Kuvendi voton sot Buxhetin 2027 dhe Paketën Fiskale PD dorëzon 28 amendamente, PL 12 

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot, më 26 nëntor 2026, në orën 10:00, në seancë plenare, ku në rendin e ditës është parashikuar miratimi nen për nen i paketës fiskale dhe Projektligjit për Buxhetin e vitit 2027.

Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes plenare të datës 18 nëntor dhe njoftimet, për të vijuar me shqyrtimin e projektligjeve që lidhen me ndryshimet në legjislacionin tatimor. Në fokus të diskutimeve do të jenë ndryshimet në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.

Partia Demokratike ka propozuar 28 amendamentet që deputetët e PD kanë depozituar në Kuvend, në kuadër të buxhetit dhe Paketës Fiskale. Sipas kreut të grupit PD, Gazment Bardhi amendamentet synojnë shndërrojnë buxhetin e shtetit nga buxhet për financimin e korrupsionit tek buxheti për financimin e shërbimeve dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.

Ndër të tjera vihet theksi te minimumi jetik prej 20 mijë lekë, rritjen e pagave në administratën publike, uljen e TVSH për energjinë dhe ujin, pezullimin e pagesave për incineratorin e Tiranës, fond të posaçëm për mësuesit e arsimit parauniversitar etj.

Ndërkohë PL ka përgatitur 12 Amendamente, të ndara përmes katër paketave konkrete për Rininë, Prodhimin Vendas, Sigurinë dhe Mbështetjen Sociale.

Në rend të ditës janë përfshirë edhe projektligjet për tregjet e kriptoaseteve, donacionet dhe sponsorizimet, mbikëqyrjen shtesë të institucioneve financiare, kontabilitetin në sektorin publik dhe kontrollin e punimeve të ndërtimit.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe projektligjin për ngritjen e Liceut Francez të Korçës, si dhe një shtesë në përbërjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të reformës administrativo-territoriale.

Amendamentet e PD

Amendamentet e propozuara nga Grupi Parlamentar i PD-së për buxhetin dhe paketën fiskale përfshijnë:

1. Vendosjen e minimumit jetik në masën 20 mijë lekë në muaj.

2. Rritjen me 30–50% të pagave për të gjithë administratën publike.

3. Uljen në 6% të TVSH-së për ujin.

4. Uljen në 6% të TVSH-së për energjinë.

5. Pezullimin e pagesave për inceneratorin e Tiranës.

6. Dhënien e pagës së 13-të për të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar.

7. Trefishimin e fondeve për ish-të përndjekurit politikë.

8. Shkurtimin me 20% të shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore.

9. Rritjen me 30% të pagave në sektorin e shëndetësisë.

10. Realizimin e dy projekteve të investimit në infrastrukturën rrugore në qarkun e Beratit.

11. Alokimin e 5 miliardë lekëve për kompensimin e prodhuesve, si pasojë e zhvlerësimit të euros.

12. Alokimin e 5 miliardë lekëve për fillimin e shlyerjes së detyrimeve të ndërsjella në sektorin e energjisë.

13. Rritjen me 50% të transfertës së pakushtëzuar.

14. Alokimin e 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Shkodër.

15. Alokimin e 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Lezhë.

16. Rritjen e pensioneve dhe vendosjen e një bonusi që garanton rritje reale, të drejtë dhe të përhershme.

17. Dyfishimin e ndihmës ekonomike.

18. Rritjen e financimit për kërkimin shkencor në nivelin 0,1% të PBB-së.

19. Rritjen me 30% të pagave në sektorin e arsimit.

20. Dyfishimin e fondit për rimbursimin e barnave.

21. Rritjen me 1 pikë përqindjeje të PBB-së të buxhetit për arsimin.

22. Anulimin e rritjes së TVSH-së në 21%, duke ruajtur normën ekzistuese prej 20%.

23. Trefishimin e subvencioneve për sektorin e bujqësisë.

24. Pezullimin e pagesave për çdo PPP me financim nga buxheti i shtetit.

25. Anulimin e rritjes së taksës vjetore të automjeteve.

26. Rritjen me 1 pikë përqindjeje të PBB-së të buxhetit për shëndetësinë.

27. Vendosjen e një takse të sheshtë për fitimin dhe pagat, si dhe anulimin e rritjes së taksës mbi dividendin.

28. Ndërprerjen e plotë të financimit të koncesionit të laboratorëve.

12 amendamentet e PL

1.Rinia- 7 miliardë lekë shtesë për arsimin dhe shkencën.
2.Made in Albania- 167 milionë euro për bujqësinë, 5,6 milionë për mbrojtjen e konsumatorit dhe ruajtje e pragut të TVSH-së.
3.Emergjencat Civile dhe Siguria- 35% rritje page për zjarrfikësit dhe Policinë e Burgjeve.
4.Paketa Sociale- 7,5 miliardë lekë shtesë për ndihmën ekonomike dhe papunësinë, 3,5 miliardë për Onkologjikun.

Rendi i plotë i ditës:
Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 18.11.2026.
Njoftime.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 29/2023, ‘Për tatimin mbi të ardhurat’, të ndryshuar”.
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, ‘Për taksat kombëtare’, të ndryshuar”.
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 61/2012, ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
Projektligji “Për buxhetin e vitit 2027”.
Projektligji “Për pranimin e ndryshimeve të përshtatura më 30 maj 2025 të Memorandumit të Mirëkuptimit të Parisit për kontrollin shtetëror portual, bërë në Paris, më 26.1.1982, aderuar me ligjin nr. 9852, datë 26.12.2007”.
Akti normativ nr. 5, datë 28.10.2026, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8773, datë 23.4.2001, ‘Për tubimet’”.
Akti normativ nr. 6, datë 28.10.2026, “Për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave”.
Projektligji “Për ngritjen dhe funksionimin e institucionit publik të arsimit të mesëm të lartë ‘Liceu Francez i Korçës’”.
Projektligji “Për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimeve dhe shoqërive komisionere, pjesë e konglomerateve financiare”.
Projektligji “Për tregjet e kriptoaseteve”.
Projektligji “Për donacionet dhe sponsorizimet”.
Projektligji “Për kontabilitetin në sektorin publik”.
Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 8402, datë 10.9.1998, ‘Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit’, të ndryshuar”.
Projektvendimi “Për një shtesë në vendimin nr. 174/2026 ‘Për miratimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm Parlamentar, ngritur me vendimin nr. 169/2026 të Kuvendit të Shqipërisë, për fazën e dytë të Reformës Administrative-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”.
Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

About Redaksia

Check Also

Paloka: Ramën nuk e duan më as në PS! Edhe Soros ia ka prerë biletën…

Deputeti i PD, Edi Paloka analizoi përplasjet brenda PS-së. Për Palokën jo vetëm socialistët nuk …