PD kërkon shkarkimin e Peleshit, Kaso: Ka kryer 5 shkelje të rënda! Të rikthehet autoriteti dhe dinjiteti institucional!

Në seancën plenare të ditës së sotme po shqyrtohet nisma e opozitës për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Deputeti Ivi Kaso tha se, janë 5 shkelje të rënda të rregullores nga Peleshi dhe i kanë përqendruar argumentet e tyre në dy seancat e 16 dhe 18 shtatorit, ku u ndryshua rregullorja që e çoi numrin e komisioneve të përhershme parlamentare në 11, dhe mosrealizimi i debatit parlamentar për programin qeverisës ‘Rama 4’.

Më konkretisht, Peleshi ka thirrur mbledhjen e Kuvendit për ndryshimin e rregullores si dhe mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin pa respektuar afatin e parashikuar, iu ka hequr të drejtën për të folur deputetëve dhe kreut të Grupit Parlamentar Gazment Bardhi, si dhe nuk ka mundësuar prezantimin e programit qeverisës. Bardhi s’do të jetë as sot në seancë për shkak të përjashtimit.

Deputeti Ivi Kaso, gjatë fjalës së tij, tha se, PD me këtë nismë nuk synon që të ndëshkojë një person të vetëm, por sipas tij, kërkon që Kuvendi të rifitojë rolin e tij si garant i pluralizmit.

Fjala e deputetit Ivi Kaso

Të nderuar kolegë deputetë,

Sot nuk jemi këtu me një rend dite të zakonshëm, dhe të thirrur për të bërë një debat të zakonshëm. Jemi këtu për të adresuar dhe për t’i dhënë zgjidhje një situate në të cilën Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, institucioni që duhet të jetë zemra pulsante e demokracisë,  pasi sovrani i ka deleguar përfaqësimin, po rrezikon të kthehet në një institucion formal, pa zë, pa autoritet dhe pa dinjitet. Dhe kjo nuk po vjen si pasojë e ndonjë sulmi, faktori apo ndonjë krize të jashtme, por si rezultat i drejtpërdrejtë të mënyrës se si po drejtohet ky institucion nga Kryetari i tij, z. Niko Peleshi.

Në vetëm dy seanca — atë të datës 16 dhe 18 shtator, pra vetëm 4 dhe 6 ditë pasi ishte betuar mbi Kushtetutë , dhe ishte votuar në pozicionin numër 2 të shtetit — z. Peleshi ka konsumuar një sërë shkeljesh të rënda, të dokumentuara, të përsëritura dhe të qëllimshme, të cilat nuk kanë patur vetëm qëllim dhe pasojë mbylljen e zërit të opozitës në parlament, por kanë cënuar rëndë natyrën e funksionimit dhe autoritetin e këtij të fundit si  organi më i lartë në një shtet demokratik pasi buron drejtpërdrejt nga vullneti i sovranit.

Kjo nismë për shkarkim, që ju paraqitet sot për miratim, nuk është  aksioni i radhës për një opozitë apo një akt politik i zakonshëm. Kjo është thirrje për një përpjekje të përbashkët për të ndalur një rrëshqitje të rrezikshme të këtij Kuvendi drejt një modeli institucioni të heshtur, të nënshtruar, të zbrazët nga përmbajtja dhe nga funksioni i tij përfaqësues. Ne nuk jemi sot këtu për të kërkuar ndëshkim ndaj një personi të vetëm, por rikthim të standardeve institucionale në një vend demokratik.

Ne sot  mbi të gjitha kërkojmë që Kuvendi të rifitojë rolin e tij si garant i pluralizmit, si hapësirë për debat dhe si institucion që respekton Kushtetutën.

2.1.      Me shkresën nr. 2529 prot., datë 19.09.2025, 36 deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike kanë paraqitur pranë Këshillit për Legjislacionin kërkesën me objekt: “Kërkesë për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Z. Niko Peleshi”. Në përmbajtje të kësaj kërkese, kërkuesit kanë argumentuar gjërësisht të gjitha shkeljet e konsumuara nga Kryetari i Kuvendit gjatë seancave plenare të datave 16 dhe 18 Shtator 2025, të cilat përbëjnë shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit të mjaftueshme për fillimin e procedurës së shkarkimit të Kryetarit të Kuvendit, në kuptim të nenit 75, pika 1, të Kushtetutës dhe nenit 114, pika 4, të Rregullores së Kuvendit.

