Nga Elona CASLLI
Unë bëj pjesë tek ajo kategori njerëzish që kultivoj një skepticizëm të caktuar lidhur me shpresën se anëtarët e dëbuar nga sekti rilindas mund të flasin me fakte dhe mund të kthehen në të penduar. Ky skepticizëm rritet edhe më shumë duke u nisur nga fakti që të dëbuarit jetojnë në Shqipëri. Vendndodhja e tyre shton ndjeshëm mundësinë e kërcënimit të gjithanshëm.
Anëtarët e dikurshëm të sektit janë të gjithë me dosje, pasi në rast të kundërt nuk do të ishin anëtarë sekti, por qytetarë të lirë.
Rama i ka lënë të gjithë të vjedhin, prandaj askush nuk mund të flasë.
Në çastin, që dikush flet, Rama i sul drejtësinë. Nëse nuk frikësohet nga drejtësia, i sul bandat.
I vetmi rast, që dikush mund të flasë,është nëse jeton jashtë Shqipërisë nën mbrojtjen e veçantë të një shteti të huaj. Rasti tipik është rasti i Ahmetajt, i cili nuk mund të thotë gjithçka di, por vetëm një pjesë të saj, sepse pasojat e fjalës së tij, mund të bien te familjarët që Ahmetaj ka lënë në Shqipëri.
Thënë shkurt dhe pa qëndisma sytë e shoqërisë shqiptare duhet të qëndrojnë te Drejtësia.
Në SPAK ekzistojnë të gjitha dosjet, por SPAK-u është mekanizëm në duart e sektit që rri pasiv për Belinda Ballukun, por aktivizohet menjëherë një ditë pas daljes në Top Channel të Elisa Spiropalit.
SPAK-u dhe heronjtë e fëmijëve tanë nuk përdoren për të bërë drejtësi, por për të ekzekutuar kundërshtarët politikë.
Askush nga të dënuarit e SPAK-ut nuk ka folur sepse Rama u ka të gjithëve dosjet dhe nëse ti nuk flet, SPAK-u gjykon veç sipërfaqen e dosjes. Nëse ti guxon të flasësh, atëherë SPAK-u i shkon dosjes deri në fund dhe ti nuk e sheh më dritën e diellit.
Ky është fakti tragjik i realitetit shqiptar mbi të cilin hedhin valle dhe heshtin të gjithë ndërkombëtarët të cilët janë spektatorë të heshtur të vendosjes së diktaturës moderne në Shqipëri.
Anglishtfolësit e kanë braktisur shikimin dhe nuk shohin.
E kanë braktisur fjalën dhe heshtin.
E kanë braktisur qëndrimin dhe kanë përqafuar asnjëanësinë.
Shqiptarët janë më të braktisur se kurrë me fatin e tyre në duar. Janë përballë një NarkoDiktatori që kontrollon gjithçka: Drejtësi, Polici, SPAK, Banda, Ambasadorë, dhe Faktor Ndërkombëtarin.
Kam besuar gjithnjë në thënien e Senekës se ligësia është dobësi. Nuk kam njohur kurrë një njeri të fortë që të jetë i lig. E citoj Senekën sepse besoj fort se sado i pamposhtshëm të duket në fasadë një narkodiktator, aq i dobët është në brendinë e tij dhe ka vetëm një veprim që mund të nxjerrë në pah dobësinë e një narkodiktatori: Bashkimi i të gjithë shqiptarëve në shesh për të dhënë një mesazh të qartë mospajtimi karshi narkodiktatorit dhe një qortim të fortë për të gjithë spektatorët e heshtur që flasin anglisht.
Bashkimi i shqiptarëve duhet të jetë pasqyra ku faktori ndërkombëtar sheh shëmtinë e heshtjes së tij.
Post Scriptum- Të gjithë në shesh me datë 28 nëntor. Të heshtur si në një mort sepse mort është vdekja e një kombi para syve tanë.

Gazeta RD