Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë një konference shtypi tha se, protesta do të ndalet vetëm me rrëzimin e Edi Ramës ose shuarjen e opozitës.
“Së pari, do sqaroj, ky është një proces inaugural, në kuptimin e asaj që ne zbresim në fushë pasi kemi bërë çdo detyrë, pasi kemi faktuar çdo gjë, të betuar që do vazhdojmë luftën tonë gjer në përmbysjen e regjimit.
Kjo është.
Ne e filluam këtë me foltoren para kryeministrisë.
Jo të paktë ishin ata që e përqeshën atë. Gabuan.
Ajo kishte një mesazh, se ai shesh do jetë sheshi i lirisë.
Vazhduam në parlament, pasi opozitës iu mor çdo hapësirë kushtetuese.
Zbresim në shesh pasi Edi Rama përdori Gjykatën Kushtetuese, organin më të lartë, për të firmosur licencën e vjedhjeve të tij dhe qeveritarëve të tij pa u shqetësuar.
Dolëm në shesh pasi Edi Rama bllokoi tentativën e fundit të prokurorëve për heqjen e imunitetit.
Pra, këtë protestë do ta merrni si një proces, i cili ndalet, edhe njëherë, proces që do jetë një ansambël i tërë, dhe ndalet vetëm me rrëzimin e Edi Ramës ose shuarjen e opozitës”, u shpreh Berisha.
Gazeta RD