nga Bujar Leskaj
Viti 2021 do të mbahet mend në historinë e shqiptarëve si viti i konsolidimit të sektit Rama në kurriz të shqiptarëve, përmes vjedhjes shumëplanëshe të zgjedhjeve, kapjes së Shtetit, kapjes së institucioneve të pavarura, si dhe blerjes së medias dhe të shoqërisë civile. Shënon vitin ku korrupsioni u bë legjitim, ku koncesionet e formës Partneritet Publik-Privat(PPP) u vunë në piedestal të buxhetit dhe politikave qeveritare, ku rinia dhe profesionistët shqiptarë vijuan masivisht të emigrojnë dhe ku borxhi i stërmadh publik u barazua me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). Dhe “qershia” mbi tortë, 2021-i është edhe viti i rrjedhjes famëkeqe publike të të dhënave për rrogat e 650 mijë qytetarëve të këtij vendi, që punojnë në në sektorin publik dhe privat, si dhe të të dhënave të tjera personale.
Shqiptarët panë Atdheun e tyre më lakuriq dhe më të pambrojtur se kurrë më parë. Sot tingëllojnë kaq aktuale vargjet e shkruara 58 vite më parë, në vitin e largët 1963, nga poeti-martir dhe pa varr, Trifon Gjagjika, i pushkatuar nga Diktatura:” E pashë Atdheun lakuriq/(vetëm pa miq e shokë)/mundohej të këpusë një degë dafine/nga lavdia e shekujve…”.
Kur bien sistemet e sigurisë të një shteti, degradohet i gjithë shteti!
Qeverisë së Ramës i ka mbetur një sistem i vetëm në këmbë, ai i papërgjegjshmërisë absolute. Në sajë të papërgjegjshmërisë dhe të kërkimit zero të llogarisë, të ngritur në sistem, sot gjithkush mund të futet e të na marrë të dhënat e kartës së identitetit dhe çdo të dhënë tjetër financiare e personale.
Ndërsa ne si qytetarë, nuk kemi të drejtë dhe akses real të dimë si shpenzohen paratë tona, si zhvillohen tenderat, kush janë kompanitë që marrin miliona euro nga taksat tona. Ne sot, për shkak të menaxhimit skandaloz qeveritar, mund të na dinë gjithshka: numrin e kartës së identitetit, rrogën, kreditë në banka, automjetin dhe targën, por ne si qytetarë që me taksat tona e mbajmë këtë shtet, nuk kemi mundësi të dimë se kush i merr paratë tona me sigla kompanish ekzotike apo guackë nëpër tendera publikë, në kufirin limit të fondeve, apo me vlerë më të lartë se pjesëmarrësit e tjerë. Madje edhe deputetët e Kuvendit nuk e kanë këtë akses. Në rrugë zyrtare, këtë muaj i kërkova Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në fillim të dhjetorit të këtij viti, në cilësinë e anëtarit të Kuvendit, informacion mbi studimin e fizibilitetit, vlerën e ofertave financiare dhe të planeve të biznesit të kompanive pjesëmarrëse në tenderin publik për Projektin e Portit Turistik “Marina Vlore”, Aeroportit të Vlorës dhe Tunelit të Llogarasë. Ministria më ktheu përgjigje se pjesën më të rëndësishme të këtyre informacioneve nuk mund t’i japë, pasi janë konfidenciale, sepse kështu kanë vendosur t’i vlerësojnë autoritet përgjegjëse për shkak të kërkesës për t’i konsideruar konfidenciale nga ana e kompanive pjesëmarrëse (?!). Cfarë ironie!
Ky është Shteti ynë sot, shteti-parti i patronazhistëve të Rilindjes. Zotëron të gjithë informacionin personal kyç të qytetarëve (të dhëna për kartat e tyre të identitetit, për të ardhurat, për automjetet që kanë, për pronat në hipoteka, për marrëdheniet e tyre me bankat, etj.), të mbrojtur nga ligji nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, dhe e bën pronë të kujtdo nëpërmjet rrjedhjes më skandaloze të informacionit në botë!
Viti 2021: viti i varfërisë, pabarazisë maksimale dhe borxhit të tejfryrë publik
Ky vit që po mbaron dëshmoi rrogat shumëmilionëshe të disa individëve, gjoja “të elitës”, të punësuar në borde ose institucione shteterore, ose në kompani private ku shteti ka ndikim, përballë rrogave mjerane të shumicës së punonjësve të shtypit dhe televizioneve, të ardhurave të ulëta të qytetarëve shqiptarë. Dëshmoi kapjen e plotë të të ashtuquajturave shoqata të pavarura të shoqërisë civile nga sekti Rama, nëpërmjet fondeve të dhëna në mënyrë klienteliste nga ministritë, drejtoritë e tjera qendrore, sha-të shtetërore apo kompanitë private të lidhura me qeverinë. Mund të konsiderohet viti i mbylljes së gojës së shoqërisë civile, me shumë, shumë pak përjashtime.
- Është viti ku, sipas raporteve të Bankës Botërore, si dhe treguesve nga Eurostat dhe nga FMN, varfëria në Shqipëri ka kapur 930,457 persona që jetojnë me të ardhura nën 5.5 USD, ose 30.8 përqind të popullsisë, përkundrejt 17.1% në Serbi, 16.9% në Maqedoninë e Veriut dhe 20.9% në Kosovë. Ndërkohë që raportet e INSTAT tregojnë për 671 mijë të varfër. Ndoshta për qeverinë, 260 mijë vetë që përbëjnë diferencën me raportet e institucioneve ndërkombëtare, janë emigrantë të varfër, të larguar vitet e fundit!
