Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Gjermanisë ku do të marrë pjesë në edicionin e 62-të të Konferencës së Sigurisë në Mynih. Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Kurti në margjina të samitit do të ketë edhe takime bilaterale. Ndërkohë kryeministri Edi Rama nuk do jetë pjesë e konferencës.
Në një konferencë me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se Ramës ” i mbyllin edhe dyert e Konferencës së Mynihut’. Sipas tij, ky nuk është thjesht një incident protokolli, por një ‘ndëshkim diplomatik i hajdutit që mbron Lubinë’, duke iu referuar kështu bashkëpunëtorëve të ngushtë të kryeministrit.
Edhe presidentja Vjosa Osmani parashihej të ishte pjesë e Konferencës në Mynih, por pjesëmarrjen e anuloi me arsyetimin se ka angazhim institucional dhe prioritete që lidhen me zhvillimet brenda vendit.
Konferenca e 62-të e Mynihut do të mbahet nga 13 deri më 15 shkurt, ku pritet të marrin pjesë qindra udhëheqës botërorë, përfshirë edhe nga Kosova. Në Mynih përveç kryeministrit Kurti, pritet të jetë dhe shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti.
Lufta e Rusisë në Ukrainë, që në fund të shkurtit hyn në vitin e pestë, pritet të jetë temë kryesore e diskutimeve në Konferencë, por edhe tensionet që kanë të bëjnë me Iranin.
Gazeta RD