2.2.      Më tej, pas administrimit të kësaj kërkese, Shërbimi Juridik i Kuvendit shprehet se: “Aspekti Formal: Kërkesa plotëson kërkesën e pikës 1 të nenit 114 të Rregullores së Kuvendit. Kërkesa është firmosur nga 36 deputetë.”.

2.3.      Pas depozitimit të kësaj kërkese, duke u bazuar në memon e përgatitur nga Shërbimi Juridik, me urdhërin nr. 16, datë 02.10.2025, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi ka urdhëruar: “I. Thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Legjislacionin ditën e hënë, datë 06.10.2025, ora 11:00. II. Rendi i ditës është si më poshtë: – Konstituimi i Këshillit për Legjislacionit. – Shqyrtimi i kërkesës së një grupi deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike “Për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Z. Niko Peleshi. III. Bazuar në nenin 14, pika 3, të Rregullores së Kuvendit, Këshilli për Legjislacionin do të kryesohet nga zonja Aulona Bylykbashi.”.

2.4.      Këshilli për Legjislacionin ka zhvilluar dy mbledhje për shqyrtimin e kërkesës së 36 deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Z. Niko Peleshi, përkatësisht në datat 06.10.2025 dhe 14.10.2025. Gjatë këtyre dy mbledhjeve, është bërë prezantimi i kërkesës nga unë me cilësinë e përfaqësuesit të kërkuesve, janë caktuar relatorët nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, janë paraqitur qëndrimet e relatorëve lidhur me kërkesën, si dhe kanë shprehur mendimet e tyre edhe deputetët e tjerë anëtarë të Këshillit për Legjislacionin.

2.5.      Në mbledhjen e tretë të zhvilluar në datën 28.10.2025, ora 13:00, me rend dite: “1. Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së datës 15.10.2025; 2. Miratimi i raportit për Seancën Plenare.”, relatorët, përkatësisht deputeti (PD) Ivi Kaso dhe deputeti (PS) Damian Gjiknuri kanë paraqitur raportet përkatëse. Unë përsëri, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike kam mbajtur qëndrimin se kërkesa e paraqitur përmbush kushtet formale, procedurale dhe substanciale për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa deputeti Gjiknuri ka mbajtur qëndrimin se kërkesa, megjithëse përmbush kriteret formalo-procedurale, nuk përmbush kriteret substanciale për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë. Për shkak të barazisë shumicë-pakicë, Këshilli i paraqet sot Seancës Plenare dy raporte lidhur me kërkesën për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë Z. Niko Peleshi.

Dhe këtu më lejoni një koment te shkurtër. Ka dy raporte dhe dy qëndrime pasi jo se nuk janë të qartë udhërrëfyesit kushtetues dhe ligjorë në këtë drejtim. Dhe jo se debati i gjithë kolegëve në Këshillin e Legjislacionit nuk nxorri në dritë dimensionin e plotë të shkeljeve Kushtetuese dhe të rregullores nga kryetari i Kuvendit në vetëm dy seancat e para të zhvillimit të tij.

Por se asnjë paradigëm ligjor nuk mund të kapi dimensionin e plotë, dhe as thellësinë e  paradoksit politik, juridik edhe moral të një drejtuesi institucioni i cili vendos të anulojë vetveten. Të dikujt që ka pranuar të marrë rolin e  përfaqësuesit dhe që vullnetarisht vendos të heqë dorë nga zëri i tij. E në këtë rast mbrojtja mund t’i bëhet veçse me retorikë politike dhe jo me argumenta kushtetues e me precedent parlamentar. Kjo të nderuar kolegë shpjegon edhe antagonizmin e dy qëndrimeve dhe dy raporteve që relatohen sot këtu.

2.6.      Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, me urdhërin nr. 1, datë 15.09.2025, ka njoftuar mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare, datë 16.09.2025, ora 10:00, me rend dite: “1. Miratimi i procesverbaleve të seancave plenare të datës 12.09.2025. 2. Njoftime. 3. Projektvendimi “Për zgjedhjen e zëvëndëskryetarëve të Kuvendit”. 4. Projektvendimi “Për zgjedhjen e sekretariateve të Byrosë të Kuvendit”. 5. Projektvendimi “Për përbërjen e Byrosë së Kuvendit”.”. Po ashtu, në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, me urdhërin nr. 2, datë 15.09.2025, ka njoftuar mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare, datë 16.09.2025, ora 17:00, me rend dite: “1. Projektvendimi “Për zgjedhjen e kryesive të komisioneve të përhershme të Kuvendit”.”.