Jemi me vite dritë larg nga detyrat që kemi marrë përsipër të realizojmë, si shtet anëtar i OKB-së, në kuadër të Axhendës së saj të zhvillimit 2030 dhe objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm, si eliminimi i varfërisë në të gjitha format, sigurimi i jetës së shëndetshme dhe nxitja e mirëqenies për të gjithë njerëzit , nxitja e rritjes ekonomike të vazhdueshme, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, punësim të plotë dhe produktiv dhe punë të denjë për të gjithë, etj..
Viti 2021 është viti ku, për shkak të politikave ekonomike të papërshtatshme dhe skandaloze të sektit Rama, renditemi vendi më i varfër në rajon dhe i dyti më i varfër në Evropë, me gjysmën e popullsisë, sipas Eurostat, në rrezik që të bjerë në varfëri.
Është viti ku 7.6 përqind të rritjes ekonomike e gëzon vetëm një përqind e popullsisë, që janë pronarë të kompanive të favorizuara nga sekti Rama në pushtet, ose zyrtarë të fryrë nga paratë e korrupsionit dhe abuzimeve me taksat e shqiptarëve.
- Është viti ku sekti Rama na ka lënë trashëgim një borxh të tejfryrë publik, i cili në shifrat zyrtare përfaqëson 80 përqind të prodhimit kombëtar dhe në shifrat faktike 100 përqind të tij.
Është viti i lojës qeveritare me FMN-në, ndryshe nga premtimi i dhënë këtij institucioni, duke ndryshuar treguesit e buxhetit 2021, përmes gjashtë akteve normative, si dhe duke miratuar një buxhet dhe paketë fiskale 2022, pa u konsultuar me biznesin dhe duke kryer ndryshime të shumta në ligjet fiskale.
3.Viti 2021 është viti i minimit rëndë të klimës së biznesit, ku Departamenti Amerikan i Shtetit, në një raport për klimën e të bërit biznes në Shqipëri për vitin 2021 shprehet se investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik, konkurrencën e pandershme, informalitetin, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme madhore në Shqipëri.
Është viti ku u ekzekutuan ligje të qepura me dorë në dobi të klientëve të qeverisë.
- Është viti ku shpenzimet jo-produktive për investime fasadë, për rikonturime qendrash qytetesh, shpenzime rimobilimi zyrash, etj. njohën rritje, jo tkurrje, njëlloj si në vitin 2020. Fasada dhe vetëm fasada, kjo është filozofia e sektit Rama.
Është viti i pagesave me rreth një të tretat më shumë (29%) të PPP-ve, në krahasim me një vit më parë. PPP-ve ka filluar t’u dalë tymi i zi i papastërtive që po “djegin”.
- Është viti i korrupsionit galopant në të gjithë administratën publike. Sipas Transparency International, kemi zbritur me 20 pozicione në klasifikimin e saj, në krahasim me vetëm katër vite më parë, në 2017. Pozicionohemi ndër vendet më të korruptuara në Evropë, në vendin e 104-t, duke u kaluar nga vende si Tanzania, Etiopia, Kazakistani dhe Gambia.
Viti 2021: viti i Mbretit Lakuriq
Viti 2021 duket sikur konsolidoi dhe ngriti në piedestal pozitat e sektit Rama. Miëpo, në fakt, ai shënjon edhe vitin e nisjes së kalbëzimit dhe dekompozimit të sektit të Liderit Global.
Po përse, mund të pyesë shumëkush, kur Rama ndodhet në apogje të fuqisë dhe ndikimit të vet? Sepse, duke trullosur shoqërinë me një propogandë 3D të përditshme e të përminutshme të stilit gëbelsian, sekti i tij i ka shteruar të gjitha butaforitë, truket, magjistricat dhe driadat në duart e tij, për të ri-trullosur shqiptarët, gjoja në emër të transparencës dhe të ardhmes. Po shfaqet mbreti lakuriq, pasi ka lënë Atdheun lakuriq.
Politika ekonomike, e bazuar tek thellimi i borxhit dhe mosrespektimi i raportit të ardhura buxhetore-shpenzime, po fundos gjasat për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit. Viti 2021 shënoi edhe vitin ku Rama evidentoi qartë talljen jo vetëm me ata që i shërbejnë, por edhe me ndërkombëtarët.
Korrupsioni galopant dhe pabarazia e thellë janë kanceri i shtetit dhe i shoqërisë. Ky është parim klasik. Sot ne jemi ne kulmin e tij. Ky vit simbolizon Pikën e Vdekur të Sipërme (PVS) së zullumeve të sektit në pushtet, mbas së cilës ata do të rrokullisen me shpejtësi drejt Pikës së Vdekur të Poshtme (PVP).
2022: viti i ngritjes reale të shpresës
Opozita, në veçanti Partia Demokratike, që sot duket më e dobët dhe më e përçarë se kurrë, ka për detyrë dhe do të ringrihet me shpejtësi, të bashkohet dhe të luftojë me tolerancë zero korrupsionin e sektit Rama dhe atij vetë. Protestat duhet të shoqërojnë mendimin politik të opozitës dhe të të gjithë deputeteve të saj në Parlament, pavarësisht problemeve që mund të kenë sot mes tyre. Kryeproblemi për shqiptarët është korrupsioni dhe keq-qeverisja e sektit Rama. Nëse opozita del me një projekt të përbashkët politik për të mposhtur kapjen e shtetit dhe luftuar në rrënjë korrupsionin galopant që prodhon çdo orë e minutë kjo qeveri, shpresa e qytetarëve do të ringrihet fuqishëm dhe vendi do të futet në shinat normale të zhvillimit që prodhon qeverisja e përgjegjshme me transparencë dhe llogaridhënie maksimale.