Kryetari i PD, Sali Berisha, në konferencën për media ngriti sërish alarmin për shpopullimin masiv të vendit, të cilin e cilëson si goditjen më të rëndë ekzistenciale që ka përjetuar kombi shqiptar në historinë e tij moderne.
Berisha paralajmëron se, Shqipëria po përballet me një katastrofë demografike pa precedent, duke theksuar se nevojitet urgjentisht një platformë kombëtare për të ndalur trendin që, sipas tij, po e çon vendin drejt boshatisjes.
“Shpopullimi masiv i Shqipërisë përbën goditjen më të rëndë ekzistenciale që kombi shqiptar ka marrë në tërë historinë e tij të gjatë.
Kurrë ndonjëherë, treguesit themelorë të popullsisë të këtij vendi, nuk kanë rënë brenda 10 viteve një shekull.
Nuk është regjistruar kurrë një kastastrofë e tillë demografike, siç është regjistruar në 10 vitet e qeverisjes së Eid Ramës 2014-2024.
Lindshmëria në Shqipëri sot është e barabartë me lindshmërinë që kishte kur shqiptarët ishin 700 mijë banorë, 100 vite më parë.
Jam ndalur shumë herë në këtë akt të planifikuar që përbën një gjenocid të vërtetë ndaj shqiptarëve në kuptimin e krijimit të kushteve për largimin nga vendi i tyre.
Konventa e OKB, neni 3 i saj, shpall këtë rrethanë si një rrethanë të gjenocidit të heshtur, paqësor që mund të ushtrohet ndaj një populli.
Ky gjenocid tejkalon në përmasat e veta çdo lloj katastrofë demografike që shqiptarët kanë përjetuar nga Mesjeta gjer sot, qoftë nga pushtimet, qoftë nga epidemitë e murtajës dhe epidemitë e tjera të rënda.
Sot është emergjencë absolute vendosja e një platforme, e cila të mund të shënojë kthesën e treguesve demografikë të popullit shqiptar, në mënyrë që ky popull të mos shkojë drejt zhdukjes të pashmangshme me këto tregues që ka sot.
Nga viti 2018 gjer sot, vdekjet në Shqipëri janë qartësisht më të larta se lindjet.
Po të shtojmë këtu edhe largimet masive nga vendi, boshatisja e Shqipërisë është e garantuar”, tha Berisha.
Gazeta RD