2.7.      Në datën 16.09.2025, ora 10:00, është mbledhur seanca plenare e Kuvendit, gjatë të cilës kryetari i Kuvendit, ndër të tjera, ka relatuar se është paraqitur një kërkesë nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla për ndryshimin e rendit të ditës, duke përfshirë edhe shqyrtimin e projektvendimit “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”. Po ashtu, kryetari i Kuvendit ka relatuar edhe një kërkesë të paraqitur nga 30 (tridhjetë) deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektvendimit “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë”, të ndryshuar”.

2.8.      Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, lidhur me këto dy kërkesa, i ka parashtruar paraprakisht Kryetarit të Kuvendit se thirrja e mbledhjes së Kuvendit dhe njoftimi i saj pa kaluar as 24 orë nga zhvillimi i seancës plenare është në kundërshtim me nenin 78, pika 2, të Kushtetutës, ashtu si edhe nenin 27/1, pika 3, të Rregullores së Kuvendit. Kjo e fundit parashikon se thirrja e mbledhjes së Kuvendit dhe njoftimi i rendit të ditës bëhet publik si rregull 7 ditë përpara, por jo më vonë se 2 ditë përpara datës së caktuar për seancën plenare. Në këtë kuptim, duke qenë një mbledhje e thirrur në kundërshtim me Rregulloren, ajo nuk mund të prodhojë asnjë pasojë. Po ashtu, lidhur me shqyrtimin e projektvendimit me procedurë të përshpejtuar, opozita ka sjellë në vëmendje se sipas nenit 83, pika 2, të Kushtetutës, ashtu edhe nenit 28, pika 4, të Rregullores, shqyrtimi nuk mund të fillojë pa kaluar një javë nga data e paraqitjes së kërkesës në seancë plenare. Megjithatë, kryetari i Kuvendit ka vijuar me hedhjen e dy kërkesave në votim dhe me shumicë votash është vendosur miratimi i tyre.

2.9.      Pas miratimit të dy kërkesave, kryetari i Kuvendit ka njoftuar thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për shqyrtimin e projektvendimit “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, dhe mbledhjen e Kuvendit sërish në ora 12:30 për vijimin e shqyrtimit dhe miratimit të projektvendimit. Gjatë mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, 5 (pesë) anëtarët, deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kanë parashtruar se këto ndryshime, përveçse bëhen në mënyrë të njëanshme, duke shkelur për herë të dytë traditën e miratimit me konsensus ndërpartiak, shkelin në mënyrë flagrante dispozitat e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, të cilat rregullojnë mënyrën e thirrjes dhe njoftimit të mbledhjes së Kuvendit, ashtu edhe shqyrtimin e projektvendimeve me procedurë të përshpejtuar, jo më herët se 1 javë nga depozitimi (shih nenet 78, pika 2; 83, pika 2, të Kushtetutës; nenet 27/1, pika 3; 28, pika 4; 117 të Rregullores së Kuvendit).

2.10.   Pas rifillimit të seancës plenare, deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike kanë parashtruar sërish qëndrimin e tyre sa i përket shkeljeve të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Kryetari i Kuvendit ka njoftuar se për projektvendimin për disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit nuk do të ketë diskutime, çka sërish është kontestuar nga deputetët e opozitës si shkelje e nenit 75, pika 2, e Kushtetutës, e lexuar së bashku me nenet 46, pika 1, 48, pika 1, dhe 117 të Rregullores së Kuvendit, pasi i mohohet e drejta e fjalës deputetëve që dëshirojnë të diskutojnë rreth ndryshimeve të propozuara. Edhe ky qëndrim është injoruar nga kryetari i Kuvendit, i cili ka vijuar me votimin dhe miratimin e projektvendimit për disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit.

2.11.   Në mbështetje të nenit 97 të Kushtetutës dhe nenit 110 të Rregullores së Kuvendit, me urdhër të Kryetarit të Kuvendit, më datë 18.09.2025, ora 10:00, ishte thirrur seanca plenare, me rend dite projektvendimin “Për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave”. Në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, deputetët e opozitës ishin prezent në sallë, për të ushtruar detyrën e tyre kushtetuese dhe për të diskutuar mbi programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave.

