Nga Eduard HALIMI
Në Shqipëri, në një fushë të izoluar të Gjadrit, struktura të quajtura zyrtarisht “qendra pritjeje” për emigrantët, por që në realitet janë qeli të blinduara kontejnerësh pritën dje 50 emigrantët e parë, sipas një marrëveshjeje epike për mungesën e transparencës mes Italisë dhe Shqipërisë. Të shoqëruar me pranga dhe me mbi 80 efektivë policie shqiptare dhe italiane, emigrantët e prangosur do të qëndrojnë të mbyllur në qendrën e kontejnerëve deri në 180 ditë, nën kontroll të rreptë policor.
Në Gjadër nuk ka gjykatë. Nuk ka as zyra avokatie e as avokatë. Nuk kanë ende një zyrë ku të kenë të drejtë të kërkojnë azil. Janë në pranga dhe qeli të blinduara kontejnerësh, por jo për ndonjë krim; nuk kanë vrarë askënd, nuk kanë vjedhur, nuk janë trafikantë droge! I vetmi “faj”: janë të varfër, të lodhur nga qeveritë e tyre dhe mungesa e së ardhmes në vendet e tyre, kanë sakrifikuar, njësoj si shumë shqiptarë, për një jetë më të mirë. Fëmijët e tyre, nënat, motrat, vëllezërit mund të kenë parë pamjet e tyre të prangosur, të shoqëruar drejt burgut me qeli kontejnerësh në Gjadër. Nuk besoj se ata dinë asgjë mbi marrëveshjen. Edhe ne, avokatët, dimë shumë pak. Nuk e di si do t’ua shpjegojnë atyre e ndoshta as vetes se nuk kanë bërë asgjë kriminale, përveç kërkesës dëshpëruese për një jetë më të mirë, por një marrëveshje e diskutueshme politike mes vendeve që ata nuk i njohin i solli në një vend anëtar të KiE-së, në Shqipëri, ku po kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare.
Sot ata janë të vendosur në tokën shqiptare, por sipas qeverisë, nën juridiksion italian. Një konstruksion absurd, me qeli ku mbahen mallrat, jo qeniet humane. Një marrëveshje “inovative” sipas qeverisë italiane dhe një kompromis epik për mbështetje ndërkombëtare për qeverinë tonë të lodhur nga skandalet në 12 vjet.
VENDIMI 2/2024 – NJË HIJE E RËNDË MBI DREJTËSINË E GJYKATËS KUSHTETUESE
Edhe pse me mungesë të fortë transparence, marrëveshja të cilën italianët e quajnë “inovative” u sfidua pa sukses nga opozita në Gjykatën Kushtetuese dy vjet më parë. Dje, kur ata mbërritën, fillova të lexoj vendimin nr. 2/2024, ku Gjykata Kushtetuese refuzoi ta shohë marrëveshjen si çështje të të drejtave të njeriut. Shumica gjyqësore vendosi që protokolli “Shqipëri-Itali” “nuk krijon kufizime të reja” dhe nuk ka nevojë për ratifikim.
E kam ndjekur nga afër këtë çështje. Kam shkruar edhe më parë. Mungesa epike e transparencës detyroi GJK-në të orientohej sipas fjalëve të deputetëve në Komisionin e Ligjeve. Nuk morën informacion. Nuk panë kampin, kontejnerët. As deputetët që firmosën nuk i panë.
E kisha tmerrësisht të vështirë profesionalisht të pranoja arsyetimin në paragrafin C.1.2, pikat 50 e vijues të vendimit se marrëveshja nuk prek të drejtat e njeriut. I njoh shumë nga anëtarët e GJK-së. Por sinqerisht, e kisha të vështirë të pajtohesha me ta. Si mund të mos quhet kufizim i të drejtave të njeriut kur emigrantët mbyllen për 6 muaj në qeli kontejnerësh, pa vendim gjykate, pa të drejtë avokati apo azili? A kanë të drejtën e habeas corpus emigrantët, për t’iu drejtuar një gjykate kundër ndalimit? A kanë të drejtë të kenë avokat? Si do e gjejnë? Online? Po kërkesën për azil, Online? Si mundën ata anëtarë të Gjykatës Kushtetuese apo këshilltarët e tyre të mos kishin njohuri, apo në rastin më të keq, të refuzonin të lexonin vendimet e GJEDNJ-së që kanë folur qartë:
•Hirsi Jamaa v. Italy (2012) – Italia u dënua për kthim kolektiv të emigrantëve në Libi pa vlerësim individual.
•M.S.S. v. Belgium and Greece (2011) – Ndalimi dhe kushtet e kampit u cilësuan çnjerëzore dhe poshtëruese.
•Khlaifia v. Italy (2016) dhe Rahimi v. Greece (2011) – Ndalimi pa procedurë dhe pa qasje në mbrojtje juridike është shkelje sistemike e KEDNJ-së.
Po “Guidën e KiE-së për të Drejtat e Emigrantëve dhe azilantëve”, që citon kolegu Bianku në shkrimin e tij dje, e kanë lexuar lidhur me kushtet e ndalimit dhe respektimin e të drejtave themelore? Është e vërtetë se KiE dhe GJEDNJ kanë dhënë paralajmërime të forta ndaj vendosjes së emigrantëve në struktura paraburgimi apo ndalimi pa procedurë ligjore dhe garantim të të drejtave dhe theksojnë qartë se azilkërkuesit duhet të kenë akses të menjëhershëm në ndihmë juridike, vlerësim individual të rrezikut dhe kushte humane të jetesës. Të gjitha theksojnë: njerëzit nuk janë mallra. Ata nuk mund të ruhen në qeli kontejnerësh, të shoqëruar në pranga dhe të mbahen në izolim në pritje të deportimit.
