Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, gjatë fjalës së tij në seancën plenare të ditës së sotme u shpreh se, kryetari i seancës, Peleshi po shkel hapur rregulloren e Kuvendit, duke propozuar që një mocion i depozituar të diskutohet pas pesë muajsh, ndërkohë që afati ligjor maksimal është 30 ditë.
Ai akuzoi gjithashtu mazhorancën për mosinformim dhe përjashtim të qëllimshëm të opozitës nga procesi i integrimit evropian, duke theksuar se për gjashtë muaj rresht kërkesat për të pasur listën e ligjeve që do kalonin në votim nuk janë marrë parasysh.
“Zoti kryetar, kërkesa që sapo hodhët në votim dhe që është një propozim i juaji personal, është tërësisht në shkelje të rregullores së Kuvendit. Rregullorja e Kuvendit, konkretisht pika 2 e nenit 98 të saj, ju detyron, zoti Peleshi, që të propozojë, kur nuk ka mirëkuptim ashtu si ishte rasti konkret t’i propozojë seancës plenare një datë, e cila nuk mund të jetë kurrë më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së mocionit. Unë nuk e di se si ju dhe matematika juaj e llogarisnin 30 ditë si pesë muaj. Sepse kërkesa jonë është e datës 5 nëntor 2025, dhe ju vini me propozim për seancën plenare që mocioni të zhvillohet në javën e parë, të dytë apo të tretë të majit. Kjo është në shkelje flagrante të rregullores së Kuvendit dhe është shkelja juaj personale.
Ju vazhdoni në çdo seancë të shkelni Kushtetutën dhe rregulloren. Për të vijuar me listën që na e tundi kolegu, është fakt që disa herë në konferencën e kryetarëve, grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar një gjë elementare nga kryetari i Kuvendit: të na vërë në dispozicion listën e draft-ligjeve që ky Kuvend do të duhet të miratojë në kuadër të procesit të integrimit. Dhe kanë kaluar gjashtë muaj që ne e ngremë këtë kërkesë në çdo mbledhje të konferencës së kryetarëve, dhe ju nuk denjoni t’i informoni opozitën se kush është lista e ligjeve të nevojshme në kuadër të procesit të integrimit. E kemi kërkuar më shumë se 10 herë, praktikisht në çdo mbledhje të konferencës së kryetarëve.
Dhe vini këtu pastaj dhe tundni një listë e thoni: “Ju nuk keni votuar ligjet.” Po nga ta dimë ne kush janë ligjet ku ne jemi tërësisht të përjashtuar nga procesi, se kush janë ligjet që nevojiten në kuadër të ecurisë së procesit të integrimit europian? Prandaj, ligji i ka vendosur detyrimin Këshillit të Ministrave që të informojë Kuvendin. Dhe erdhi këtu dhe tha se ka sjellë katër raporte në komisionin e jashtëm. Nuk folëm për raportet në komisionin e jashtëm. Folëm për një raport që është detyrim sipas nenit 103 të rregullores së Kuvendit dhe nenit 18 të ligjit për përfshirjen e Kuvendit në procesin e integrimit, sipas të cilit, brenda datës 31 janar të çdo viti, Këshilli i Ministrave do të duhet të informojë Kuvendin; seanca plenare do të bëjë një diskutim për procesin e integrimit.
Mbi ecurinë e negociatave, mbi përmbushjen e detyrimeve nga ana e Këshillit të Ministrave dhe mbi detyrat që ka Kuvendi në kuadër të këtij procesi. Kur ju ja mohoni këtë transparencë Kuvendit dhe qytetarëve, e keni përjashtuar opozitën nga procesi i integrimit me dashje, ekzaktësisht që të bëni atë që bëri zotëria, zoti Valla, tani në foltore: të tundë një listë dhe të thotë “Ju nuk i keni miratuar ligjet.” Na jepni, pra, kush janë ligjet. T’i dimë kush janë ligjet. Ne nuk jemi këtu fasadë e juaj. Kemi bërë që ditën e parë, kur kemi hyrë në këtë legjislaturë, kemi thënë një gjë: çdo ligj që është i nevojshëm për procesin e integrimit do të ketë votën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kemi kërkuar bashkëpunim dhe na është mohuar transparenca minimale për të ditur këto projektligje”, u shpreh Bardhi.
Gazeta RD