Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, opozita nuk synon marrjen e pushtetit me dhunë, por përmes një kryengritjeje të zgjatur dhe paqësore, të cilën ai e cilëson jetike dhe vendimtare për fatin e Shqipërisë.
Në bashkëbisedimin me qytetarët, ai deklaroi se largimi i mazhorancës aktuale mund të arrihet vetëm përmes qëndresës civile dhe mobilizimit të gjerë opozitar, duke shtuar se PD po bën përgatitjet për një lëvizje paqësore që, sipas tij, do të çojë në shpëtimin e vendit nga ajo që e quan një bandë kriminale në pushtet.
Fatos Doçi: Përshëndetje doktor, edhe sa do të vazhdojmë ta trajtojmë këtë bandë kriminale në mënyrë paqësore. Ne jemi PD apo jemi media që merremi vetëm me denoncime, sepse iku dhe janari.
Sali Berisha: Pyetja juaj është e drejtë. Ne jemi PD, do të ndalemi këtu. Çfarë do të thotë kjo. Ne jemi partia që nuk e kemi synuar kurrë pushtetin me dhunë, përkundrazi, kur këta e kanë marrë me dhunë pushtetin ne i kemi përzënë me votë.
Ne besojmë se me një kryengritje paqësore të qëndrueshme, është plotësisht e mundur largimi i tyre nga pushteti. Ndaj dhe duhet të krijojmë një bindje të gjerë, tek qëndrestarët, opozitarët, tek të gjithë ata që duan të shpëtojnë Shqipërinë nga kjo e keqe; se një kryengritje e zgjatur, paqësore është jetike dhe vendimtare për fatin e Shqipërisë, për shpëtimin nga kjo bandë, organizatë kriminale të vendit.
Po bëjmë përgatitjet tona dhe besojmë se shumë shpejtë qytetarët, opozitarët do të jenë të gatshëm për këtë akt, proces, lëvizje.
Gazeta RD