28 nëntori 1944, Shqipëria – nga një pushtim i vjetër në një pushtim të ri

Nga Sali BERISHA
Data 28 nëntor 1944 është jo vetëm dita e Pavarësisë, por mbahet edhe si dita e çlirimit të Shqipërisë. Megjithëse edhe sot pasardhësit e diktatorit stalinist vazhdojnë të kremtojnë ditën e çlirimit sipas ritit enveristo-serb me datë 29 nëntor, pra me datën e falsifikuar nga Enver Hoxha me urdhër të Beogradit, madje edhe pasi festoi dy vitet e para këtë festë me datën 28 nëntor. Rëndësia e këtij qëndrimi qëndron në faktin se Enver Hoxha falsifikoi edhe këtë datë për ta njëhsuar këtë festë jo me ditën e çlirimit, por me festën kombëtare të Federatës së Jugosllavisë, me ditën e shpalljes së saj në Jajcë, më 29 nëntor të vitit 1943. Pra ai falsifikoi datën e çlirimit në mënyrë që pas bashkimit të Shqipërisë si Republika e 7-të me Federatën e Jugosllavisë të festonin edhe shqiptarët me 29 nëntor së bashku me republikat e tjera, por natyrisht jo Jajcën, se aty nuk kishin qenë, por çlirimin e vendit. Në këtë kuadër diktatori doli me tezën se Pavarësinë e Shqipërisë e shpalli në Vlorë Ismail Bej Vlora për interesa të bejlerëve shqiptarë, ndaj dhe ajo nuk vlente. Në fakt kjo tezë u përdor edhe më vonë deri në fillimin e viteve ’60, por jo më për të lehtësuar bashkimin si republikë e 7-të me Jugosllavinë, por për të spastruar historinë dhe për të mbetur pas Skënderbeut vetëm ai si protagonist kryesor i saj.
Mirëpo, mjerisht, ende sot e kësaj dite ka shqipfolës që në shembullin e Edi Ramës, argatit të Beogradit apo Pashiqit të Tiranës, vazhdojnë të kenë si Mekë Beogradin.
Në këtë shënim unë do të ndalem në një aspekt tjetër themelor të kësaj date, në të vërtetën më të pamohueshme historike: se 28 nëntori i vitit 1944 shënoi jo vetëm çlirimin nga një pushtim i huaj, por edhe zëvendësimin e atij pushtimi me një pushtim të dyfishtë – një tjetër pushtim të huaj dhe një pushtim të brendshëm si kurrë ndonjëherë më parë. Kjo pasi në fronin e pushtetit në Tiranë u ul një klikë shqiptaro-serbe me projekt kryesor zhdukjen e shtetit të pavarur të shqiptarëve.
Sot historianë dhe studiues vendas e të huaj, me botimet e tyre serioze dhe të shumta të bazuara në mijëra dokumenta të arkivave të vendit, të atyre të aleatëve të luftës dhe vendeve të tjera, kanë rishkruar historinë në dritën e të vërtetave historike të pamohueshme. Ata me veprat e tyre tejet të rëndësishme kanë shkrirë si rrezet e diellit brymën, malin e lartë të falsifikimeve të historiografisë hoxhiste. Prandaj sot, bazuar në të vërtetat historike shkencore, është koha për reflektim të thellë nga çdo shqiptar kudo që jeton për historinë tonë në tërësi, si dhe në rastin konkret edhe rreth kësaj kohe dhe date në veçanti.
Studimet dhe botimet themelore të këtij çerek shekulli, të bazuara në mijëra dokumenta dhe raporte të kohës, kanë provuar në mënyrë shteruese se J. B. Tito dhe Partia Komuniste e Jugosllavisë, për interesa të serbomadhisë dhe me dy qëllime kryesore, themeluan me të dërguarit e tyre në nëntor të vitit 1941 në Tiranë Partinë Komuniste të Shqipërisë, si degë të Partisë Komuniste të Serbisë, të udhëhequr nga Popoviç-Mugoša.
Qëllimi i parë dhe më kryesor ishte krijimi i Kalit të Trojës, pra i një partie dhe lëvizjeje jugosllave në Tiranë të drejtuar, urdhëruar dhe përdorur prej tyre kundër çështjes shqiptare dhe interesit kombëtar të shqiptarëve.
