problematikat, nivelin e maturisë dhe emancipimin e saj.
Ndaj tentativat për të “higjenizuar” protestën duke e kanalizuar energjinë e saj në ulluqe axhendash të vogla politike, ideologjike apo sofizma banaqesh televizive janë në rastin më të mirë një përpjekje e dështuar…
Protestat qytetare nuk janë e nuk duhet të trajtohen si produkte laboratori: hiq këtu e shto atje…përndryshe ato përfundojnë pa objektiv dhe në mesazhe kaotike.
Vendi ka nevojë urgjente për një front solid kundër narkoqeverisë Rama.
E kjo nuk realizohet me çoroditje në mesazhe, luftë bërrylash apo sofizma darke nga studiot mediatike ku 80% e kohës përdoret për kritikën ndaj opozitës.
Ka një kohë për çdo gjë…
Tani është momenti për qëndresën perfekte, që do të thotë: bashkim në rezistencë përballë narko-regjimit dhe kërkesa për qeveri teknike.
Përsa i përket “protestës perfekte”: ajo ndodh tek kutia e votimit dhe jo në “laboratore” mediatike.
Tek kutia e votimit e merr përgjigjen mirë a keq secila forcë politike… në bazë të performancës së vet.
Por deri aty kemi rrugë për të bërë…
E që kjo rrugë të jetë sa më e shkurtër, mirë do ishte që publikut të mos t’i ofroheshin çdo ditë delire e utopira…
#FrontIPërbashkët
#QeveriTeknike

Gazeta RD