Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, opozita dhe qytetarët shqiptarë janë forca kryesore që mund të largojnë nga pushteti kryeministrin Edi Rama.
Berisha theksoi se, beteja politike kundër qeverisë, të cilën ai e cilësoi si “narkoregjim”, po hyn në një etapë të re dhe vendimtare, duke bërë thirrje për mobilizim qytetar për ndryshim politik në vend.
Berisha: Sytë e miqve tanë, e miqve të Shqipërisë, janë të drejtuar tek opozita shqiptare, sepse natyrisht ata kanë qëndruar dhe qëndrojnë për shtetin ligjor në Shqipëri. Ne jemi shumë mirënjohës.
Qeveria e SHBA në mënyrë të përsëritur ka folur për kartelet e drogës dhe lidhjet në nivelet më të larta të pushtetit. Por problemi është se, leva e Arkimedit për largimin e Edi Ramës jemi vetëm ne, janë qytetarët shqiptarë është opozita shqiptare.
Kështu që nesër shënon një etapë të re vendimtare, në betejën tonë për përmbysjen e këtij regjimi, armiqësor në të gjithë qenien e tij ndaj Shqipërisë, shqiptarëve, kombit, të sotmes dhe të ardhmes së tyre.
Me besim të madh tek qytetarët shqiptarë se do ti dalin zot ëndërrës së tyre më të bukur, interesit të tyre kombëtar, interesit të tyre personal, familjar, të fëmijëve të tyre, opozita do të udhëheqë kryengritjen paqësore gjer në rrëzimin përfundimtar të këtij regjimi antishqiptar, armiqësor të shqiptarëve.
Ndaj dhe duke denoncuar me forcën më të madhe këtë zhvillim tmerrësisht negativa dhe me pasoja për vendin, le ti zotohemi Edi Ramës se, ai nuk do të gëzojë kurrë këtë që mendon, dhe se në rast se mendon ti shpëtojë një prokurori, nuk do ti shpëtojë kurrë lëkurën e tij nga populli shqiptar, nga qytetarët shqiptarë.
Faleminderit!
Faleminderit!
Gazeta RD