Qëllimi i dytë ishte që, në zbatim të porosive të Kominternit pas sulmit nazist ndaj Bashkimit Sovjetik, kjo forcë dhe kjo lëvizje shqiptaro-e udhëhequr nga serbët të mobilizonte shqiptarët në luftë kundër pushtuesve. Në këtë kontekst komunistët serbo-malazezë shkruan programin e PKSH, pa iu referuar as edhe një herë Kosovës dhe çështjes shqiptare, vunë në krye të saj Miladin Popoviçin dhe emëruan rreth tij Enver Hoxhën dhe vasalët e tjerë. Pra përfaqësuesit serbo-malazezë të Partisë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ), siç pohon edhe vetë Tito, themeluan, udhëhoqën dhe urdhëruan Partinë Komuniste të Shqipërisë (PKSH) dhe njësitë e saj partizane gjatë gjithë luftës si parti dhe lëvizje jugosllave, dhe më konkretisht serbe.
Partia Komuniste e Jugosllavisë (PKJ), me Kalin e saj të Trojës – PKSH-në – arriti me sukses të bllokojë bashkimin e shqiptarëve në Shqipëri dhe në trojet e tjera, pra bashkimin e mbarë kombit shqiptar në luftën kundër pushtuesve. Ata, me ndihmën direkte të PKSH dhe Enver Hoxhës dhe shqiptarëve me origjinë nga Kosova, si Fadil Hoxha etj., që u dërguan aty me mision, arritën të vendosin Kosovën, organizatën e partisë komuniste dhe njësitë e saj guerile nën vartësinë e PKJ, pavarësisht se tashmë mbretëria e sllavëve të jugut as dhe federata e tyre nuk ekzistonin. Tito dhe PKJ, nëpërmjet lëvizjes së tyre jugosllave që themeluan në Tiranë, realizuan sa më sipër duke përjashtuar tërësisht çështjen kombëtare nga programi i PKSH.
Po në këtë kuadër ata urdhëruan vasalin e tyre Enver Hoxha për anulimin e menjëhershëm të Marrëveshjes së Mukjes, në të cilën u vendos që shqiptarët në vendet ku jetonin të krijonin një front të përbashkët lufte, si dhe injoruan edhe Marrëveshjen e Bujanit, në të cilës sanksionohej e drejta e shqiptarëve në Kosovë për të përcaktuar me votë pas çlirimit fatin e saj. Ata gjithashtu urdhëruan dërgimin e brigadave dhe divizioneve partizane të Shqipërisë në Kosovë në pretekstin e çlirimit nga gjermanët, por në fakt si pararojë e pushtimit të saj nga divizionet serbo-malazeze dhe vendosjes së saj në administrim ushtarak nga Tito.
Krahas këtyre, historianët dhe studiuesit kanë faktuar me dokumenta të pakundërshtueshme se udhëheqësit jugosllavë dhe vegla e tyre Enver Hoxha, pas shtatorit 1943, luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve e degraduan në një luftë kryesisht vëllavrasëse civile dhe se PKSH, siç pranon unanimisht vetë Enver Hoxha dhe udhëheqja tjetër e kësaj partie në Plenumin e Dytë të Beratit, zbatoi gjatë luftës një vijë politike terroriste, pra veproi si një organizatë terroriste duke kryer në dhjetëra e qindra raste akte të mirëfillta terroriste.
Studimet e dekadave të fundit, të bazuara në dokumenta të panumërta, kanë provuar se serbët dhe Enver Hoxha dhe vasalët e tyre të tjerë shqiptarë, në krye të ushtrisë partizane të Shqipërisë, kryen gjatë luftës kundër pushtuesve gjenocid dhe krime të rënda kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve. Kjo klikë terroriste dhunoi në qindra e qindra raste konventat ndërkombëtare të Gjenevës, Hagës, për mbrojtjen e popullatës civile, robërve të luftës, të sëmurëve dhe të plagosurve të luftës, etj., etj.
E vërteta të detyron, prandaj sot është në interes të çdo shqiptari, të raportit të tij me të vërtetën historike të kombit, të shtrojë pyetjen: A u çliruam vërtet ne shqiptarët, më datë 28 nëntor 1944?
Në përpjekjen për një përgjigje objektive të kësaj pyetjeje do të gjejmë se e vërteta e çlirimit tonë, dhe këtu nuk e kam fjalën për datën 28 apo 29, por për çlirimin si të tillë, është një medalje me dy faqe.