2.12.   Sipas nenit 110 të Rregullores së Kuvendit, programi politik i Këshillit të Ministrave dhe përbërja e tij paraqiten në Kuvend nga Kryeministri. Kryetari i Kuvendit i dha fjalën Kryeministrit, i cili pas disa minutave diskutim, mori rolin e Kryetarit të Kuvendit, ndërpreu fjalën e tij dhe ia kaloi fjalën “Ministres virtuale Diella”, në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe Rregulloren.

2.13.   Ky veprim prej karagjozi dhe që cënoi rëndësinë kushtetuese të seancës plenare të datës 18.09.2025 u kundërshtua nga deputetët e opozitës, përmes një veprimi që nuk shkel etikën parlamentare dhe që është formë reagimi që përdoret në të gjitha Parlamentet e vendeve demokratike (rasti më i fundit në Parlamentin Europian, ku eurodeputetët pas refuzimit të kërkesës për një minutë heshtje përplasën duart mbi tavolinat e tyre të punës si formë demokratike reagimi). Fakti që Kryeministrin e kanë lëshuar nervat, është i lodhur dhe ndjehet i padenjë për të përballuar debatin parlamentar, nuk mund të nënkuptojë kurrë që ai mund t’i caktojë linjën e sjelljes deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, apo mund të vijë në seancë plenare dhe të sillet siç dëshiron në kundërshtim me Kushtetutën.

2.14.   Salla e seancës plenare nuk mund të shndërrohet nga një Kryeministër karagjoz në një “teatër kukullash” dhe reagimi i opozitës ishte për mbrojtjen e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Kërcënimi i Kryeministrit që në nisje të fjalës së tij se deputetët e opozitës duhet të bëjnë apo sillen ashtu siç ai dëshiron, ose ndryshe Kryeministri nuk do të lejojë debatin parlamentar, është i papranueshëm dhe cënon rëndë rendin kushtetutes të një Republike Parlamentare.

2.15.   Menjëherë pasi diskutimi i Kryeministrit ishte ndërprerë, jo nga ndërhyrjet e opozitës, por nga një video tallëse e një mesazhi virtual, Kryetari i Kuvendit, edhe pse fjala i ishte kaluar më parë Kryeministrit që duhet të vijonte me paraqitjen e programit politik, i kaloi fjalën Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, i cili pasi kërcënoi deputetët e opozitës me heqjen e të drejtës për të diskutuar, në përputhje me nenin 49, pika 1 të Rregullores së Kuvendit, kërkoi 5 minuta ndërprerje të seancës. Kërkesa ishte për çështje të procedurës, në zbatim të nenit 49, pika 1, ku thuhet se: “Për çështje të procedurës fjala jepet menjëherë. Janë çështje të procedurës ……., kërkesat për ndërprerjen ose shtyrjen e seancës plenare ose të diskutimeve…”.

2.16.   Pas fjalës për procedurë të Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, sipas pikës 3 të nenit 49, ku thuhet shprehimisht: “3. Në këto raste, përveç propozuesit që diskuton jo më shumë se 3 minuta, kanë të drejtë të diskutojnë një folës pro dhe një folës kundër jo më shumë se 2 minuta secili dhe merret vendim me votim të hapur nga Kuvendi me ngritjen e dorës.”, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi kërkoi të diskutonte si folës kundër 2 minuta lidhur me propozimin e bërë. Në kundërshtim me pikën 3, të nenit 49 të Rregullores së Kuvendit, Kryetari i Kuvendit nuk ia dha fjalën dhe ndërpreu seancën pa respektuar kërkesat e kësaj dispozite, dhe në mbyllje të saj u shpreh publikisht se do e jepte fjalën për procedurë menjëherë me rinisjen e seancës. Kërkesa për procedurë ishte regjistruar në sistemin elektronik të Kuvendit të Shqipërisë.

