Këlliçi: Marta Kos, mirëse erdhët në Tiranë, në zemrën e narkoshtetit të parë dhe të vetëm të Europës

Në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian, ku merr pjesë edhe Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deputeti i PD, Belind Këlliçi, ka akuzuar qeverinë Rama se e ka kthyer Shqipërinë në një narkoshtet.

Këlliçi renditi një sërë raportesh ndërkombëtare dhe deklaratash të zyrtarëve europianë e amerikanë për lidhjet e krimit të organizuar me politikën, pastrimin e parave, korrupsionin dhe problematikat në zgjedhje.

Ai theksoi se Shqipëria po përjeton kapjen e shtetit, ndërsa protestat e opozitës dhe qytetarëve vijojnë prej 180 ditësh kundër qeverisë.

Duke kundërshtuar deklaratat e Komisioneres se korrupsioni lidhet edhe me mentalitetin e shoqërisë shqiptare, Këlliçi u shpreh se qytetarët e refuzojnë korrupsionin Rama-Balluku dhe kërkojnë integrimin europian si një demokraci funksionale, jo si një fasadë europiane mbi një shtet të kontrolluar nga një parti.

Deklarata e plotë

Zonja Komisionere,

Mirë se erdhët në Tiranë, në zemrën e Narkoshtetit të parë dhe të vetëm të Europës.

Fakt të cilin sot e përmendin të gjitha mediat më të mëdha botërore.

Fakt që e pohon kryeprokurori i antimafias italiane, Nikola Gratteri, kur thotë se Shqipëria narkoshtet nuk është fare ekzagjerim.

Fakt që e thotë Departamenti Amerikan i Shtetit, që e ka shpallur luftën kundër karteleve shqiptare të drogës prioritet absolut dypalësh.

E thotë eurodeputeti Michal Gahler, kur pa kullat boshe në Tiranë.

E thotë edhe SPAK-u, që pranon se krimi i organizuar ka akses të plotë në portet dhe doganat tona dhe që qeveritarët shqiptarë të të gjitha niveleve kanë lidhje të drejtpërdrejta me eksponentët e karteleve të drogës deri në Amerikën Latine.

E thotë edhe Moneyval-i, që e rendit Shqipërinë në vendet ku bëhet pastrim masiv i parave të pista.

E thotë edhe OKB-ja, që na rendit mes vendeve kryesore të tranzitit të heroinës dhe kokainës në Europë.

E thotë edhe raporti juaj se janë konfiskuar vetëm 1.8 milionë euro nga asetet e krimit dhe vetëm 100 mijë euro nga korrupsioni i nivelit të lartë.

E thotë edhe ODIHR-i, që shkruan se grupet kriminale kërcënuan zgjedhësit.

E tregon qartazi zhvlerësimi dramatik i euros me 35%, 7% vetëm brenda këtij viti, rekord ky botëror.

E dëshmon Eurostat-i, sipas të cilit prodhimi industrial në vend ka rënë me 15.3%, si dhe eksportet kanë rënë me 29%.

E dëshmon fakti se shqiptarët, dhe veçanërisht të rinjtë, po braktisin vendin tonë në shifra rekord, si kurrë më parë.

Injorimi i këtij realiteti dramatik vetëm inkurajon konsolidimin e mëtejshëm të këtij modeli në Ballkan dhe Europë.

Zonja Komisionere,

Shqipëria sot është në ditën e 180-të të protestave, që, siç e thotë edhe raporti juaj, janë më të mëdhatë që nga rrëzimi i diktaturës komuniste. Njerëzit dalin në rrugë sepse kanë një qeveri të korruptuar, të lidhur me krimin dhe që nuk është produkt i zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Nëse e keni të vështirë të besoni fjalët e mia si deputet i opozitës, ju ftoj të dëgjoni ato të Elisa Spiropalit, ish-kryetares së Kuvendit dhe ish-ministres së Jashtme, që ju shoqëroi personalisht nëpër Tiranë pak muaj më parë. Jo më larg se dje, ajo tha, citoj: “Qytetari, biznesi dhe media sot nuk kanë përballë një shtet, por një makineri të pashpirt që mund të përdoret kundër tyre”. Dje, pasi e përjashtuan nga grupi parlamentar i PS-së, ajo pranoi se: “Edhe unë mbaj përgjegjësi për konsolidimin e një pushteti të përqendruar ekstremisht në një dorë”. Dhe shtoi: “Pushteti absolut korrupton tërësisht”.

Ne, këtë fenomen në Shqipëri, e quajmë me emrin e vet: kapje e shtetit, që tani e pranon edhe një nga ata që e ndërtuan.

Për korrupsionin në Shqipëri, në një intervistë në Politico, ju keni thënë se problemi është vetë mentaliteti i shoqërisë shqiptare që e pranon. Më lejoni t’ju kundërshtoj publikisht.

Korrupsioni i Belinda Ballukut nuk është mentalitet i shoqërisë shqiptare. Përkundrazi, shqiptarët janë sot në shesh pikërisht sepse refuzojnë korrupsionin Rama–Balluku.

Shqiptarët e duan Europën më shumë se kushdo. Por duan të anëtarësohen si demokraci funksionale dhe jo si fasadë europiane mbi një shtet që i përket një partie.

Zonja Komisionere,

Vitin e kaluar, këtu në Tiranë, ju thatë se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme. ODIHR-i tha se nuk ishin të barabarta, por në kushtet e partisë-shtet. Madje, kreu i delegacionit të PE-së që vëzhgoi zgjedhjet në Shqipëri jua tha troç se: “Krimi i organizuar pamundëson rotacionin politik në Shqipëri”.

Zonjë e nderuar,

Vetëm njëra nga këto dy qëndrime do të mbetet në histori si e vërtetë.

Ju faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Berisha: Universitetet janë në kohën më të vështirë të tyren, arsimi është në rënie vertikale!

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës në Kuvend akuzoi ministren e Arsimit për shkatërrimin …