Në njërën anë është e vërtetë se, në raport me pushtimin gjerman, ne u çliruam, mbasi gjermanët, në humbje e sipër të luftës, u tërhoqën nga Shqipëria dhe ne dolëm nga Lufta e Dytë Botërore të renditur në anën e aleatëve fitimtarë.
Po këtë ditë, Enver Hoxha u instalua në Tiranë me qeverinë e tij si fitimtar dhe mbajti fjalimin e gjatë të fitores. Për këtë akt historik, flijuan jetën dhe rininë e tyre gjatë luftës mijëra djem dhe vajza, burra e gra të kombit tonë, dhe dhjetra mijëra të tjerë luftuan me guxim e vendosmëri pushtuesit nazifashistë dhe renditën kështu Shqipërinë në anën e drejtë të historisë. Nderimi për ata që flijuan jetën për idealet e lirisë do të mbetet i përjetshëm. Gjaku dhe sakrifica e tyre qëndron në themelet e lirisë sonë kombëtare. Sikundër i tillë do të mbetet nderimi edhe për të gjithë ata që luftuan kundër pushtuesve për lirinë kombëtare dhe nuk u sollën gjatë luftës si “kainë” ndaj vëllezërve të tyre, nuk kryen akte terroriste, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Ndërsa këta të fundit, për krimet e tyre, kanë përfunduar aty ku e kanë vendin, si xhelatë të popullit të tyre, në koshin e plehrave të historisë.
Dua të shtoj këtu se këto të vërteta historike nuk mund të mohohen, pavarësisht nga manipulimet dhe falsifikimet monstruoze të luftës nga historianët hoxhistë, si: rritja banale shumëfish e numrit të të rënëve, shpikja e betejave edhe të paqena, stërfryrja e humbjeve të shkaktuara armikut, etj., etj. Këto të vërteta për luftën partizane nuk mund të mohohen, sikundër nuk mund të mohohen gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit që Enver Hoxha dhe udhëheqja komuniste-shqiptaro-sllave, me falangat e veta terroriste, kreu sistematikisht gjatë luftës, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat meritojnë çdo dënim. Madje nuk mund të mohohen as karakteri vëllavrasës dhe civil që dominoi këtë luftë pasi Enver Hoxha dhe klika e tij, për qëllime të pushtetit personal dhe të urdhëruar nga padronët e tij serbë, i dhanë asaj këtë karakter pas shkelmimit nga ai të Marrëveshjes historike të Mukjes në shtator të vitit 1943.
Në idenë e saj, lufta kundër pushtuesve ishte një luftë e drejtë.
Aleatët anglo-amerikanë kishin njohur, vlerësuar, mbështetur, financuar dhe furnizuar me armë, uniforma, ushqime, specialistë ushtrinë partizane. Qeveritë e tyre kishin përshëndetur që në fillim luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve. Në mënyrë të pamohueshme, forcat partizane komuniste ishin dhe njësitë më të organizuara dhe më numerike në teatrin e luftës në Shqipëri, dhe kjo jo për shkak të mbështetjes së tyre të gjerë në popull, i cili nuk pajtohej me pushtimin e huaj. Por duhet pranuar se mbështetja e aleatëve për njësitë partizane diktohej para së gjithash nga dobësitë e pamohueshme të nacionalistëve shqiptarë. Është i drejtë dhe plotësisht i justifikuar, dhe mendoj unë i detyrueshëm, dënimi me ashpërsi i të gjitha qëndrimeve çnjerëzore antikombëtare të klikës serbo-shqiptare që udhëhoqi luftën partizane. Por është tejet i gabuar mohimi i luftës, i gjakut të derdhur dhe sakrificave që partizanët, me ndihmën e aleatëve, bënë për liri.
