Deputeti Belind Këlliçi mbajti fjalimin e tij përpara të pranishmëve në Kuvendin Kombëtar të PD, duke theksuar se demokratët kanë vuajtur shumë, por vazhdojnë të luftojnë.
“Çfarë shpirti luftarak paskan pasur demokratët? Jam krenar që jam pjesë e kësaj partie,” tha ai.
“Ky Kuvend i ka të gjitha shanset që të kthehet në një Kuvend historik. Sepse nëse sot Shqipëria po lëngon dhe sundohet nga një klikë e drejtuar nga Edi Rama, kjo ka ndodhur pa dyshim edhe për fajin tonë. Kjo nuk do të kishte ndodhur nëse përballë do kishte një opozitë të fortë dhe të pakapur. Edi Rama nuk do kishte asnjë shans përballë një opozite të vërtetë.
I vetmi ndryshim vjen përmes ndryshimit tonë. Ne nuk do jemi kurrë një opozitë fasadë. Opozita e re do të konfirmohet në këtë sallë.
Ne duhet të vendosim njëherë e mirë votën si themel për të ndërtuar strukturën dhe modelin e partisë sonë. Vota e lirë dhe merita janë dy vlera evropiane të shkallmuara këto 9 vite nga Edi Rama dhe Lulzim Basha.
I uroj punime të suksesshme Kuvendit Kombëtar të PD. Ky Kuvend do jetë një fillim i ri, një kapitull i ri ku vota do të vendosë vota për gjithçka.
…Falenderoj Berishën që e çliroi PD-në nga një model shkatërrimtar. Ditët më të mira i kemi para nesh”, tha Këlliçi.
Fjala e plotë e Belind Këlliçit
Të dashur demokratë dhe delegatë!
Të nderuar zonja e zotërinj!
Jemi mbledhur sot këtu në një Kuvend që i ka të gjitha shanset dhe rrethanat, potencialin, të kthehet në një Kuvend historik. Vijmë këtu pas një procesi jo të lehtë. Shumë kanë duruar demokratët në gjithë këto muaj.
Nga zhgënjimi i 25 prillit, në sfida e përplasje të vazhdueshme. Duke bërë rezistencë, e duke hedhur poshtë atë përpjekje malinje që u bë për ta mbajtur peng partinë, këtë forcë që lindi në protestë, në betejë me regjimin, e që solli lirinë dhe demokracinë në vend.
Kam parë demokratët këto muaj, në çdo qytet kam folur nga afër me ta. I janë nënshtruar shumë proceseve, dhe i janë drejtuar disa herë kutive të votimit. Ata me të drejtë janë të mërzitur, mund të kenë humbur dhe durimin. Por është fakt, që e gjetën gjithnjë e më shumë forcën e kurajon për të ecur para, për të dalë nga gjendja e kënetës ku ishim zhytur, dhe këtë e bënë duke marrë pjesë, duke folur, duke shprehur vullnetin e tyre, duke kundërshtuar, duke thënë të vërtetat e tyre.
Kur sheh qendrat e votimit me mijëra burra e gra, të rinj e të reja, që mbajnë radhën aty në ditë të vështira, në ditë mërzie, në ditë padrejtësie, të mbushet zemra plot, dhe thua; Dhe unë kam thënë, e kam përsëritur shpesh me veten time, dhe e them dhe sot këtu para jush, jo pa emocion:
“Çfarë shpirti luftarak kanë demokratët, çfarë qëndrese treguan, e sa krenar jam që jam pjesë e saj”.
Ky kuvend i ka të gjitha shanset të kthehet në historik, sepse të dashur miq, nëse sot Shqipëria lëngon, nëse sot Shqipëria, atdheu ynë, qeveriset keq, vidhet dhe ndahet si plaçkë, nëse Shqipëria sot sundohet nga një klikë me në krye Edi Ramën që merr gjithnjë e më shumë pushtet, nëse sot Shqipëria trajtohet si oborri i pasëm i një njeriu arrogant, dhe i një qeverie fodulle, kjo ka ndodhur padyshim, edhe për fajin tonë.
Ne duhet të mbajmë përgjegjësitë që na takojnë se përse e lejuam këtë realitet. Ky eksperiment i narkoshtetit, i autokracisë së tenderave dhe monopoleve, i shpërfilljes së njerëzve dhe shkeljes së tyre me këmbë, nuk do të kishte ndodhur me një opozitë të fortë, të lirë, të pakapur, të pakomanduar. Me një opozitë të vërtetë që nuk luhatet sipas interesave, pakteve, apo frikës së një njeriu.
