Vendimi është marrë këtë të Enjte, datë 26 nëntor 2026 me shumicë votash. Pak ditë më parë, disa grupime sociale kërkuan nga Gjykata Kushtetuese pezullimin e të gjithë Aktit Normativ të nxjerrë nga qeveria, i cili ashpërsonte ndjeshëm masat për pjesëmarrjen në protesta.
Gjashtë gjyqtarë kushtetues kanë pranuar vetëm pezullimin e pikës 2 të nenit 5 të Aktit Normativ, i cili bënte një ndryshim minimal në nenin 24 të ligjit për Tubimet.
Ndërsa dy gjyqtare në pakicë, Sonila Bejtja dhe Marsida Xhaferllari kanë votuar për pranimin e kërkesës dhe pezullimin e të gjithë nenit 1 dhe nenit 5 të Aktit Normativ, në të cilët përfshiheshin gjobat e larta dhe abuzive të parashikuara nga qeveria.
Mbi bazën e këtij vendimi, tashmë mbeten në fuqi pjesa më e madhe e gjobave për protestuesit.
Pas këtij vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Policia është e lirë që të aplikojë gjoba nga 10 mijë deri në 500 mijë lekë për pjesëmarrje në tubim të ndaluar, për mosbindje ndaj urdhërit të uniformave blu për ndërprerjen e tubimit, për largimin nga zona të caktuara apo për përdorimin e shenjave dhe simboleve që Policia i konsideron të papërshtatshme.

Gazeta RD