Deputeti i PD, Klevis Balliu, në një deklaratë për mediat nga kryesia e Kuvendit tha se, kryeministri Edi Rama po mbron Belinda Ballukun, e akuzuar për të paktën 11 tenderë me vlerë mbi 1 miliard euro dhe në rrugë që po shemben të gjitha, kurse qytetarët përfundojnë në burg për mospagesë uji dhe dritash.
Ai vuri në dukje sjelljen me dy standarde të kreut të mazhorancës, i cili për qytetarët zbaton burgosjen, kurse për zv/kryeministren e pandehur për abuzime, e shkarkuar dhe pezulluar, e merr në mbrojtje, duke i dalë kundër drejtësisë dhe rrezikuar integrimin e vendit.
“Rama ka zgjedhur të dalë hapur në mbrojtje të Ballukut, duke rrëzuar kërkesën e SPAK. Kjo është mbrojtje dhe përpjekje e Ramës për të mbrojtur sistemin që ai ka ndërtuar. Nëse sot kryeministri flet për standarde dhe drejtësi, është e domosdoshme të theksohet se nuk bëhet fjalë për qytetarët, ata vazhdojnë të arrestohen edhe sot. Qytetarët përballen me paraburgim dhe ndjekje penale, kurse qeveria i paraqet si zbatim të shtetit ligjor. Nuk mund të harrohen arrestimet e qytetarëve për mospagesën e energjisë elektrike, u ndoqën penalisht, madje një prej tyre u vetëvra në qeli”, tha Balliu në fjalën e tij.
Ai renditi edhe çështjet e aferave korruptive të dyshuara me vlerë miliarda euro të qeverisë dhe ministres së linjës, Balluku, që nga rrugët që shemben, afera Porto-Romano, Tigrat 1 dhe 3 dhe Porti i Durrësit.
“Një zyrtare është e akuzuar për abuzimin me 11 tendera dhe me vlerë mbi 1 miliardë euro. Rama-Balluku sot akuzohen për 23 rrugë për të cilat janë abuzuar miliarda euro dhe rrugët po shemben. Sot akuzuesi i Rama-Balluku janë Porti i Durrësit, Porto Romano, Tigrat 1 dhe 3 ku janë abuzuar miliona euro”, tha deputeti.
Ai vlerësoi se kryeministri po bënte kurban Shqipërinë në rrugën e integrimit në BE për të mbrojtur Ballukun. Në fund apeloi për qytetarët që nesër më 12 mars, kur diskutohet kërkesa e SPAK në Parlament për heqjen e imunitetit të Ballukut, që mazhoranca refuzon ta pranojë, të mblidhen para Kuvendit në protestë.
“Sot Balluku nuk pranon të bëhet kurban i Ramës ndaj dhe Rama ka vendosur të bëjë kurban Shqipërinë për integrimin në BE. Ndaj të bashkohemi kundër korrupsionit dhe mbrojtjes së shtetit ligjor. Nesër në 12 të bashkohemi para parlamentit, zëri i qytetarëve përballë këtij pushteti”, përfundoi Balliu.
Gazeta RD