Drogë në këmbim të votës/ Maho: Qeveria Rama jep leje për të mbjellë 29,000 ha me kanabis sativa!

Gazetari Armand Maho ka publikuar gjatë ditës së sotme në prani të kreut të PD Sali Brisha një investigim për ligjin e Ramës që mbush ma kanabis Shqipërinë gjatë një fushatave elektorale. Ai ka dhënë detaje të shumta për këtë skandal të madh.

Deklarata

Ligji për LIGJ Nr. 61/2023 PËR KONTROLLIN E KULTIVIMIT DHE PËRPUNIMIT TË BIMËS SË CANNABIS-IT DHE PRODHIMIT TË NËNPRODUKTEVE TË SAJ PËR QËLLIME MJEKËSORE DHE INDUSTRIALE, u miratua në korrik të vitit 2023, dhe ka hyrë në fuqi në gusht të po atij viti. Ligji u shoqërua me debate të shumta, por gjithsesi mazhoranca socialiste e miratoi me 69 vota pro.

Ky ligj parashikonte lejimin e kanabisit mjekësor dhe atij industrial, përcaktonte sipërfaqen që do mbillej, mënyrën e dhënies së licencave për kompanitë që do merreshin me këtë proces, sigurinë etj.

Në nenin 14 të ligjit, ku flitet për procedurën e pajisjes me licencë të subjekteve, në pikat 6, 7 dhe 8 thuhet se:

* 6. Licenca përcakton një ose disa njësi për të cilat subjekti ka plotësuar kriteret. Nëse subjekti licencohet për më shumë se një njësi, ato duhet të jenë kufitare me njëra-tjetrën dhe, në çdo rast, jo më shumë se 4 njësi në të njëjtën licencë.

* 7. Licenca për aktivitetin e kultivimit jepet vetëm në sipërfaqe të hapura, të mbuluara ose sera. Sipërfaqja e njësisë së licencës të aktivitetit për kultivim të cannabis-it për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e vogël se 5 hektarë dhe jo më e madhe se 10 hektarë.

* 8. Sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 200 hektarë në rang kombëtar.

Pra, në rang kombëtar, nuk mund të jepen më shumë se 200 hektarë tokë për kultivimin e kanabisit, një parcelë s’mund të jetë më e vogël se 5 hektarë dhe më e madhe se 10, dhe çdo i licencuar sipas pikës 6 të ligjit s’mund të ketë më shumë se 4 njësi në të njëjtën licencë.

Në funksion të këtyre pikave, del dhe VKM nr. 50 më 1 janar të këtij viti, ku në nenin 1 pika d e saj jepet ky definicion:

“Zonë”, tërësia e parcelave të tokës, ku kultivohet bima e cannabis-it për qëllime mjekësore ose industriale.

Më tej, më 6 mars të vitit 2025, vetëm 2 muaj e pesë ditë para zgjedhjeve të 11 majit, qeveria do nxjerrë VKM nr. 149 e cila miratonte 10 zona kadastrale në 7 qarqe të vendit nga 11 gjithsej dhe përkatësisht:

  1. Qarku Shkodër, 2 bashki, 3 njësi administrative dhe 16 fshatra në 16 zona kadastrale
  2. Qarku Kukës, 1 bashki, 5 njësi administrative, 20 fshatra në 20 zona kadastrale
  3. Qarku Dibër, 2 bashki, 3 njësi administrative, 13 fshatra në 13 zona kadastrale
  4. Qarku Elbasan, 2 bashki, 5 njësi administrative, 12 fshatra në 12 zona kadastrale
  5. Qarku Gjirokastër, 2 bashki, 6 njësi administrative, 24 fshatra në 24 zona kadastrale
  6. Qarku Vlorë, 2 bashki, 4 njësi administrative, 15 fshatra në 4 zona kadastrale
  7. Qarku Gjirokastër, 2 bashki, 3 njësi administrative, 20 fshatra në 20 zona kadastrale
  8. Qarku Gjirokastër, 2 bashki, 3 njësi administrative, 10 fshatra në 10 zona kadastrale
  9. Qarku Fier, 2 bashki, 2 njësi administrative
  10. Qarku Kukës, 1 bashki, 1 njësi administrative, 3 fshatra në 3 zona kadastrale

Gjithsej 10 zona të miratuara për kultivim kanabisi, të ndara në 7 qarqe, 35 njësi administrative dhe 138 zona kadastrale. Pra, një numër jo i vogël bashkish, njësish administrative dhe fshatrash, që sipas vendimit të qeverisë të datës 6 mars përfshihen në këtë proces. Të gjitha këto janë përfshirë në 7 shtojca që i janë bashkëngjitur VKM-së, pasi koordinatat e sakta ekzistojnë vetëm për dy zona të lejimit të kanabisit: Zona 1 dhe Zona 2, në 1100 faqe që shoqërojnë vendimin 149 të datës 3 mars. Koordinatat për 5 zona të tjera nuk ekzistojnë.