Ndaj vendimi 2/24 është thellësisht shqetësues, me hije të rënda mbi drejtësinë, pasi mohon realitetin duke synuar kompromisin ndaj paktit politik dhe si i tillë është një shkallë e rrezikshme për një precedent çnjerëzor dhe jashtë çdo standardi ndërkombëtar.
*QELITË “CONTAINER”: BURG I MASKUAR
“Nemo alteri inferat quod ipse ferre nolit”
(Askush të mos i shkaktojë tjetrit atë që vetë nuk do të pranonte të duronte).
Unë i përkas asaj klase njerëzish që kanë ndjeshmëri ndaj emigrantëve. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me profesionin tim dhe pasionin ndaj drejtësisë, por edhe me popullin tim. Popullit tim, që e ka vuajtur në lëkurë trajtimin çnjerëzor, që ka gjysmën e vet jashtë në emigrim, dikur me anije, nga mali, e sot me gomone për në Angli. Nuk ikin nga dëshira, nuk braktisin me dëshirë; ikin për një jetë më të mirë, me sakrifica sublime. I përkas këtij populli që nuk e njeh ksenofobinë, por di të jetë i ndjeshëm sepse kujton motrën/ vëllain, kushëririn, shokun, mikun emigrant. Ndaj trajtimi i emigrantëve që mbërritën dje shkakton tek unë një ndjenjë dhembshurie, aq edhe revoltë. Revoltë edhe ndaj heshtjes. Revoltë edhe ndaj atyre që miratuan këtë trajtim dehuman në Shqipëri. Atyre deputetëve dhe anëtarëve të GJK-së që e miratuan!
Çfarë menduan ata dje në mbrëmje kur panë 50 fatkeqë në pranga drejt qelive “container”? A e menduan sikur ta kishin në trupin, familjen e tyre? Sikur familjarët e tyre, apo ata vetë, të ishin atje në qelitë container? Jo duke mos bërë asgjë, si fatkeqët që mbërritën dje, por sikur të akuzoheshin për krime? A e dëgjuan kryetarin e Bashkisë së Tiranës që bëri edhe suicide politik duke iu sulur ministrit të Drejtësisë, duke diskretituar rëndë median dhe avokatët që e ndihmonin vetëm të mos vijë në paraburgimet e Tiranës, edhe pse janë 3 dhe me kushte shumë më të mira se burgu me qeli kontejnerësh? A do ta quanin “Alkatraz” qelitë “container” nëse ata vetë apo familjarë të tyre do izoloheshin atje? Termi “qendër pritjeje” është maskim cinik. Dhe unë kam qenë dhe jam i vendosur në bindjen time se askush nuk mund të ketë një trajtim dehuman, edhe nëse akuzohet për krime, apo dënohet, kushdo qoftë, e jo më fatkeqët që erdhën dhe në pranga për t’u vendosur sikur të jenë mallra. Jo! Njerëzit nuk janë mallra. Ata nuk ruhen në kontejnerë për 6 muaj. Ata kanë histori, familje, frikë, dinjitet dhe të drejta. Ky trajtim i dehumanizuar është fyes për vetë themelet mbi të cilat u ngrit Europa pas Luftës së Dytë Botërore. Por a është e mundur, sipas legjislacionit të BEsë për kthimet, të dërgohet dikush kundër vullnetit të tij në një vend ku nuk e ka origjinën apo përmes të cilit nuk ka kaluar? Mario Gulielmetti, profesor në çështjet e migracionit, thotë JO. “Një marrëveshje me një vend të tretë do të ishte një parakusht i domosdoshëm për zbatimin e këtij skenari, ashtu si dhe një rishikim i rregullave të BE-së. Rreziku për të shkelur parimin e moskthimit me forcë (non-refoulement) është i lartë. Skenari tre paraqet sfida të mëdha ligjore dhe praktike. Është e diskutueshme nëse ky skenar është në përputhje me vlerat e BE-së”.
“Qelitë-container janë simbol i dështimit”, – shkruan kolegu i famshëm italian Nicola Canestrini – një sistem që nuk është në gjendje të menaxhojë krizën e vet në mënyrë njerëzore dhe me respekt për të drejtat.
*KONKLUZIONE
Unë e di se politika është arti i kompromisit, por ka kohë që jam krenar që jam i lirë. I lirë të shpreh, të flas e të them atë që ndjej. Dhe trajtimi i emigrantëve si mallra është ulëritës. Nuk ka asnjë interpretim të drejtë të Kushtetutës kur kontejnerët zëvendësojnë lirinë. Kur heshtja zëvendëson drejtësinë.
“Burgu nuk duhet të shndërrohet në hapësirë poshtërimi për askënd. Na duhet një sistem drejtësie i rrënjosur në dinjitet, jo në dehumanizim”. Dhe për këtë do të duhet të flasim e të mos heshtim përballë këtij trajtimi dehuman, për cilindo, por sot ishte radha e emigrantëve fatkeqë të vendosur në qelitë “container”.
Autori, Avokat i së drejtës private Ish-ministër i Drejtësisë
/Panorama