RAI: Tirana në flakë, vijojnë përplasjet mes studentëve dhe policisë: Rama, jep dorëheqjen!

Protestat kundër qeverisë së Edi Ramës hyjnë në ditën e 3-të radhazi dhe përhapen në qytete të tjera të vendit. Studentët kundërshtojnë tarifat universitare dhe mungesën e perspektivës për punësim.

Përplasjet mes protestuesve dhe policisë vijojnë në Tiranë, në ditën e 3-të radhazi të protestave studentore, të cilat janë përhapur edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Sipas raportimeve, tensionet janë përqendruar pranë Ministrisë së Arsimit, ku janë shënuar episode dhune edhe gjatë dy ditëve të mëparshme, por edhe në zona të tjera të qendrës së kryeqytetit.

Policia i wshtw përgjigjur me autobotë uji dhe gaz lotsjellës. Disa protestues janë shoqëruar nga policia. Grupe protestuesish, disa prej tyre të maskuar dhe me kapuçë, kanë sulmuar dhe dëmtuar ndërtesa publike e dyqane, ndërsa kanë hedhur vazhdimisht gurë në drejtim të forcave të policisë.

Lëvizja protestuese është shtrirë edhe në pesë qytete të tjera të vendit, nga veriu në jug, ku në disa raste studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme kanë bojkotuar mësimin.

Në Durrës, rreth 40 kilometra larg Tiranës, si dhe në Shkodër, janë raportuar efektivë policie të plagosur pas hedhjes së gurëve nga protestuesit, shumica prej të cilëve adoleshentë. Sipas raportimit, një pjesë e të rinjve kanë qenë të maskuar.

Protestat janë nxitur nga pakënaqësitë për tarifat universitare dhe perspektivat e kufizuara të punësimit, ndërsa thirrjet kundër kryeministrit Edi Rama janë bërë pjesë e mobilizimit, me sloganin ‘Rama, jep dorëheqjen!’

About Redaksia

Check Also

Tirana në tym dhe flakë/ Protestuesit përplasen me policinë, regjimi fik dritat në Bulevard

Pamjet që shikoni në videot e mëposhtme, janë regjistruar mbrëmjen e kësaj të enjte në …