Ishte pikërisht ky portal që na dha një indicie më të qartë në lidhje me sipërfaqen e përgjithshme të kanabisit që do të mbillet në Shqipëri. Nga matjet e kryera me opsionin “mat sipërfaqe” që ta ofron vetë portali, rezulton se sipërfaqja e dhënë është shumë herë më e madhe se ajo që përcakton ligji, i cili e kufizon vetëm në 200 hektarë sipërfaqen e lejuar për të mbjellë kanabis në rang vendi:

Shkodër zona 1 – sip. 23.96 km² ose 2396 ha tokë

Kukës zona 2 – 49.63 km² ose 4963 ha tokë

Dibër – zona 3 – 15.17 km² ose 1517 ha tokë

Elbasan zona 4 – 32.86 km² ose 3286 ha tokë

Gjirokastër zona 5 – 22 km² ose 2200 ha tokë

Vlorë zona 6 – 31.19 km² ose 3119 ha tokë

Gjirokastër zona 7, 8 – 99.12 km² ose 9912 ha tokë

Fier zona 9 – 7.91 km² ose 791 ha tokë

Kukës zona 10 – 13.39 km² ose 1339 ha tokë

Më datën 12 mars, vetëm 6 ditë pas miratimit në qeveri të VKM-së, Agjencia Kombëtare për Mbikëqyrjen e Kultivimit të Kanabisit, pasi lajmëronte miratimin e vendimit të qeverisë, jepte dhe të dhënat për të interesuarit se ku mund t’i shikonin sipërfaqet e miratuara. Agjencia i referohej portalit asig.gov.al, që është portali zyrtar i Kadastrës Shqiptare dhe përmban të dhënat mbi të gjithë hapësirën gjeografike.

Qeveria ka shkelur me vetëdije ligjin që ka miratuar po vetë. Miratimi i një zone prej më shumë se 29,000 hektarësh nënkupton leje për mbjellje në të gjithë atë sipërfaqe, edhe pse në praktikë mund të mbillen më pak. Kjo krijon hapësirë për keqpërdorime, mbjellje ilegale dhe trafik.

Ligji duhet të ketë për qëllim kontrollin strikt dhe kufizimin e kultivimit, për të parandaluar përhapjen e kultivimit të paligjshëm dhe trafikut të drogës. Miratimi i zonave kaq të mëdha minon këtë qëllim

Duke parë dhe rezultatet e zgjedhjeve të këtij viti, mund të themi që në më shumë se 80 përqind të zonave të miratuara për kultivimin e kanabisit, Partia Socialiste ka pasur një rezultat të bindshëm në favor të saj dhe një rritje të pajustifikuar për një parti që ka 12 vjet në pushtet.  Në kontekstin e përgjithshëm ky veprim, krijon varësi dhe presion të heshtur për të “shpërblyer” qeverinë me votë. Është e njëjta, ndoshta më favorizuese, edhe se shpërndarja e legalizimeve, parave apo vendeve të punës para zgjedhjeve. Nga ana tjetër, këto parcela mund të kenë shërbyer edhe si premtim për grupe të ndryshme kriminale që merren me trafikun e drogës, duke iu dhënë kështu akses legal në aktivitetin e tyre.

Por ky veprim i qeverisë shqiptare ka dhe pasoja për vendet fqinje të Shqipërisë. Kjo sepse jo vetëm e kthen Shqipërinë në një Narco-State, tashmë me ligje dhe vendime qeverie, por rrezikon të destabilizojë të gjithë Ballkanin Perëndimor për shkak të aktivitetit të grupeve kriminale. Në rast se do i hedhim një sy hartës, do shohim se në 80% të rasteve zonat janë përcaktuar në kufijtë e Shqipërisë që e lidhin me Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Malin e Zi.

Në kufirin me Greqinë situata është edhe më skandaloze. Në fshatin Radat të Qarkut të Gjirokastrës, Bashkia Dropull, zona kadastrale 3135, distanca nga kufiri është diku tek rreth 10 metra me kufirin grek. Pra si mund të miratohet kultivimi i një bime narkotike, të cilën shteti fqinj e ka të ndaluar me ligj, vetëm dhjetë metra nga kufiri? Kjo ka ndodhur edhe në zonën e Kakavijës, dhe kjo në Qarkun e Gjirokastrës, Bashkia Dropull, ku distanca me kufirin në zonën kadastrale 2030 është jo më shumë se 900 metra nga kufiri me Greqinë.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Do ta ndjekim me të gjithë mekanizmat tonë shkeljen e autonomisë vendore nga Edi Rama

Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se, letra e përfaqësuesve të pushtetit vendor është …