2.17.   Në rinisjen e seancës, me një skenar asgjësues për Kuvendin dhe të parapërgatitur për të mos lejuar debat parlamentar, në kundërshtim me pikat 1 dhe 3 të nenit 49 të Rregullores, në vend që t’i jepte fjalën menjëherë Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, ashtu siç Rregullorja e detyron, Kryetari i Kuvendit ia kaloi përsëri fjalën Kryeministrit Edi Rama. Për të kundërshtuar këtë mohim të të drejtës së fjalës sipas Rregullores të deputetëve të opozitës, ende pa e marrë fjalën Kryeministri, një pjesë e tyre u ngritën në këmbë, për të kërkuar respektimin e Rregullores dhe të drejtën e fjalës për procedurë, që sipas nenit 49, pika 1 e Rregullores jepet menjëherë.

2.18.   Në vend që t’i jepte opozitës të drejtën e fjalës për procedurë, Kryetari i Kuvendit ia rikaloi fjalën për procedurë Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla, një veprim që bie ndesh me nenin 49 të Rregullores, sepse i njëjti person nuk mund të marrë dy herë rresht fjalën për procedurë. Në shkelje flagrante të nenit 110 të Rregullores së Kuvendit, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, propozoi që Kryeministri të mos bënte paraqitjen në Kuvend të programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave, deputetëve t’u hiqej e drejta e fjalës, e drejta për të bërë pyetje dhe të mos zhvillohej debat për programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave, duke urdhëruar kalimin direkt në votim.

2.19.   Kryetari i Kuvendit, në kundërshtim me nenin 97 të Kushtetutës dhe pikat 3 dhe 4, të nenit 110 të Rregullores së Kuvendit, ku specifikohet se: “3. Pas paraqitjes së programit politik, çdo deputet dhe grup parlamentar ka të drejtë të paraqesë pyetje për Kryeministrin. 4. Pas përgjigjeve të pyetjeve, Kryetari i Kuvendit deklaron hapjen e debatit për programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave. Koha e debatit përcaktohet nga Konferenca e Kryetarëve, në përputhje me nenin 48 të kësaj Rregulloreje. Në përfundim të debatit, pas fjalës së kryetarëve të grupeve parlamentare, ka të drejtë të flasë Kryeministri jo më shumë se 10 minuta. Votimi nga Kuvendi i përbërjes dhe i programit politik të Këshillit të Ministrave bëhet sipas nenit 58 të kësaj Rregulloreje”, hapi procesin e votimit dhe hodhi në votim projektvendimin “Për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave”.

Raporti përfundimtar i Këshillit për Legjislacionin, që mban nënshkrimet e deputetëve përfaqësues te opozitës në këtë këshill vlerëson se:

  •        Shkeljet e pretenduara nuk janë thjesht teknike, por cenojnë drejtpërdrejt dispozitat kushtetuese dhe të drejtat themelore të deputetëve.
  •        Neni 78, pika 2 e Kushtetutës parashikon se mbledhjet e deputetëve që mbahen pa u thirrur sipas Rregullores nuk sjellin asnjë pasojë. Në rastin konkret, afatet nuk janë respektuar.
  •        Neni 83, pika 2 e Kushtetutës dhe neni 28, pika 4 e Rregullores ndalojnë shqyrtimin, e ligjeve dhe të Rregullores e cila barazohet me to, me procedurë të përshpejtuar pa kaluar një javë nga paraqitja e kërkesës.
  •        Neni 110 i Rregullores kërkon që Kryeministri të paraqesë programin politik dhe të lejojë pyetje e debat parlamentar. Asnjë prej këtyre nuk ndodhi.
  •        Neni 49 i Rregullores garanton të drejtën për fjalë për procedurë menjëherë. Kjo u mohua për opozitën dhe u abuzua nga mazhoranca.

Shkeljet e sipër përmendura nuk mund të justifikohen me procedurë, sepse nuk ka procedurë që mund të përdoret për të mohuar të drejtën e deputetëve të sanksionuar në Kushtetutë, ligje dhe rregullore. Nuk ka rregull që mund të shërbejë si mbulesë për dhunimin e thelbit të parlamentarizmit.

Në fakt, pretendimi se “procedura u respektua” është bërë refreni i mbrojtjes së Kryetarit të Kuvendit, jo vetëm  për këto shkelje, por edhe për cdo shkelje tjetër në përditshmërinë e seancave që ai drejton, sa herë që ne deputetët e opozitës i paraqesim këto shqetësime. Por një gjë duhet ta kemi të gjithë të  qartë: procedura nuk është qëllim në vetvete. Ajo ekziston për të garantuar të drejtën, jo për ta mohuar atë. Dhe kur procedura përdoret për të mbyllur gojën, për të shmangur debatin, për të përjashtuar opozitën, ajo nuk është më procedurë — është abuzim.

