Nga Alba KEPI
“Toka e Zjarrit” është termi që përshkruan sot Shqipërinë në përballjen e saj me mafian e plehrave dhe zjarret që vihen qëllimshëm në landfill-et e plehrave.
Në këtë “Tokë”, plehrat nuk janë vetëm mbetje. Ato janë monedha e një ekonomie të zezë, ku fitimet e paligjshme lëvizin në dhjetëra miliona euro në vit. Në këtë terren djegës, zjarret që ndez mafia nuk janë aksidentale, por arma kryesore për të fshehur krimin dhe për të mbrojtur rrjetet korruptive që kontrollojnë tregun e mbetjeve toksike. Çdo flakë që ngrihet në landfill-et e Elbasanit, Fierit apo Tiranës është një shenjë e qartë se sistemi po funksionon kundër interesave të qytetarëve.
“Toka e Zjarrit” nuk shkatërron vetëm mjedisin; ajo djeg shëndetin e qytetarëve, jetën. Tymrat toksikë që përhapen në ajër nuk janë vetëm simptoma, por dhe paralajmërim për krizën e thellë që po kalon vendi.
Zjarret nuk janë rastësi, por mjete për të:
• Fshirë prova nga dosjet e tenderave;
• Manipuluar fondet publike për inceneratorë;
• Mbrojtur përfshirjen e politikanëve dhe zyrtarëve në këtë skemë.
• Biznes
Mafia e plehrave
🔴1. “Moliva XA443A” – 2 100 ton mbetje toksike (2024).
Në korrik 2024, 102 kontejnerë me pluhur të përpunimit të çelikut u nisën nga porti i Durrësit drejt Tajlandës, duke u etiketuar si “oksid hekuri”, por u kapën në transit. Autoritetet thuhet se kanë vonuar fillimin e analizave laboratorike, duke krijuar dyshim për fshehje dhe paaftësi. BASLE Action Network ka reaguar me urgjencë për përgjegjshmëri penale .
🔴2. 115 kontejnerë në Guangzhou (2024). Një ngarkesë tjetër në prill 2024, e deklaruar si “zink concentrate”, u bllokua në Guangzhou, me përmbajtje të dyshuara si mbetje të rrezikshme metalike . Mbetet në pritje studimi dhe kthim drejt Shqipërisë.
🔴3. Operacioni “Metal Gate” – 58 ton në Ankona (Shkurt 2025).
Guardia di Finanza italiane sekuestruan 58 tonë mbetje industriale shqiptare e shpërndarë si “alumini” në portin e Ankonës. Analizat zbuluan plumb, bakër e zink në nivele toksike .Tre administratorë italianë akuzohen për krime mjedisore dhe marrëveshje të dyshimta me kompani shqiptare .
🔴4. Kthimi i mbetjeve nga Tajlanda (Tetor 2024).
102 kontejnerë u kthyen nga Tajlanda në Shqipëri, pak kohë pas bllokimit në Singapore dhe reagimeve ndërkombëtare .
Autoritetet i sanksionuan ato në Porto Romano, por hetimet thuhet se kanë ngecur.
Shqipëria është pjesë e një rrjeti transnacional trafikimi mbetjesh industriale të rrezikshme, me porte strategjikë të përdorur për kontrabandë ndërkombëtare.
Raste të përsëritura të vështirësisë në identifikim, analizë dhe ndjekje penale ngrenë pikëpyetje për efektivitetin dhe transparencën e institucioneve shqiptare.
Rrjeti operon me kontrata false dhe përfshin kompani “komode” shqiptare, si dhe falsifikon natyrën e mbetjeve për t’i fshehur nivelin e ndotjes.
Zjarr për Biznes
Në Shqipëri, zjarret nuk janë më vetëm rrezik mjedisor – janë instrumentë ekonomikë. Çdo flakë e papritur në një landfill, në një pyll, apo në një zonë urbane aktivizon automatikisht kontrata emergjente me kompani të lidhura me qeverinë lokale apo qendrore. Në shumë raste, zjarri është vetë “projekti”.
Si funksionon skema?
1. Djegia e qëllimshme në zona të izoluara ose në vendgrumbullime mbetjesh.
2. Shpallje emergjence nga bashkia ose prefektura për menaxhimin e zjarrit.
3. Aktivizimi pa garë i kontratave për:
• Shuarje zjarresh;
• Pastrim territori;
• Riciklim “të dëmeve”;
• Derivate të tjera të shërbimeve logjistike.
4. Pagesa miliona lekësh nga buxheti i shtetit ose fondet e BE-së për “emergjenca”.
Kush përfiton?
• Kompani private të lidhura me zyrtarë vendorë, të krijuara për të fituar tendera emergjence.
• Shoqëri që figurojnë si “specialiste për zjarrfikje” por nuk kanë as automjete të regjistruara.
• Firma që shfaqen vetëm në tendera të paparalajmëruar – dhe zhduken pas një sezoni zjarresh.
• Djegia e mbetjeve justifikon mungesën e kapacitetit të inceneratorëve.
• Digjen zona pyjore për të futur kompani për “rikuperim”, “rimbjellje” apo “pastrim kullotash”.
• Nuk ka asnjë hetim penal për shkaktarët e vërtetë të zjarrit.
🔴• Landfilli i Elbasanit (korrik 2025): pas zjarrit 5-ditor, një kompani private u kontraktua nga bashkia për “spërkatje, pastrim dhe sistemim”, me një fond emergjent prej mbi 40 milionë lekësh. Asnjë hetim për zjarrvënie.
🔴• Zjarri në pyjet e Mallakastrës (gusht 2023): u aktivizua një kontratë me një shoqëri që kishte fituar tender emergjent për “kontroll zjarri”, pa asnjë mjet real në terren.
🔴Në korrik 2024, një zjarr masiv në zonën pyjore pranë Shëngjinit përfshiu edhe ndërtesa banimi. Menjëherë pas shpërthimit të flakëve:
• Bashkia Lezhë aktivizoi një kontratë emergjente për ndërhyrje dhe pastrim.
• Kompania përfituese, sipas investigimeve të pavarura, ishte e regjistruar pak muaj më parë dhe nuk kishte asnjë aktivitet tjetër të dokumentuar.
• Nuk u bë asnjë hetim penal për zjarrvënie të qëllimshme, pavarësisht se flakët shpërthyen në të njëjtën zonë për të dytin vit radhazi.
🔴Në verën e vitit 2024, landfilli i Vlorës mori flakë për të tretin vit radhazi. Banorët raportuan:
• Tym të zi dhe helmues për ditë të tëra;
• Mungesë totale të transparencës mbi përbërjen e mbetjeve që digjeshin;
• Pas zjarrit, bashkia kontraktoi një kompani private për pastrim dhe sistemim, me fond emergjent mbi 30 milionë lekë.
Sipas raportimeve mediatike dhe komentuesve lokalë:
• Zjarrfikësit mbërritën pa mjete dhe u tërhoqën pas 2 orësh, duke e lënë djegien të vazhdonte vetë.
• Nuk u publikua asnjë emër i kompanisë fituese të tenderit, dhe nuk u hap asnjë hetim për shkaktarët.