Strategu gjeopolitik: “Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës është territoriale, jo ideologjike”

Parag Khanna është një strateg gjeopolitik. I lindur në Indi më 1977, është themelues dhe drejtues i FutureMap, ka qenë këshilltar i Kombeve të Bashkuara për programin Global Trends dhe i forcave speciale amerikane në institucione të ndryshme ndërkombëtare. Nga Singapori, ku jeton, analizon botën duke ravijëzuar skenarë, si në librat “Connectography”, “Shekulli aziatik?” dhe “Lëvizja e botës”, të gjithë të botuara në Itali nga Fazi Editore.

Parag Khanna, për çfarë luftohet në Ukrainë?

«Vizioni im është se ky konflikt, ashtu si të tjerë, luftohet më shumë për arësye territoriale sesa për ato ideologjike. Disa e konsiderojnë si një përplasje midis demokracisë dhe regjimeve autoritare, midis Perëndimit dhe Lindjes, midis lirisë dhe diktaturës, por unë nuk jam dakord».

Ideologjia nuk qëndron?

«Sigurisht që ekzistojnë diferenca, Kina dhe Rusia janë shtete autoritare; ama ky konflikt është më shumë territorial: Putini beson se Rusia ka të drejtën sovrane t’i marrë këto territore. Nëse besohet se është vetëm ideologjike, nuk ka asnjë mënyrë për t’i dhënë fund kësaj lufte».

ë fakt mënyra ekziston?

«Edhe me Putinin mund të arrihet një marrëveshje territoriale. Duhet ta kujtojmë. Me Kinën pika është Taivani, me Rusinë Donbasi dhe Krimeja. Shpesh këto konsiderohen si frozen conflicts, konflikte të ngrira, por ka një ide të rrezikshme, që na bën të besojmë se në një farë mënyre ato janë stabilizuar».

Nuk është kështu?

«Aspak. Janë gjithmonë në rrezik shpërthimi. Kështu që duhet qenë propozitivë dhe kërkuar një zgjidhje territoriale».

Lufta ishte e paparashikueshme?

«Nuk do ta thoja. Janë 10 vite që Rusia kërkon ta ndryshojë gjeografinë e zonës».

Atëhere pse nuk kemi ndërhyrë më parë?

«Sepse, pikërisht, e kemi trajtuar si një frozen conflict, me bindjen se Rusia do ta respektonte autonominë e Ukrainës dhe pa e zgjidhur çështjen e statusit të Krimesë dhe të provincave lindore».

Çfarë roli ka Kina?

«Besoj se fuqitë aziatike janë shumë të vetëdijshme dhe shumë oportuniste. Duan të përfitojnë nga kostoja e reduktuar e importeve të gazit».

Qysh në librin “Shekulli aziatik?” flitej për «azianizimin» e Rusisë.

«Për mua kjo luftë çimenton rolin e Rusisë si veriu i Azisë. Ka që e konsiderojnë Rusinë si lindjen e Europës, por unë e shoh si veriun e Azisë dhe do jetë ende më gjeopolitikisht e vërtetë në të ardhmen: Rusia do të jetë gjithnjë e më shumë e marxhinalizuar nga Perëndimi dhe e mirëpritur në Lindje».

Çfarë lloj afërsie është kjo midis Kinës dhe Rusisë?

«Në 10/15 vitet e fundit të dy vendet janë afruar gjithnjë e më shumë. Në janar kanë nënshkruar një marrëveshje vendimtare mbi një gazsjellës dhe naftësjellës të ri. Është e vështirë të imagjinohet që Pekini të heqë dorë nga gjithë këto avantazhe pasi është lufta në Ukrainë».

Kështu Kina nuk do të bëjë asgjë për ta ndaluar konfliktin?

«Është irealiste që Europa të shpresojë se Kina do ta rishikojë mbështetjen e saj ndaj Rusisë. Edhe një ditë më parë përgjigja e Pekinit ka qenë e qartë: “Do të ecim në rrugën tonë”».

Si do të jetë Europa në fundin e kësaj lufte?

«Nuk e di nëse do të arrijë ta realizojë vërtet sistemin e mbrojtjes unike europiane, por do të jetë më e fortë. Kurse Shtetet e Bashkuara, pavarësisht se Biden e ka demonstruar se nuk dëshiron të jetë i përfshirë në konflikte nëpër botë, do të duhet ta shumëfishojnë impenjimin e tyre në Europë: duhet të jenë të përfshirë si në mbështetjen ushtarake, ashtu edhe në furnizimin me energji, në formën e gazit të lëngshëm».

Sanksionet e kërcënojnë tregëtinë globale?

«Tregëtia globale është shumë më e gjerë sesa roli i Rusisë në të: e ka tejkaluar shokun e pandemisë, krizat financiare, Brexit, 11 shtatorin… dhe është rritur gjithmonë. Edhe importet e Amerikës nga Kina janë rritur, pavarësisht pandemisë. Do të isha shumë i matur në afirmimin se sanksionet janë fundi i globalizimit: faktikisht, në ndërkohë, siç e shohim me sytë tanë, ajo ecën përpara».

Kjo është një luftë e Azisë kundër Europës?

«Jo. Në këtë moment, tregëtia midis Europës dhe Azisë është në rritje: ato janë gjithnjë e më të afërta, pavarësisht tensioneve gjeopolitike».

Po raportet tregëtare midis Europës dhe Rusisë do të kthehen të barabarta?

«Jo, besoj se do të bien. Nuk e shoh mundësinë që edhe pas përfundimit të luftës marrëdhëniet midis Europs dhe Rusisë mund të kthehen si më parë».

(nga Il Giornale)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

About Redaksia

Check Also

Trump i shpreh mirënjohjen TikTok-ut: Ndikoi në fitoren time

Presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump, deklaroi të dielën se mund të mbështeste vazhdimin e operimit …

Leave a Reply