Nga Ndriçim KULLA
“Vdekja ka një reputacion të keq”, shkruan filozofi Robert Redecker. “Vetëm njerëzit shpirtërorë, mistikët dhe ca të dëshpëruar e presin me padurim. Shumica e njerëzve të tjerë arratisen prej saj, i shmangen sa më shumë që të jetë e mundur, duke u munduar ta zgjasin sa më shumë çastin kur mund të gjenden të rrëmbyer në vorbullën e saj”. Vetëm se për udhëheqësit e urryer dhe veçanërisht diktatorët, raporti i tyre me të është me të vërtetë brutal. Të njëjtat simptoma duket se po shfaq edhe kryeministri ynë. Aq më tepër që ai e ka shprehur publikisht, në disa raste intervistash, në periudha të ndryshme të jetës së vet, se ka një raport frike dhe paniku ndaj saj. Megjithatë, ka rreth 6 muaj, që në atë verë të tmerrshme skandalesh dhe ngjarjesh bombastike në qeverinë e vet të goditur mu në zemër nga SPAK, ku gjendja e tij në raport me publikun, drejtësinë dhe deklaratat ndërkombëtare, ka ndryshuar drastikisht.
Është një 6 muajsh shfazimesh mendore, ku intensiteti i tij i ankthit dhe panikut ka arritur majat, duke kaluar në kufijtë e ilaritetit. I bën karshillëk kujtdo që nuk duhet, bën batuta pa kripë e tallje me zarar me partnerët tanë më të mëdhenj strategjikë, dhe arrin deri aty sa insinuoi një ndryshim kahu raportesh me Kinën, që ne na quakërka “një pikë mjalti në Evropë”. Ky nuk është një guxim prej budallai, as një strategji e mirë menduar, sepse Rama nuk është as trim e as nuk ka karakteristika burri ose qëndrese kurrë, ky është makiavelizëm i stilit bizantin, që në psikikën e piktorit, përkon plotësisht me kohën e duhur kur shëndeti i tij mendor ka arritur të shfaqë simptomat më të qarta të thanatofobisë. Edhe në manualet klinike, çrregullimet e forta mendore e depresive që karakterizojnë këtë gjendje tmerri dhe paniku ndaj vdekjes ose procesit të saj, fillojnë e lartësohen gradualisht në një periudhë prej 6 muajsh. Nuk duhet ngatërruar kjo fobi vetëm me vdekjen fizike, dhe ky është pikërisht rasti i kryeministrit tonë. Kemi të bëjmë me një intensitet të paparë ankthi e frike për vdekjen e tij politike, sociale, historike dhe dinjitare.
Të gjitha këto 4 kurba të veçanta çrregullimesh gërshetohen në këtë sëmundje të nëpërdukshme që e ka zënë, përndryshe nuk shpjegohen dot budallallëqet dhe absurditetet ligjore dhe mediatike që nxjerr nga goja. Shan e shantazhon drejtësinë, nuk mban kurrfarë peshë faji a përgjegjësie në raport me qytetarët dhe helmon pa sens dhe në mënyrë irracionale marrëdhëniet me SHBA dhe administratën amerikane Tramp. Të gjitha këto përkojnë me shkaqet objektive të një sëmundje të rëndë mendore që e kapluar nga frika e humbjes së pushtetit, nga frika e burgosjes dhe humbjes se lirisë fizike, nga frika e zhdukjes me turp e skandal të emrit në mënyrë përfundimtare nga faqet e historisë shqiptare. Për një njeri që ka një raport të përçudnuar me vdekjen, të gjitha këto frikera e paniqe barazohen me kushtet më objektive të mundshme të thanatofobisë socio-historike.
I gjithë ky ankth i vazhdueshëm e depresiv, për rrjedhim, ashtu sië pohojnë mjaft psiko-analistë, arrin ti shkaktojë një çrregullim dhe ndryshim radikal e deri brutal të jetës se përditshme. Kjo e bën jo vetëm të pavlefshëm e të padobishëm si kryeministër, por të rrezikshëm dhe të pezullueshëm nga aftësia për të kryer detyrën e vet. Është një person me çrregullime të ashpra e stresante çdo ditë, pra praktikisht një i pezullueshëm funksional. Aq më tepër që si pasojë e drejtpërdrejtë e një gjendje të tillë është edhe sëmundja tjetër mendore e njohur si agorafobia, ose ndryshe frika dhe ankthi i të mos qenit i aftë të ikësh ose të arratisesh nga një vend ose detyrë jo më familjare ose e pranueshme për të.
Kryeministri ynë më mirë do të zhdukej nga sytë këmbët po të donte, po të mundej, jo vetëm nga detyra e posti, por edhe nga Shqipëria me këtë ankth intensiv që po jeton nga afrimi i vdekjes politike. Por jo, nuk mundet. Nuk e lënë bandat, nuk e lënë padronët globalistë që i kanë dhënë një altoparlant qesharak të shajë Trump dhe SHBA e të mbrojë civilizimin kinez para atij perëndimor, ku populli ynë admiron. Nuk e lënë, por e kanë kthyer palaçon e oborrit sorosian, të agorasë së ndikimit të tij, për ta degjeneruar deri në vdekje. Është pikërisht kuptimi ideal i agorafobisë.
Me këto dy çrregullime konstante, intensivisht në rritje çdo ditë, me këto dy fobi brutale për shëndetin dhe karakterin e një njeriu, sado i lig e diktator qoftë ai, unë po filloj të ndjej dhembshuri, empati. Po më dhimbset, por më shumë e më tmerrshëm po më dhimbset Shqipëria që gjendet e shtrënguar të durojë shkarkesat psiko-shëndetësore të depresionit dhe panikut që ato shkaktojnë. Një popull si yni nuk e meriton një udhëheqës të tillë vërtet të sëmurë, tashmë me manuale klinikë të mirë-përcaktuar shkencërisht, lëre më politikisht.
Nëse nuk reagon dhe lufton kundra kësaj gjendje për ta hequr qafe nga pushteti këtë njeri, bashkë me sjelljet e tij të çrregullta psiko- fizike, këto dy fobi do të sjellin dalëngadalë atrofizimin dhe vdekjen administrativo-shtetërore të gjithë vendit. Një i sëmurë me një manual të tillë klinik, nuk mund të sëmurë të gjithë shtetin dhe shoqërinë shqiptare. Tanimë nuk është në lojë vetëm politika, por vetë jeta jonë e përditshme, vetë mbijetesa jonë, nga molepsja totale me sëmundje të tilla katastrofale psiko- sociale.
Gazeta RD