Familjet në Tiranë do të përballen me fatura edhe më të larta të ujit të pijshëm. Enti Rregullator i Ujit ka miratuar mekanizmin e fashave të mbikonsumit, duke u dhënë mundësinë shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve të aplikojnë tarifa shumë më të larta për sasinë e ujit që tejkalon kufijtë e përcaktuar. Në një kohë kur qytetarët përballen me rritjen e vazhdueshme të kostos së jetesës, edhe konsumi i ujit, një nevojë bazike për çdo familje, rrezikon të kthehet në një tjetër barrë financiare.
Sipas vendimit nr.36, datë 9 nëntor 2026, të ERRU-së, për familjet është përcaktuar kufiri prej 18 metër kub ujë në muaj, i cili do të faturohet me tarifën bazë të miratuar. Por për çdo sasi mbi këtë prag parashikohen koeficientë shtesë, që mund ta rrisin ndjeshëm çmimin për metër kub.
Mekanizmi parashikon dy fasha mbikonsumi. Për sasinë nga 18 deri në 30 metër kub, tarifa mund të shumëzohet me një koeficient nga 1 deri në 3, ndërsa për konsumin mbi 30 metër kub koeficienti mund të arrijë deri në 4. Pra, familjet që konsumojnë më shumë ujë do të përballen me një faturim dukshëm më të rëndë për sasinë që tejkalon pragjet.
Për shembull, një familje që konsumon 35 metër kub ujë në muaj do të paguajë 18 metër kub me tarifën bazë, 12 metër kub sipas fashës së dytë dhe 5 metër kub sipas fashës së tretë. Kjo do të thotë se një pjesë e konsumit do të faturohet me koeficientë shumë më të lartë se tarifa normale.
Skema nuk prek vetëm familjet. Për institucionet publike dhe bizneset, kufiri bazë do të përcaktohet mbi bazën e mesatares mujore të konsumit gjatë vitit të fundit. Çdo sasi mbi këtë mesatare do të përfshihet në fashat e mbikonsumit, ndërsa për konsumin mbi trefishin e mesatares do të aplikohet fasha e tretë.
Megjithatë, koeficientët nuk do të zbatohen automatikisht në të gjithë vendin. Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve duhet të paraqesin kërkesë pranë ERRU-së, duke argumentuar propozimet me të dhëna për konsumin, kapacitetet e furnizimit dhe destinacionin e të ardhurave shtesë. Çdo rast kërkon miratim të veçantë nga Enti Rregullator.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe Durrësit, Vlorës dhe Sarandës, ku më herët ishte propozuar një mekanizëm sezonal për menaxhimin e kërkesës gjatë muajve të verës. Për këto qytete, koeficientët dhe periudha e zbatimit do të përcaktohen përmes vendimeve të veçanta.
Në thelb, vendimi krijon mundësinë që konsumi mbi kufijtë e përcaktuar të kushtojë disa herë më shumë. Por mbetet për t’u parë se cilat shoqëri ujësjellës-kanalizime do të aplikojnë për këtë mekanizëm dhe sa do të rëndojë ai në faturat mujore të qytetarëve.
Uji është një nevojë jetike dhe jo një shërbim luksi. Përpara se qytetarëve t’u kërkohet të paguajnë më shumë për çdo metër kub shtesë, mbetet pyetja se çfarë garancish do të kenë ata për furnizim të rregullt, cilësi të ujit dhe shërbim dinjitoz.
Gazeta RD