Nuk duhet të harrojmë asnjëherë se renditja në anën e drejtë të Luftës së Dytë Botërore pati një rëndësi të veçantë për Shqipërinë. Kjo jo vetëm për dinjitetin kombëtar të shqiptarëve, por edhe për faktin se, megjithë mbështetjen që aleatët i kishin dhënë luftës së popullit shqiptar kundër pushtuesve, ata që në krye të herës mjerisht kishin lënë të hapur – dhe këtu me sa duket nën ndikimin e Greqisë – çështjen e përcaktimit të kufijve të Shqipërisë. Sipas tyre, kufijtë e Shqipërisë do të caktoheshin pas luftës në Konferencën e Paqes. Në këtë kontekst, duhet pranuar se megjithëse luftoi në anën e aleatëve, kombi shqiptar u trajtua de facto si i humbur dhe mbeti padrejtësisht i copëtuar siç ishte para luftës, dhe akoma më keq: aleatët, me kërkesë të Greqisë, lanë për shkak të luftës italo-greke të hapur mundësinë e trajtimit të Shqipërisë si palë e humbur. Këtu qëndron, më shumë se në çdo drejtim tjetër, edhe rëndësia e pamohueshme e renditjes së Shqipërisë në anën e aleatëve, pasi renditja në anën e kundërt edhe mund të shoqërohej me ndëshkime të rënda si palë e humbur.
Por nuk duhet mohuar se çështja e vendosjes së kufijve të Shqipërisë në Konferencën e Paqes mbartte në vetvete edhe mundësinë e kërkesës nga pala shqiptare të bashkimit të Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare me Shqipërinë, natyrisht kjo në rast se shqiptarët do të luftonin të bashkuar kundër pushtuesve nazifashistë siç vendosën edhe me ndërmjetësimin e aleatëve britanikë në Mukje.
Por ana tjetër, ana e zezë e medaljes së 28 nëntorit 1944, pra datës së çlirimit, është se kjo datë, në të vërtetë, nuk do të shënonte çlirimin e vërtetë të shqiptarëve dhe të Shqipërisë; ajo ditë do të sillte zëvendësimin e pushtimit gjerman me specifikat e tij me pushtimin e ri serb-jugosllav, shumë herë më të rrezikshëm për vetë ekzistencën e kombit shqiptar, si dhe vendosjen si pushtim i brendshëm të diktaturës komuniste 46-vjeçare, më të egër, më moniste, më barbare që shqiptarët kishin njohur në tërë historinë e tyre. Kështu që kjo ditë e nëntorit të vitit 1944, në vend që të ishte dita e mrekullisë kombëtare dhe viti 1944 të ishte annus mirabilis, në fakt është dita e vendosjes së një pushtimi të zi dhe një annus horribilis për shqiptarët.
Këtu më poshtë do të ndalem shkurtimisht në vendosjen e pushtimit serb-jugosllav pas 28 nëntorit të vitit 1944 në Shqipëri.
Zëvendësimi i pushtimeve ndodhi sepse, në Tiranë, në pushtet do të vinte partia dhe ushtria e themeluar, e drejtuar dhe e udhëhequr nga serbët e PKJ dhe Tito, dhe vegla e tyre Enver Hoxha, të cilët pasi shitën e lanë Kosovën nën pushtimin serb, kishin vendosur dhe punonin së bashku me Beogradin për projektin ogurzi e antikombëtar të aneksimit të Shqipërisë si Republika e 7-të e Jugosllavisë. Pra, më 28 nëntor të vitit 1944, shqiptarët festuan çlirimin, lirinë, duke brohoritur për një klikë terroriste shqiptaro-serbe që u instalua në pushtet në Tiranë dhe ranë në një pushtim të ri të dyfishtë: pushtimin serbo-jugosllav dhe pushtimin komunist.
At Zef Pëllumbi, dëshmitar i çlirimit të Shkodrës, shkruan në kryeveprën e tij “Rrno vetëm me tregue” se: “Me datën 29 nëntor Shkodra u gdhi e mbushur me flamuj jugosllavë dhe se në kambanoren e Katedrales së qytetit, flamuri shqiptar pa yll u zëvendësua nga një partizan me flamurin jugosllav.” Pra, në qytetin e përjetshëm të shqiptarëve valëvitej flamuri i pushtuesve të rinj si dëshmi tragjike e zëvendësimit të pushtuesve. Flamuri i pushtuesit që iku u zëvendësua jo me flamurin kombëtar, por me flamurin e pushtuesit të ri.
Kështu, më 28 nëntor të vitit 1944 shqiptarët festuan çlirimin e lirinë, të mashtruar si kurrë më parë në historinë e tyre dhe duke mos e kuptuar ndoshta shumica prej tyre se pikërisht këtë datë ata hynë në një pushtim të ri. Më saktë, ata brohoritën atë ditë një klikë shqiptaro-jugosllave me në krye Enver Hoxhën, që u instalua në pushtet me projektin makabër të asgjësimit të lirisë së tyre kombëtare, pavarësisë së Shqipërisë dhe aneksimin e saj si republikë e 7-të në federatën e sllavëve të jugut të dominuar nga serbët, armiqtë shekullorë të kombit shqiptar.
