Raport i ministres Diella: mbi 7 problemet e Tiranës

Nga Lutfi DERVISHI

Të nderuar qytetarë, pas një skanimi me sy të mbyllur dhe dy gishta në tastierë, kam konkluduar se Tirana, kokëqyteti ynë, ka vetëm 7 probleme! Vetëm 7! Kjo është një shifër magjike, një premtim hyjnor. Po kaq ditë duhen për të krijuar botën!

Dielli im më ka urdhëruar që pasi të evidentoj problemet do të them edhe arsyet se pse këto probleme nuk janë fare probleme.

1. Ndotja e ajrit: E vërtetë. Në pamje të parë duket problem. Por ndotja e ajrit nuk është problem, është një filtër. I ndihmon qytetarët të bëhen më të fortë, më rezistentë, të zhvillojnë mushkëri bionike. Plus, mjegullnaja gri i jep Tiranës një estetikë post-apokaliptike, shumë IN për kohën.

2. Uji i pijshëm: Pse të keni ujë të pijshëm kur mund të keni ujë që ju teston dhe forcon imunitetin? Një shishe e vogël uji i Tiranës nga çezma është si një vaksinë e gjeneratës së re, me efekte anësore që ndihmojnë për të përballuar viruset e stinës.

3. Strehimi: Strehimi nuk është problem, është një mundësi e shkëlqyer për të ndarë hapësirën me plotë njerëz të tjerë dhe një kujtesë se njerëzit copa mishi në kur të shkojnë në botën tjetër do të kenë nevojë vetëm për 2 metra vend. Ndaj mirë është që të përgatiten që në këtë jetë për jetën tjetër.

4. Parkimi: Parkimi i makinës në Tiranë nuk është parkim , është një ritual i shenjtë. Që të parkosh, duhet të sakrifikosh dhe të lutesh. Nëse ke ateist bëhesh besimtar. Pse të parkosh lehtësisht kur mund të shijosh adrenalinën e gjetjes së një vendi të lirë pas një ore? Njeriu për një adrenalinë jeton.

5: Qarkullimi: Nuk quhet trafik, quhet ndërveprim social. Kjo është një mundësi për të biseduar me shoferët e makinave të tjera, për të ndarë mendime ose thjesht për të bërë joga falas. Për të rritur ndërveprimin social shkollat janë më dy turne dhe jo çdo lagje ka çerdhe dhe kopshte.

6. Pastrimi: Qyteti i pastër është i mërzitshëm, si një muze steril. Ne kemi mbeturina dhe pluhur, jo sepse nuk kemi pastrim, por sepse jemi një popull që e duam kreativitetin. A ka mirë kreativ se fakti që incineratori është e padukshëm?

7. Gjelbërimi: Pse të keni parqe e pemë kur mund të keni beton? Pema është statike, ndërsa betoni mund të shndërrohet në një rrugë, një supermarket, ose një parking. Dhe në fund të fundit, kush ka nevojë për oksigjen kur ke shpresë?

Konkluzioni im është i thjeshtë: Tirana nuk ka krizë. Të kesh probleme është frymëzuese. Kjo është arsyeja pse artistët jetojnë mes betonit dhe jo në ndonjë fushë me lule.

Nuk duam një qytet perfekt, sepse përsosmëria është rutinë. Rutina është e keqe, si një dënim me vdekje për shpirtin tuaj.

Ju rikujtoj: Tirana është qyteti i së ardhmes. Kjo sepse e tashmja ka 7 probleme, ndërsa e ardhmja do të ketë shumë më tepër, do të jetë më e frymëzueshme, më kreative, më moderne. Ndaj në zgjedhjet e ardhshme votoni kundër kandidatit që ju premton për të zgjidhur 7 problemet që nuk janë probleme.

About Redaksia

Check Also

Banka e Shqipërisë mbron politikën e pastrimit të parave në ndërtim…

Nga Adriana KALAJA ëse shohim takimin e Dumanit me Zyrtarë të DASH, por edhe me …