Në seancën e 16 shtatorit, ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit u futën në rend dite me procedurë të përshpejtuar, pa respektuar afatin minimal 7-ditor të parashikuar në nenin 83 të Kushtetutës dhe nenin 28 të Rregullores. Mbledhja u thirr pa respektuar afatin minimal të njoftimit prej 2 ditësh, siç kërkohet në nenin 27/1 të Rregullores, duke e bërë mbledhjen të pavlefshme sipas nenit 78 të Kushtetutës.

Por më e rëndë se shkelja e afateve ishte mohimi i të drejtës së fjalës për deputetët e opozitës. Kryetari i Kuvendit deklaroi se nuk do të kishte diskutim për projektvendimin, duke shkelur nenin 75 të Kushtetutës dhe nenet 46, 48 dhe 117 të Rregullores. Deputetët nuk patën mundësi të paraqesin qëndrimet e tyre, të bëjnë pyetje, të propozojnë amendamente apo të kundërshtojnë përmbajtjen e aktit. Kjo nuk është thjesht një shkelje procedurale. Kjo është një mohim i funksionit përfaqësues të opozitës.

Në seancën e 18 shtatorit, ndodhi ajo që nuk ka ndodhur kurrë më parë: Kryeministri ndërpreu fjalën e vet për t’ia dhënë një versioni të animuar të asaj që ai e quajti “ministre”. Pa dekret, pa kompetenca, pa asnjë bazë ligjore. Dhe Kryetari i Kuvendit c-bëri? Heshti. Jo vetëm heshti, por e lejoi, e mbështeti, e legjitimoi.

Në kundërshtim me nenin 110 të Rregullores, nuk u lejua paraqitja e programit nga Kryeministri, nuk u lejuan pyetje nga deputetët, nuk u lejua debat parlamentar dhe nuk u lejua fjala për kryetarët e grupeve parlamentare. Kryetari i Kuvendit kaloi direkt në votim, duke e bërë atë proces të pavlefshëm.

Relatori i mazhorancës, z. Gjiknuri, në Këshillin e Legjislacionit u përpoq ti relativizojë këto shkelje duke thënë se “jo çdo mosrespektim i Rregullores sjell pavlefshmëri absolute”. Por kur thotë këtë, harron të përmendë se Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj nr. 1, datë 16.2.2022, ka theksuar se pavlefshmëria lind kur shkelja pengon ushtrimin e të drejtave themelore të deputetëve. Dhe pikërisht kjo ka ndodhur: deputetëve të opozitës iu mohua e drejta për të diskutuar, për të kundërshtuar, për të përfaqësuar qytetarët që i kanë mandatuar.

  1. Peleshi, në këtë muaj e gjysëm në këtë funksion, nuk ka qenë garant i barazisë parlamentare, ashtu si duhet të jetë, sapo merr detyrën, sipas nenit 7 të rregullores, por zgjatim i vullnetit të Kryeministrit. Ai ka legjitimuar një praktikë të rrezikshme: përjashtimin e opozitës nga debati parlamentar.

Nga kërkesa për shkarkim dhe nga qëndrimi ynë  në Këshillin e Legjislacionit, rezulton se:

  •        Kryetari ka shkelur solemnitetin e seancës ku prezantohet programi qeveritar.
  •        Ka mohuar të drejtën e opozitës për të përfaqësuar interesin qytetar.
  •        Ka lejuar që Kuvendi të drejtohet me urdhra verbalë nga Kryeministri, duke humbur pavarësinë institucionale.
  •        Ka shkelur traditën e konsensusit parlamentar në ndryshimin e Rregullores.
  •        Ka përdhosur parlamentarizmin duke e kthyer Kuvendin në një teatër kukullash.

Kjo nuk është një çështje karakteri ose diskrecion në ushtrimin e detyrës, por një çështje standardi. Ne nuk gjykojmë individin, por modelin e drejtimit që ai ka përqafuar dhe ka imponuar në Kuvend. Dhe ky model është i papranueshëm për një Republikë Parlamentare në mes të Europës.