Pas kësaj dite, pra 28 nëntorit 1944, instalimit në Tiranë të klikës shqiptaro-serbe të Enver Hoxhës, vendosjes së veriut të Shqipërisë dhe më pas edhe Kosovës nga Tito në pushtim dhe administrim ushtarak, genocidi dhe krimet kundër njerëzimit në Shqipëri dhe në Kosovë do të merrnin dhjetra e mijëra jetë të pafajshme ose do të largonin nga vendi mbi qindra mijëra shqiptarë. Me këtë dhunë dhe terror të egër ndaj shqiptarëve, Tito me vasalin e tij Enver Hoxha, me ushtritë e tyre partizane, do të vazhdonin të ecnin me vendosmëri në zbatimin e doktrinës së Çubrilloviçit në Kosovë, por në njëfarë mënyre edhe në veriun e Shqipërisë, dhe manu militari do të zhduknin çdo pengesë në rrugën e aneksimit të plotë të Kosovës si krahinë e Republikës së Serbisë, si dhe asgjësimit të pavarësisë së Shqipërisë dhe bashkimin e saj me Federatën e Sllavëve të Jugut, si republikë e shtatë e saj.
Aneksimi i Shqipërisë nga Federata Jugosllave ishte akti i fundit i tragjedisë së madhe shqiptare që Josif Broz Tito dhe PKSH me Enver Hoxhën po realizonin ndaj shqiptarëve. Ky akt vinte si kurorëzim i instalimit të Kalit të Trojës serb në Tiranë, injorimit total gjatë luftës nga Enver Hoxha të çështjes së Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, vendosjes së tyre në vartësi të PKJ dhe mbështetjes së plotë të pushtimit serb të këtyre trojeve shqiptare. Aneksimi i Shqipërisë si republikë e 7-të e ish-Jugosllavisë ishte një projekt i Titos dhe udhëheqjes jugosllave që në vitet e luftës. Me përfshirjen e Shqipërisë si republikë e 7-të e Federatës Jugosllave, përveç ëndrrës së vjetër të Serbisë, daljes së saj në Adriatik, Durrës, sipas tyre do të merrte një zgjidhje përfundimtare edhe problemi i shqiptarëve të Kosovës në kuadrin e Federatës së Jugosllavisë. Madje duket se për këtë projekt ata kishin bindur edhe vetë Stalinin, i cili, në takimin me Titon dhe delegacionin e tij në Moskë, sipas Milovan Gjilas, i kishte porositur që të “gllabëronin Shqipërinë”. Në të vërtetë, në dokumentin e AVNOJ-it, në nëntor 1943, udhëheqja komuniste jugosllave nuk ftoi fare përfaqësuesit e Kosovës dhe, në kundërshtim me atë që kishte premtuar, Kosovën e la si krahinë të Serbisë. Në këtë konferencë Tito shpalli në letër Republikën Federative të Jugosllavisë dhe njësitë apo republikat e saj. Ai, në këtë dokument, kishte lënë të hapur mundësinë e pranimit në federatë të republikave të tjera, natyrisht pa cituar nominalisht Shqipërinë, por duke nënkuptuar para së gjithash atë.
Kështu që pas datës 28 nëntor 1944, jo rastësisht, por në funksion të zbatimit të projektit të aneksimit të Shqipërisë nga federata e Titos, në zyrat e pushtetit të ri në Tiranë, në të gjitha nivelet e tij, në parti, qeveri, ushtri, polici, sigurim, arsim, tregti, ndërtim, miniera etj., do të vërshonin mijra këshilltarë jugosllavë, vendimmarrësit e vërtetë të vendit. Jugosllavizimi me shpejtësi dhe në çdo qelizë i shtetit dhe shoqërisë shqiptare ishte misioni i tyre kryesor. Madje, autoritetet jugosllave, me lejen e Hoxhës, do të instalonin në Shkodër legalisht një seksion të shërbimit të tyre famëkeq OZNA, që vepronte e ushtronte terror njëlloj si në Kosovë, i pavarur dhe me autoritet të plotë mbi qytetarët shqiptarë në mbarë veriun e vendit. Ky seksion i OZNA-s, në mënyrë të pavarur nga autoritetet shqiptare, ndalonte, arrestonte, rrëmbente e paketonte për në ish-Jugosllavi, madje edhe pushkatonte brenda territorit të Shqipërisë qindra e qindra shqiptarë, të cilët ky shërbim i konsideronte anti-jugosllavë.
