Leonard SEFERI
Prej kohësh, vakumi politik është kthyer në një makth për qytetarët e Tiranës.
Një kryebashkiak i arrestuar nga SPAK nën dyshimet për korrupsion. Një Gjykatë Kushtetuese që e rikthen në detyrë. Protesta masive, paqësore dhe të dhunshme. Trafik gjithnjë e më i rënduar në Tiranë. Një ish-drejtoreshë e SHISH-it nën masën e arrestit në shtëpi. Dhe shumë zhvillime të tjera që qytetarët i njohin fare mirë.
Aristoteli e shihte pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje si një nga themelet e demokracisë. Platoni, përmes alegorisë së anijes, na sillte një tjetër këndvështrim: drejtimi i një anijeje nuk është çështje popullariteti, por dijeje, aftësie dhe përgjegjësie. Nuk mjafton të zgjedhësh kapitenin; duhet të dish nëse ai di ta çojë anijen në destinacion.
Pra, në demokraci, vota jep legjitimitetin, ndërsa aftësia për të drejtuar përcakton cilësinë e drejtimit.
Lajmi i keq është se Tirana, madje e gjithë Shqipëria, po përballet me një krizë të thellë besimi, drejtimi dhe perspektive. Lajmi i mirë është se kemi ende njerëz si dr. Ilir Alimehmeti, që mund të përfaqësojnë një alternativë për rikthimin e dinjitetit në Tiranë dhe të shpresës në Shqipëri.
Në këtë këndvështrim, emri i dr. Alimehmetit përfaqëson ndërthurjen e dy dimensioneve: mbështetjen qytetare dhe profilin e një drejtuesi që duhet të tregojë aftësitë e tij.
Opozita ka nevojë për figura që nuk mbështeten vetëm te historia e partive, por që arrijnë të krijojnë besim të ri te qytetarët.
Zhvillimet politike në Turqi, Hungari dhe Serbi kanë treguar se qytetarët mund të bëhen një faktor vendimtar në ndryshimin e ekuilibrave politikë.
Pra, Shqipërisë nuk i duhet thjesht një emër për të fituar zgjedhjet. I duhet një drejtim për të fituar të ardhmen.
Gazeta RD