Të nderuar kolegë,

Kjo kërkesë e bazuar në këto shkelje, nuk është thjesht një çështje e drejtimit të një seance. Kjo është një çështje e funksionimit të Kuvendit si institucion. Është një çështje e respektit ndaj Kushtetutës. Është një çështje e mbrojtjes së demokracisë.

Sjellja e kryetarit Peleshi nuk ka qenë thjesht pasive duke heshtur. Përkundrazi, ai ka qenë aktiv në zbehjen e rolit të Kuvendit. Ai ka zgjedhur të jetë zgjatim i vullnetit të Kryeministrit. Dhe kjo nuk ndodh rastësisht. Ndodh sepse ai e pranon me dëshirë këtë rol. Ndodh sepse ai nuk e sheh Kuvendin si institucion të pavarur, por si një vegël të ekzekutivit.

Në shumë vende të botës, edhe në ato me tendenca autoritare, Kryetarët e Parlamenteve përpiqen të ruajnë një fasadë të pavarësisë. Dhe nga ana tjetër është krejt e natyrshme që cilido drejtues dhe institucion të ketë tendencën të rrisë dhe të konsolidojë peshën e institucionit që drejton.  Por rasti ynë është unik: Kryetari i Kuvendit, dhe deputetët e mazhorancës për hir të së vërtetës,  jo vetëm që nuk e kundërshtojnë zhbërjen dhe degradimin e autoritetit të Kuvendit, por e përqafojnë me zell të madh madje.

Kjo është arsyeja pse kjo kërkesë për shkarkim nuk është një akt politik i zakonshëm. Është një përpjekje për të ndalur një rrëshqitje të rrezikshme drejt një Kuvendi të heshtur, të nënshtruar, të zbrazët nga përmbajtja dhe nga funksioni i tij përfaqësues.

Sepse nëse opozita nuk ka të drejtë të flasë, të kundërshtojë, të debatojë, atëherë nuk kemi më Parlament. Kemi një sallë të heshtur, ku gjithçka vendoset paraprakisht dhe ku çdo votim është thjesht një formalitet.

Përpara së ta mbyll, dua t’i drejtohem me një apel personal dhe krejt të sinqertë kryetarit të Kuvendit

Ik përpara votimit, jep dorëheqjen. Zgjidh dinjitetin twnd pwrpara detyrws sw partisw.
Do ikësh vërtet pa dinjitet, sepse je ai që ke tentuar të heshtësh opozitën në sallën e sovranit dhe po ashtu të zerosh rolin e parlamentit në demokraci,
Do ikësh vërtet pa dinjitet, por do ta kesh cliruar Kuvendin nga drejtimi i një kryetari që kurrë nuk diti dhe nuk deshi të ngrihej në lartësinë e detyrës që ajo karrige meriton,
Do ikësh vërtet pa dinjitet, por  të paktën do t’i kthesh drejtimin e Kuvendit kryetarit të vet real, atij që sot drejton grupin parlamentar të partisë socialiste,
Do ikësh vërtet pa dinjitet, por ama do t’u kesh kursyer kolegëve të tu të maxhorancës, këtu sot, poshtërimin e të detyruarit për të të mbrojtur me votë vetëm 1 muaj e gjysëm pasi të kanë votuar si numrin 2 të shtetit.

Sigurisht, nuk kam asnjë iluzion që ju kryetar jeni i lirë t’a bëni një gjë të tillë, prandaj, në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, në emër të qytetarëve që na kanë mandatuar, në emër të respektit për Kushtetutën, ligjin, rregulloren dhe të gjitha ato vlera që na bëjnë bashkë këtu në këtë sallë, ju kërkoj të votoni pro shkarkimit të z. Niko Peleshi nga detyra e Kryetarit të Kuvendit.

Le të tregojmë, të gjithë së bashku, se ky Kuvend nuk është dhe nuk mund të jetë peng i vullnetit të një njeriu të vetëm. Le të tregojmë se demokracia nuk është një dekor, por një aspiratë për të cilën ja vlen që të luftohet me guxim përditë.

Ju faleminderit

 

About Redaksia

Check Also

Tenderi “sekret” dhe projekt faraonik/ 6.2 milionë euro për hotel luksi në rezidencën qeveritare në Dajt

Ndërsa Tirana mbytet nga smogu dhe zhurma e protestave, krerët e shtetit kanë vendosur të …