Në bashkëpunim të ngushtë me këshilltarët e Titos, dhe me zell e entuziazëm të veçantë, udhëheqja komuniste e Shqipërisë do të përfundonte dhe do të firmoste me shpejtësi të rrufeshme, që në muajin dhjetor të vitit 1944, Traktatin e Bashkëpunimit dhe Ndihmës së Dyanshme midis Tiranës dhe Beogradit, si paradhomë ligjore e bashkimit midis dy vendeve. Traktatin rrufeshëm e firmosi vetë Marshalli Tito.
Të dy qeveritë, po në procesin e bashkimit të plotë të dy vendeve, firmosën një seri marrëveshjesh të tjera për bashkimin ekonomik, doganor dhe monetar. Krejt ndryshe nga sa paraqitej më vonë nga historianët hoxhistë, E. Hoxha firmosi dhe pranoi që të dislokoheshin në Shqipëri divizione të ushtrisë jugosllave dhe, pas kësaj, ai i propozon Titos bashkimin e ushtrive me një komandë dhe shtatmadhëri të përbashkët, pra unifikimin e komandës ushtarake të të dy ushtrive.
Në sistemin arsimor të vendit, në të gjitha nivelet, serbishtja do të bëhej gjuhë e detyruar. Të gjitha shkollat, klasat dhe oborret e tyre buçisnin nga këngët dhe brohoritjet për Marshallin Tito. Muzika, folklori, prodhimet e tjera artistike jugosllave do të mbushnin boshllëkun e krijuar me ndalimin e veprave letrare-artistike të shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë që nuk kishin mbështetur apo kishin kundërshtuar vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri. Enver Hoxha do të mbante fjalime në Kuç e gjetiu kundër Fishtës, do të krahasonte gjeniun e epikës së letrave tona me Vladan Gjorgjeviçin, ish-kryeministrin serb në vitin 1913, që kishte kryer masakrat më të mëdha ndaj shqiptarëve dhe ishte shprehur se “shqiptarët janë njerëz primitivë”.
Ekonomia shqiptare u vendos e tëra në duart dhe kontrollin e dhjetra e qindra ndërmarrjeve jugosllave që u krijuan me shpejtësi në Shqipëri. Të gjitha shkëmbimet tregtare bëheshin pothuaj ekskluzivisht me Beogradin. Vetëm në këto shkëmbime, ndër të tjera, Beogradi grabiste nga Shqipëria sasinë kolosale prej mbi 200 tonësh flori dhe mijra tonësh mallra të tjera, të cilat pushtetarët komunistë ua konfiskuan me gjak e hekur tregtarëve, sipërmarrësve e qytetarëve shqiptarë dhe morën nga Jugosllavia si kundërvlerë punishte, vagona e hekurishte pa vlerë. Për Enver Hoxhën dhe suitën e tij serbofile antishqiptare, zhdukja nga harta e Shqipërisë së pavarur, bashkimi i saj me Federatën e Jugosllavisë si republikë e 7-të e saj, ishte e ardhmja më e mirë, më e sigurt për kombin shqiptar.