Gjendja e padurueshme në Shqipëri, në atdheun tonë, do të ndryshojë, padyshim që po. Rruga drejt ndryshimit nuk kalon nga qeveria, nga kjo shumicë e korruptuar që kemi në krye. Ata janë provuar se janë të njëjtët arrivistë me ambicie të shfrenuar për privilegjeve personale. Ata janë e njëjta bandë që fusin thellë duart në votën e qytetarëve, dhe nuk lejojnë verdiktin e lirë të popullit.
I vetmi ndryshim që kemi në dorë të bëjmë, dhe do ta bëjmë, është ai që vjen përmes ndryshimit tonë.
Ne do të ndryshojmë, ne s’do të jemi më opozitë fasadë, dhe ju siguroj miqtë e mi që kjo gjë, kjo rrugë, do të ndryshojë nesër Shqipërinë.
Dhe ky moment nuk është aspak i largët. Eshtë sot, është në këtë Kuvend, ku shumica e demokratëve ka marrë vendimin për t’u përballur me keqqeverisjen, dhe për të fituar. Ky moment është sot, ku pas shumë debateve, përplasjeve, edhe të pahijshme, edhe të palavdishme, jemi këtu bashkë, dhe me dorën e shtrirë për këdo demokrat, për secilin që do një Shqipëri tjetër, do një vend që zhvillohet, ku qytetarët rrisin mirëqënien, ku integrimi europian bëhet fakt.
Ky është vendimi i madh i këtij Kuvendi. Kjo është opozita e re që konfirmojmë sot. Ndaj të dashur miq, që në këtë sallë të Pallatit të Kongreseve me 1958 karrike, të mos ulen kurrë më 5004 delegatë, ne DUHET të vendosim sot, njëherë e përgjithmonë, votën e lirë si modelin e vetëm për të ndërtuar strukturat që do të qeverisin partinë tonë.
Baza, themeli i kësaj që ofrojmë sot për demokratët dhe qytetarët, është vota e lirë dhe merita.Vota e lirë dhe merita, dy vlera europiane, të shkallmuara e të rrënuara në këto 9 vite nga dy njerëz kryesisht. Nga Edi Rama dhe nga Lulzim Basha.
Na kërkohet dhe na imponohet me forcë, si normë, si shije, si kulturë, që kjo qenka Shqipëria që duam. Po pse mos të guxojmë ne sot, të kërkojmë një Shqipëri ku në qendër është njeriu me përmasat e tij, dhe jo udhëheqësi i rrethuar me skenografi e prozhektorë madhështie.
Pse mos të guxojmë sot të kërkojmë një Shqipëri që vlerëson familjen, e mban të shenjtë, e ka atë prioritet.
Pse mos të guxojmë, të duam një vend ku të rinjtë shpërblehen për idetë, për dijet, për projektet e tyre. Ku e kanë arsimin e sigurtë pavarësisht halleve, ku qeveria u qendron në krah edhe pse i ka mundësitë e kufizuara ndoshta.
Pse qenka e pamundur të kemi një Shqipëri ku fermeri rimbursohet për punën dhe produktin e tij, stimulohet dhe i garantohet shitja, në këtë tokë të bekuar.
Po pse të mos kemi një Shqipëri ku qytetarët dhe mirëqënia e tyre të jenë në fokusin e politikave, dhe jo 20 biznesmenë e qeveritarë që janë në garë mes tyre se kush pasurohet më shumë, kush merr plaçkën më të madhe.
Një Shqipëri që zien nga biznesi dhe sipërmarrja, ku suksesi, arritjet dhe shifrat flasin vetë, dhe jo si sot ku propaganda e mashtrimi kërkojnë të paraqesin një realitet që nuk ekzsiton.
Një shqipëri të drejtë!
Një shqipëri me shanse e mundësi!
Një shqipëri që të bën në ndihesh pjesë e saj, që nuk të largon!
Askush të mos guxojë ta quajë këtë një ëndërr të largët.
Këtë vend, këtë tokë, këtë atdhe ne e kemi këtu, e kemi shumë afër. Dhe mund ta realizojmë, mund tja dalim, mund ta arrijmë dhe do t’ia dalim!
Me forcën, me energjinë, me idetë që kemi.
Dhe sidomos me dashurinë për këtë vend.
Me dashurinë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
I uroj punime të suksesshme Kuvendit Kombëtar të PDSH dhe me zemër uroj dhe jam i bindur, se ky Kuvend sot, do të jetë një fillim i ri për demokratët, një kapitull i ri, një arenë e lirë ku secili prej nesh thotë atë që beson, shpreh mendimin ndryshe dhe ku në fund, vota vendos për gjithçka.
Faleminderit çdo demokrati që ka sakrifikuar në këto muaj në emër të interesit opozitar dhe atij kombëtar.
Faleminderit Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit dhe Sali Berishës që ja dolën ta çlironin PDSH nga një model shkatërrimtar, i cili e çoi në zgrip të humnerës forcën tonë politike.
Forca demokratë, ditët më të mira i kemi ende përpara!