Në kontekstin e aneksimit të Shqipërisë, asgjësimit të pavarësisë së saj, në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 8 janar 1945, Enver Hoxha, si promotor kryesor i bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë, propozon “bashkimin e PKSH me PKJ, mbi baza federative, me Sekretar të Përgjithshëm të PKSH Marshallin Tito, si kusht i domosdoshëm i bashkimit të Shqipërisë me Federatën Jugosllave”. Vendosmërinë e tij për zhdukjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe bashkimin e saj si republikë e 7-të me Federatën Jugosllave, Enver Hoxha do ta dëshmonte edhe nëpërmjet një letre drejtuar Josif Broz Titos, lidhur me bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë. Në këtë letër, ndër të tjera, Enver Hoxha shkruan: “nga shoku Savo na është sugjeruar … një hap tjetër përpara në lidhje me formimin e shteteve tona, d.m.th. në rast se shkohet sa më shpejt në bashkimin e dy popujve tanë”, dhe se “ky bashkim s’ka asgjë formale por ndihet thellë në zemrat e popullit tonë. Ne duhet të punojmë konkretisht për federatën dhe për këtë gjë, në vendin tonë punohet me të gjitha format”, dhe vazhdon: “por çështja që ne duhet të marrim iniciativën e parë për të kërkuar këtë gjë, sikundër na është sugjeruar nga shokët jugosllavë që përmenda më lart”, dhe lidhur me këtë çështje Hoxha vazhdon: “ne kemi nevojë të na thuhet nga ju nëse ka ardhur momenti kur ne duhet të marrim në shqyrtim çështjen e bashkimit dhe të mbërrijmë në konkluzione”, dhe së fundi: “ne kemi bindjen se, sikundër Komiteti Central i Jugosllavisë do të na sqarojë dhe do të na këshillojë hapat dhe shoqërisht mbi këtë çështje të rëndësishme për të dy vendet tona”.
Po në këtë linjë është edhe deklarata e Titos, dhënë agjencisë AP në vitin 1946, se “Kosova dhe territoret e tjera shqiptare do t’i aneksohen Shqipërisë”. Kjo deklaratë është bërë vetëm e vetëm me projektin e “gllabërimit të Shqipërisë etnike”, pra Shqipërisë, Kosovës dhe territoreve të tjera shqiptare, si dhe shndërrimin e tyre në Republikën e 7-të të Jugosllavisë.
Ky projekt ogurzi, në të cilin ora e kombit shqiptar kishte ndaluar dhe ecte me orën e Beogradit, që po shkonte i sigurt dhe pa ndalur drejt realizimit të tij, do të dështonte vetëm për shkak të keqësimit dhe prishjes së shpejtë të marrëdhënieve midis Stalinit dhe Titos, prishje kjo që nuk kishte asnjë lidhje me Shqipërinë apo marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, por që, sigurisht, tani Stalini nuk do të pranonte aneksimin nga armiku i tij Tito të Shqipërisë.
Këto të dhëna dëshmojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se ajo që quhet datë çlirimi dhe që e majta shqiptare në tërësi, që nga Enver Hoxha deri te neobllokmenët e sotëm e Edvin Kristaq Rama, e mbajnë për arsye të mirëfillta ideologjike si kryefesten e tyre, e festojnë gjithnjë më shumë se çdo festë tjetër, është njëkohësisht për kombin shqiptar një ditë me hipotekë të zezë, madje më e zeza në kalendarin e shtetit shqiptar. Kjo ditë shënon largimin, tërheqjen e gjermanit të fundit nga Shqipëria dhe vendosjen e pushtimit të ri dhe të plotë të shqiptarëve nga serbët, armiqtë e tyre shekullorë. Shqiptarët dhe serbët në shekuj ishin përballur dhjetra e qindra herë. Nga mesi i viteve 1800 e këtej serbët i kishin fituar në tërësi të gjitha luftërat kundër shqiptarëve, kishin dalë në Durrës dhe pushtuar shumicën e territoreve të tyre, kishin kryer genocidet dhe masakrat më të tmerrshme ndaj tyre. Por në të gjitha këto luftëra serbët kishin pasur ndihmën politike, ushtarake e financiare të perandorive më të mëdha të kohës, përveç Austro-Hungarisë. Ndërsa fitoren e tyre më të madhe ndaj kombit shqiptar, fitoren e 28 nëntorit 1944, serbët e arritën jo me mbështetjen dhe ndërhyrjen direkte në anën e tyre të Fuqive të Mëdha, por e realizuan nëpërmjet shqiptarëve, lëvizjes jugosllave që themeluan dhe udhëhoqën në Shqipëri dhe Kosovë me Enver Hoxhën dhe veglat e tyre. Tragjike është se sot, pas 80 vitesh, e majta shqiptare në Shqipëri, me në krye argatin e Beogradit Edi Ramën, megjithëse ish-pushtuesit e asaj kohe janë miqtë dhe partnerët tanë strategjikë, mban si kryefeste të saj ditën e largimit të gjermanit të fundit nga Shqipëria dhe ditën e parë të pushtimit serb, dhe kjo vetëm si trashëgimi të etërve barbarë e tradhtarë. Edvin Kristaq Rama, pas 8 dekadash, deklaron para shqiptarëve se ai ka mik dhe është krenar me miqësinë me presidentin serbomadh Aleksandar Vuçiç, ish-Goebbels-i i Millosheviçit, i cili gjatë vizitës së tij të fundit në veriun e Kosovës do të betohej se Serbia do të bëhet më e madhe, vetëkuptohet duke marrë dhe spastruar territore të tjera të Kosovës.
Në mënyrë të përsëritur ky serbomadh do të deklaronte se qëllimi i udhëheqjes shqiptare në Kosovë është “shkatërrimi i shtetit tonë”, dmth ai kërkon të mbajë shtetin e Serbisë në republikën e pavarur të Kosovës.
Pas dy dekadave të çlirimit të Kosovës, argati i Beogradit në Tiranë, apo Pashiqi i Tiranës, njëlloj si dikur Enver Hoxha, Miladinet, Dushanet, Fadilët e Hoxhët, mban në duar dhe tund flamurin e zi të Serbisë së Madhe. Në projektin e ndarjes dhe copëtimit të Kosovës, Edvin Kristaq Rama, në akt tradhtie të hapur kombëtare, lidhi Shqipërinë në aleancë trilaterale Beograd-Shkup-Tiranë dhe vendosi Kosovën në darën e klikave armiqësore serbo-shqiptaro-maqedonase në nismën “Ballkani i Hapur”, me të cilën, së bashku me patronin e tij, iu kundërvunë haptas nismës së BE-së, Procesit të Berlinit.
Pas agresionit barbar të Rusisë së Vladimir Putinit ndaj Ukrainës dhe vendosjes së sanksioneve nga Bashkimi Europian dhe NATO ndaj Rusisë, Putini i vogël i Ballkanit, Aleksandar Vuçiç, refuzoi zbatimin e këtyre sanksioneve. Edi Rama, si vasal i Vuçiçit, kalonte nga samiti në samit duke bërë haptas thirrje që të mos i kërkohet Serbisë të zbatojë sanksionet dhe duke mbrojtur drejtpërdrejt padronin e tij dhe shndërrimin e Serbisë në një prapavijë të fuqishme të Rusisë, de facto më shumë se kurrë, në një “Rusi të vogël” në Ballkan. Ndërkohë, ky armik i egër i kombit shqiptar do të ishte i pari në Europë që, në një akt të turpshëm dhe armiqësor, vendosi sanksione ndaj Kosovës.
Përveç këtyre, Edi Rama, si vasal i Beogradit, po zbaton në Shqipëri politikën e Vaso Çubrilloviçit, shpopullimit dhe shkombëtarizimit kombëtar. Me dhunën, terrorin, vjedhjen e votës, grabitjen e miliarda e miliardave eurove nga fondet dhe pasuritë publike të shqiptarëve, më keq se çdo pushtues tjetër në tërë historinë e tij, ai shndërroi Shqipërinë në vendin ku krimi shndërrohet në votë dhe vota shndërrohet në krim, dhe shqiptarët në popullin e gomoneve e të braktisjes së vendit të tyre. Me armën e varfërisë dhe vrasjen e shpresës, në 10 vite vetëm në hapësirën e Shengenit emigruan 1.1 milionë shqiptarë, apo 38% e popullatës, dmth më shumë se në çdo luftë civile të ndonjë kombi tjetër.
Ramaduro, siç e quajnë sot mediat amerikane, ka përqendruar të gjitha pushtetet në duart e tij, ka krijuar narko-shtetin e parë dhe të vetëm në Europë të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve. Ndaj sot, për çdo shqiptar, thirrja është për betejë pa kthim për të përmbysur regjimin e tij.
P.S. Ky artikull ribotohet çdo vit këtë datë, por me ndryshime për shkak të aktualitetit.
Shtoj gjithashtu se në këtë shkrim unë u ndala vetëm në njërin aspekt tragjik që mbart në vete ajo që festohet si ditë çlirimi dhe jo në aspektin e saj më katastrofal, si dita e parë e vendosjes së diktaturës më barbare të të gjitha kohërave në Shqipër, diktaturës hoxhiste.

About Redaksia

Check Also

Manifest ideor i të djathtës shqiptare (vazhdim)

Nga Nikola KEDHI IIC. Shteti i së Drejtës: Ligji si kufi i pushtetit, jo si …